Varroset Bajram Qerkini, kryetari i Shoqatës “Zëri i Prindërve”

Kryetari i Shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Qerkini, i cili vdiq një ditë më parë, është varrosur të martën në Mitrovicë.
Për t’i dhënë lamtumirën e fundit, përveç familjarëve, morën pjesë edhe autoritete të ndryshme qendrore e lokale, si dhe qytetarë të shumtë.
Kushtrim Gara, nga Komisioni qeveritar për të pagjeturit, e quajti të ndjerin sinonim i shembullit të forcës shpirtërore, përkushtimit dhe angazhimit.
Sipas tij, ai ishte përfaqësues i një familje me tri gjenerata të personave të zhdukur dhe zë i palodhshëm në kërkimin e së vërtetës dhe drejtësisë.
“Ai ishte shndërruar në sinonimin e njeriut shembull të burimit e forcës shpirtërore dhe sinonimin e njeriut shembull të përkushtimit dhe angazhimit. Në shembullin më të mirë të njeriut që dhimbjen më të madhe që përjeton një njeri, dhimbjen më të madhe që përjeton një prind, siç është mungesa e informacionit për djalin e rrëmbyer dhe të zhdukur, këtë dhimbje të madhe e kishte shndërruar në forcë dhe angazhim në përpjekje për kërkim, jo vetëm për djalin e tij Reshatin, por për mijëra familje që vazhdojnë në jetojnë në ankthin e pritjes…Një zë i palodhshëm në kërkimin e të vërtetës dhe drejtësisë… përfaqësues i një familje me tre gjenerata të personave të rrëmbyer e të zhdukur”, ka thënë Gara…
Ai ka thënë se do të jenë gjithmonë mirënjohës për kontributin e dhënë nga Qerkini.
Sipas tij, angazhimi, vepra, trashëgimia e bacës Bajram, do të mbeten frymëzim për të gjithë.
“Do t’i jemi gjithmonë mirënjohës për fjalët e mençura, mbështetjen e sinqertë dhe ndihmën e çmuar. Ne nuk kemi humbur vetëm një bashkëpunëtor, por një njeri që përfaqësonte zërin e mijëra familjeve që presin të vërtetën….Angazhimi, vepra, trashëgimia e bacës Bajram, do të mbeten frymëzim për të gjithë ne”, ka thënë Gara.
Telegram ngushëllimi kishte dërguar edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
I njohur si ‘Baca Bajram’, Qerkini ishte i angazhuar për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë dhe pas luftës në Kosovë, në mesin e të cilëve është edhe djali i tij Reshati, për fatin e të cilit ende nuk dihet. /kp/



















































