Van Nistelrooy po kërkon yllin e Man United si blerjen e tij të parë tek Leicester City

Ruud Van Nistelrooy dëshiron ta bëjë yllin e Manchester United si blerjen e tij të parë tek Leicester City. Van Nistelrooy u emërua si trajner i Leicesterit pas aventurës së tij si trajner i përkohshëm tek Manchester United pas shkarkimit të Erik Ten Hag. Ai pati një fillim të ëndrrave me ekipin e tij të ri, pasi ‘Dhelprat’ mposhtën me rezultat 3-1 West Hamin. Përkundër kësaj fitore të madhe, Leicesteri ende e gjen veten në një pozicion tejet delikat në tabelën e Ligës Premier. Kjo për shkak se klubi anglez momentalisht gjendet në pozitën e 16-të me vetëm 13 pikë të grumbulluara. Sipas mediumit anglez The Sun, 48-vjeçari po planifikon që të përdorë kontaktet e tij tek Manchester United për të nënshkruar me Toby Collyer.

Ai beson se Collyer mund të jetë një aset tejet i rëndësishëm në betejën për të siguruar mbijetesën në elitën e futbollit anglez. Van Nistelrooy është në dijeni të aftësive të Collyer pasi ka punuar me të për së afërmi gjatë kohës sa ishte asistent i Ten Hag./Telegrafi/



































