VALIXHJA E ZOTIT
Rrëfenjë anonime perse
Përktheu: Bajram Karabolli
Një njeri sapo vdes.
Zoti, me një valixhe në dorë, afrohet për ta marrë dhe i thotë:
- Eja bir, është koha të ikim.
Njeriu, gjithë dëshpërim, më shumë lutet se pyet:
- Tani?! Kaq shpejt?! Po unë kisha shumë plane...
- Më ndje, bir, por ky është çasti i nisjes tënde.
Dhe njeriu, më tepër kureshtar se i trishtuar, e pyet:
- Çfarë ke në atë valixhe?
Dhe Zoti i përgjigjet:
- Gjërat e tua.
- Gjërat e mia?!... M’i ke sjellë gjërat e mia?! Janë rroba dhe para për mua?!
- Jo, ato nuk të duhen më. Ato ishin të nevojshme vetëm për në tokë.
- Vallë, më ke sjellë kujtimet e mia?!
- Edhe ato nuk kanë ç’të duhen, janë të kohës atje.
- Ke sjellë zgjuarsinë time?!
- As ajo nuk të duhet më. Ishte për nevojat atje, në tokë.
- Ke sjellë të afërmit e mi, miqtë e mi?!
- Më ndje, bir! Edhe ata të duheshin për jetën atje.
- Me siguri, më ke sjellë gruan dhe fëmijët e mi?!
- Biri im, as ata s’kanë ç’të duhen. Ata i nevojiteshin zemrës tënde, atje dhe atëherë.
- Si duket, ke sjellë trupin tim?...
- As ai nuk të duhet më, bir... është bërë pluhur.
- Atëherë, ka sjellë shpirtin tim?
- Jo, bir. Tashmë, shpirti yt është imi.
Atëherë, njeriu, njëherazi, me frikë dhe guxim, ia rrëmben Zotit valixhen dhe e hap. Valixhja ishte bosh... Me sytë mbushur lot, njeriu i drejtohet Zotit dhe i thotë:
- Po këtu nuk paska asgjë!
- Po, bir. Tani nuk ka asgjë. Kur ishe gjallë aty i kishe. Por aq është jeta. Vetëm një çast! Prandaj, sa je gjallë duhet ta jetosh plotësisht. Sepse asgjë, nga ç’beson se të përket ty nuk e merr dot me vete ... Jeto të tashmen! Jeto jetën tënde! Dhe, kurrë mos harro të jesh i lumtur! Është e vetmja gjë që ia vlen. Gjërat materiale dhe gjithçka tjetër, për të cilat përpiqesh e mundohesh, mbeten atje, në tokë. Asgjë nuk merr dot me vete. Vlerëso ata që të vlerësojnë, mos e humb kohën me ata që nuk kanë kohë për ty.






























