Partia Komuniste e Kinës njoftoi sot se janë shkarkuar 11 anëtarë të Komitetit Qendror.

Bëhet fjalë për shkarkimin më të madh të kuadrove partiake që nga viti 2017.


Gjenerali 67-vjeçar, Zhang Shengmin është emëruar zëvendëskryetar i Komisionit Qendror Ushtarak të partisë.

Zhang zëvendësoi gjeneralin He Weidong, i cili u përjashtua javën e kaluar nga Partia Komuniste, së bashku me tetë gjeneralë të tjerë, për shkak të akuzave për korrupsion.

Nga këta gjeneralë, vetëm njëri nuk ishte anëtar i Komitetit Qendror.

He ishte gjithashtu një nga 24 anëtarët e Byrosë Politike të Partisë Komuniste, raporton reuters.

Vendimet u morën me dyer të mbyllura gjatë Plenumit të Katërt të Komitetit Qendror, në të cilin më shumë se 300 anëtarë diskutuan edhe për planin pesëvjeçar të zhvillimit ekonomik, që synon arritjen e pavarësisë teknologjike ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. /Telegrafi/