Një nga vaksinat më të studiuara në botë po tregon efekt të fortë në uljen e rrezikut për kancerin e qafës së mitrës. Ekspertët theksojnë se koha e vaksinimit është vendimtare

Dëshmitë se vaksina kundër HPV mbron nga kanceri po bëhen gjithnjë e më të qarta. Analiza e të dhënave shëndetësore të vajzave dhe grave të reja, të ndjekura për gati dy dekada, ka treguar se vaksina kundër HPV ul ndjeshëm rrezikun e zhvillimit të kancerit të qafës së mitrës, theksojnë në studim ekspertët e Institutit Karolinska në Suedi, epidemiologët dr. Jiayao Lei dhe dr. Shiqiang Wu.


Kanceri i qafës së mitrës mund të parandalohet

Autorët e këtij studimi theksojnë se kanë realizuar një hulumtim të pavarur dhe shtojnë se nuk kanë aksione apo përfitime financiare nga ndonjë kompani që mund të përfitonte nga publikimi i këtij artikulli.

Kanceri i qafës së mitrës është një nga kanceret më të shpeshta që në masë të madhe mund të parandalohet, thonë dr. Jiayao Lei dhe dr. Shiqiang Wu.

Virusi i papillomës njerëzore (HPV) është një nga viruset më të përhapura në botë. Shumica e njerëzve infektohen në një moment gjatë jetës, shpesh pa asnjë simptomë. Është e mundur që të jemi të infektuar, por organizmi ta eliminojë virusin natyrshëm. Megjithatë, mjekët shpjegojnë se ekzistojnë shumë lloje të HPV-së, dhe disa prej tyre mund të qëndrojnë për vite në trup dhe gradualisht të dëmtojnë qelizat.

Tipet e HPV me rrezik të lartë

Pothuajse të gjitha rastet e kancerit të qafës së mitrës shkaktohen nga infeksioni me tipet onkogjene të HPV. Janë identifikuar më shumë se 200 tipe të HPV-së, të cilat ndahen në tipe me rrezik të ulët (që zakonisht shkaktojnë lytha gjenitale) dhe tipe me rrezik të lartë, ndër të cilat HPV 16 dhe 18 janë më të rëndësishmet, pasi lidhen me zhvillimin e kancerit. HPV është një infeksion i zakonshëm që transmetohet seksualisht dhe mund të prekë lëkurën, zonën gjenitale, anale dhe fytin, transmeton Telegrafi.

Si e parandalon vaksina HPV kancerin?

Virusi i papillomës njerëzore shkakton pothuajse të gjitha rastet e kancerit të qafës së mitrës, por mund të çojë edhe në zhvillimin e kancerit të fytit, anusit, penisit, vagjinës dhe vulvës. Për këtë arsye është e rëndësishme që të vaksinohen edhe meshkujt. Siç theksohet, këto kancere zakonisht zhvillohen ngadalë dhe shpesh kalojnë shumë vite nga infeksioni fillestar deri në shfaqjen e sëmundjes. Vaksinimi, duke parandaluar infeksionin në fazat e hershme, është mënyra më efektive për të ndaluar kancerin e qafës së mitrës, theksojnë mjekët.

Për të kuptuar efektin e vaksinës HPV në jetën reale, Jiayao Lei dhe Shiqiang Wu kanë ndjekur në studim 926.362 vajza dhe gra të reja në Suedi për 18 vjet. Disa prej pjesëmarrëseve ishin të vaksinuara, ndërsa të tjera jo. Ekspertët theksojnë se një numër dukshëm më i vogël i pacienteve të vaksinuara zhvilloi kancer të qafës së mitrës krahasuar me ato të pavaksinuara.

Konstatuam gjithashtu se mosha ka rëndësi. Vajzat që janë vaksinuar para moshës 17 vjeç kishin shumë më pak gjasa që më vonë të zhvillonin kancer të qafës së mitrës. Rreziku i tyre ishte rreth katër herë më i ulët krahasuar me vajzat që nuk ishin vaksinuar. Edhe personat e vaksinuar pas moshës 17 vjeç kishin njëfarë mbrojtjeje, por jo në të njëjtën masë si ata që u vaksinuan në moshë më të hershme, shpjegojnë Jiayao Lei dhe Shiqiang Wu.

Arsyeja, sipas tyre, është e thjeshtë. Vaksina parandalon infeksionin me HPV, por nuk vepron mbi një infeksion që tashmë është zhvilluar. Prandaj, vaksinimi është ideal në moshë të hershme, para ekspozimit ndaj virusit. Në këtë mënyrë sistemi imunitar krijon një mbrojtje të fortë, theksojnë ekspertët, duke shtuar se për këtë arsye vaksina HPV në Evropë rekomandohet për adoleshentët e rinj përmes programeve shkollore të imunizimit.

Mbrojtje afatgjatë

Një pyetje e shpeshtë lidhur me vaksinat HPV është sa zgjat mbrojtja e tyre dhe nëse dobësohet me kalimin e kohës? Jiayao Lei dhe Shiqiang Wu thonë se rezultatet e studimit të tyre janë inkurajuese.

I kemi ndjekur pjesëmarrësit për 18 vjet pas vaksinimit dhe nuk kemi gjetur dëshmi që mbrojtja dobësohet me kalimin e kohës. Vaksina HPV siguron mbrojtje afatgjatë duke “trajnuar” sistemin imunitar që të njohë virusin dhe ta neutralizojë shpejt para se ai të dëmtojë qelizat. Mbrojtja afatgjatë do të thotë që vaksina mbron pikërisht në periudhën kur është më e nevojshme, shpjegojnë ekspertët e Institutit Karolinska.

Shumë vende rekomandojnë vaksinimin kundër HPV për vajzat dhe djemtë, zakonisht në adoleshencën e hershme. Vaksinimi i djemve mbron gjithashtu nga kanceret që lidhen me HPV, si për shembull kanceri i fytit.

8 vaksina HPV të licencuara

Deri në vitin 2025, në botë ekzistojnë tetë vaksina HPV të licencuara, prej të cilave pesë kanë marrë para-kualifikimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe janë të disponueshme globalisht. Të gjitha ato mbrojnë nga tipet me rrezik të lartë HPV 16 dhe 18, që shkaktojnë rreth 76 për qind të rasteve të kancerit të qafës së mitrës.

Kanceri i qafës së mitrës trajtohet me sukses nëse diagnostikohet herët. Mjekët këshillojnë që gratë të drejtohen te profesionistët shëndetësorë nëse vërejnë: gjakderdhje të pazakontë midis menstruacioneve, pas menopauzës ose pas marrëdhënieve seksuale, rrjedhje vagjinale me erë të pakëndshme, dhimbje të vazhdueshme në shpinë, këmbë ose legen, humbje peshe, lodhje dhe humbje të oreksit, parehati vagjinale ose ënjtje të këmbëve.

Ekzaminimet klinike dhe testet diagnostike janë të domosdoshme për konfirmimin e sëmundjes. Trajtimi mund të përfshijë kirurgji, radioterapi dhe kimioterapi. /Telegrafi/