E bija e kritikut të burgosur nga Kremli, Alexei Navalny tha se përpjekjet e autoriteteve ruse për të heshtur kritikët si babai i saj, nuk do të funksionojnë, edhe pse ajo gjithashtu shprehu shqetësimin e “rënies së shpejtë të demokracisë në vendlindjen e saj”.
Daria Navalnaya bëri një dalje publike të pazakontë gjatë një samiti për të drejtat e njeriut, ku pranojë një çmim për “kurajën morale” në emër të babait të saj, i cili po shërben dënimin e tij me 2.5 vite burg.
Navalny, një nga kritikët kryesor të presidentit rus Vladimir Putin, thotë se akuzat kundra tij janë trumbetuar në mënyrë që të pengojnë opozitën e tij kundër Kremilinit, gjë të cilën ata e mohojnë kategorikisht.
“Për të gjithë këto vite me radhë, ai [Navalny] i ka treguar njerëzve në pushtet, të cilët po abuzojnë paturpësisht me pushtetin e tyre, që kjo nuk do të funksionojë, sepse ne jemi shumica. Ne, qytetarët, jemi ata që do të vendosim se kush do të qeverisë këtë vend dhe për sa kohë”, tha Navalnaya duke folur në UN Watch, raportojnë mediet e huaja.
Gjatë fjalimit të saj në gjuhën angleze, 20-vjeçarja e përshkroi veten si “një vajzë krenare të babait të saj dhe një qytetare ruse, të shqetësuar për rënien e shpejtë të demokracisë në vendin e saj”.
Ajo foli për ndjenjat e saj të frikës dhe pafuqisë si një fëmijë, kur shtëpia e saj ishte bastisur nga policia dhe gjithashtu për kohën kur ajo kishte mbështetur babanë e saj vitin e kaluar, kur ai po shërohej në spital.
Navalny u trajtua në Gjermani për atë që doktorët gjermanë e quajtën helmim me agjentin nervor Novichok.
Navalnaya u shpreh se babai i saj i kishte shkruar nga burgu duke i kërkuar që çmimi i dhënë nga Samiti Gjenevës, t’i dedikohej të burgosurve politik në Rusi si dhe në vendin partner, Bjellorusi, ku presidenti Aleksandar Lukashenko gjithashtu akuzohet për burgosjen e kundërshtarëve të tij politik. /Telegrafi/