Nga shkaqet dhe shenjat alarmuese, te trajtimi dhe ushtrimet që ndihmojnë realisht – çfarë duhet të bëni dhe çfarë duhet të shmangni për një përmirësim të qëndrueshëm

Pt. Albenita Blakaj
Fizioterapeute
📞 044 932 262


Dhimbja e fundshpinës është një nga problemet më të zakonshme që prek njerëzit e çdo moshe. Dhimbja e fundshpinës (lumbago) është një nga arsyet më të shpeshta të vizitave te fizioterapeuti. Qëllimi nuk është vetëm trajtimi i simptomave. Është po aq e rëndësishme identifikimi i shkakut të problemit, qoftë ai mekanik, nga qëndrimi i trupit apo i lidhur me stilin e jetesës.

Trajtimi nis me një vlerësim të detajuar klinik dhe biomekanik për të përcaktuar burimin e saktë të dhimbjes. Fizioterapeuti analizon jo vetëm zonën e dhimbjes, por edhe funksionimin e muskujve, nyjeve dhe nervave gjatë lëvizjeve të përditshme. Në bazë të këtij vlerësimi ndërtohet një plan i personalizuar që kombinon terapi manuale dhe ushtrime korrigjuese, me qëllim rikthimin e funksionit normal dhe parandalimin e rikthimit të dhimbjes.

Shkaktarët më të shpeshtë të dhimbjes në fundshpinë

Tendosjet dhe shtrembërimet janë shkaqet më të zakonshme të dhimbjes së shpinës. Ju mund të dëmtoni muskujt, tendinat ose ligamentet duke ngritur diçka shumë të rëndë ose duke mos e ngritur në mënyrë të sigurt. Disa njerëz e tendosin shpinën edhe gjatë teshtitjes, kollitjes, përdredhjes ose përkuljes.

Këto shkaktojnë dhimbje që zakonisht përmirësohet brenda disa ditëve ose javëve, me pushim, ushtrime të lehta dhe kujdes postural.

Shkaqe të tjera, më pak të shpeshta, janë spondiloza, e cila është një lloj specifik i frakturës së stresit ose çarjes në kockat e shtyllës kurrizore, si dhe skolioza lumbare, e cila mund të çojë në dhimbje, ngurtësi dhe vështirësi në lëvizje.

Osteoartriti është lloji më i zakonshëm i artritit që shkakton dhimbje të shpinës së poshtme, ndërsa spondiliti ankilozant, një lloj tjetër i artritit, shkakton dhimbje, inflamacion dhe ngurtësi në shpinë.

Tumoret e shtyllës kurrizore, infeksionet dhe disa lloje kanceri gjithashtu mund të shkaktojnë dhimbje shpine.

Por jo çdo dhimbje është e njëjtë, dhe dallimi mes tyre është thelbësor për trajtimin e duhur.

Dallimet midis dhimbjes muskulore dhe asaj të diskut

Dhimbja muskulore vjen si pasojë e lodhjes, qëndrimit të keq ose ngritjes së peshave dhe është dhimbje lokale. Ajo ndihet si shtangim ose lodhje, përkeqësohet me lëvizje dhe përmirësohet me pushim.

Dhimbja nga disku (hernia diskale) vjen nga një disk në shtyllën kurrizore, i cili bën shtypje në ndonjë nerv dhe përhapet në këmbë ose duar. Ajo ndihet si therje ose si rrymë, shoqërohet me mpirje ose dobësi dhe përkeqësohet me ulje të gjatë në karrige ose gjatë përkuljes.

Dallimet kryesore janë se dhimbja muskulore është më e lehtë dhe lokale në trup, ndërsa dhimbja e diskut është më serioze dhe përfshin edhe nervat.

Kur dhimbja është alarm për vizitë te mjeku?

Dhimbja nuk duhet neglizhuar dhe duhet të shkosh te mjeku nëse ke dhimbje shumë të fortë që nuk kalon as pas pushimit dhe që zgjat më shumë se 1–2 javë. Gjithashtu, nëse dhimbja përhapet në gjymtyrë, pra në dorë ose këmbë, dhe shoqërohet me ndjenjë mpirjeje, dobësie ose ndjesi si shpimi me gjilpëra.

Duhet të konsultohesh me mjekun edhe kur paraqiten vështirësi në lëvizje, si ecja apo qëndrimi në këmbë.

Gjendje më urgjente është kur paraqitet humbja e kontrollit të urinimit ose jashtëqitjes, si dhe kur dhimbja bëhet tepër e fortë dhe e padurueshme, duke mos të lejuar as të lëvizësh. Këto janë shenja që nuk duhen neglizhuar në asnjë rast.

Kur dhimbja e fundshpinës shoqërohet me mpirje dhe dobësi në këmbë

Dhimbja e fundshpinës mund të shoqërohet me mpirje, therje përgjatë këmbës dhe dobësi në njërën këmbë. Kjo zakonisht tregon se është prekur ndonjë nerv në shtyllën kurrizore dhe shfaqet shpesh te problematikat si hernia diskale dhe shtypja e nervit ishiatik.

Këto simptoma shpesh përkeqësohen gjatë qëndrimit ulur për kohë të gjatë ose gjatë përkuljes dhe mund të ndikojnë në ecje dhe aktivitetet e përditshme. Nëse zgjasin për një periudhë të gjatë ose përkeqësohen, është e rëndësishme të kërkohet vlerësim mjekësor.

Sa zgjat zakonisht një dhimbje e fundshpinës?

Kur është problematikë muskulare, dhimbja është më e lehtë dhe zakonisht zgjat disa ditë deri në 2 javë maksimumi.

Kur problematika është tek nervat e fundshpinës, pra neurologjike, dhimbja është më serioze dhe mund të zgjasë javë ose muaj, deri sa të trajtohet, varësisht nga problematika. Pacienti duhet të jetë nën monitorimin e mjekut dhe fizioterapeutit.

A duhet pushim apo lëvizje gjatë dhimbjes?

Lëvizja është më e rekomandueshme, por jo me intensitet të lartë, sidomos në ditët e para. Në ditën e parë dhe të dytë nevojitet një pushim i lehtë, ndërsa më pas rekomandohet ecje dhe lëvizje jo të sforcuara.

Duhet shmangur ngritja e peshave, qëndrimi ulur për orë të gjata dhe pushimi i tejzgjatur në shtrat, pasi lëvizja ndihmon në shmangien e ngurtësimit të muskujve dhe përmirësimin e qarkullimit të gjakut.

Trajtimi i dhimbjes së fundshpinës

Fizioterapia dhe ushtrimet terapeutike janë mënyra më e sigurt dhe efektive në trajtimin e dhimbjes së fundshpinës. Fizioterapeuti jep këshilla për qëndrim korrekt, aplikon terapi manuale dhe ushtrime të personalizuara, si dhe shtrirje për të ulur tensionin muskular.

Kohëzgjatja e trajtimit varet nga problemi. Për dhimbje të lehta rekomandohen seanca prej 2 deri në 4 javë, ndërsa për problematika më serioze dhe neurologjike trajtimi mund të zgjasë nga 4 deri në 8 javë, sipas planit individual.

A mund të shmanget operacioni me fizioterapi?

Në shumicën e rasteve, po. Shumica e pacientëve përmirësohen vetëm me seanca të fizioterapisë, pa pasur nevojë për operim. Me anë të fizioterapisë arrihet ulja e dhimbjes, forcimi i muskujve dhe lirimi i presionit nervor.

Operacioni bëhet i domosdoshëm kur dhimbja është tepër e madhe dhe e padurueshme, zgjat për një periudhë të gjatë dhe nuk kalon, si dhe kur paraqiten probleme në kontrollimin e urinimit dhe jashtëqitjes apo kur mpirja dhe therja prekin të dy këmbët.

Ushtrimet më të sigurta për fundshpinën

Disa ushtrime të thjeshta dhe të sigurta mund të bëhen edhe në shtëpi.

Shtrirja me gjunjët në gjoks ndihmon në relaksimin e shpinës dhe ul tensionin në pjesën e poshtme të saj.

Ushtrimi i lëvizjes së shpinës lart–poshtë, në pozicion me duar dhe gjunjë në tokë, përmirëson lëvizshmërinë e shtyllës kurrizore dhe e bën shpinën më elastike.

Ushtrimi i ngritjes së legenit nga pozicioni shtrirë në shpinë ndihmon në forcimin e muskujve të shpinës dhe të pjesës së poshtme të trupit.

Këto ushtrime duhet të bëhen rregullisht dhe pa sforcim, duke respektuar kufijtë e trupit.

Faktorët që e përkeqësojnë dhe si ta parandaloni dhimbjen

Situata përkeqësohet kur mungon lëvizja dhe kur qëndrimi është i keq, qoftë ulur apo në këmbë. Ulja për orë të gjata, përkulja e gabuar dhe qëndrimi i shtrembër rrisin presionin në shtyllën kurrizore.

Pesha e tepërt trupore e rrit ngarkesën në pjesën e poshtme të shpinës, ndërsa qëndrimi i gjatë ulur dobëson muskujt dhe rrit shtypjen në disqe. Pozicionimi i keq i trupit shkakton tension dhe mund të çojë në dhimbje kronike, prandaj trupi duhet të mbahet drejt dhe aktiv.

Dysheku duhet të jetë mesatarisht i fortë, pasi një dyshek shumë i butë e përkul shpinën dhe rrit dhimbjen. Një dyshek i përshtatshëm mban shtyllën kurrizore drejt dhe është i rekomandueshëm.

Këpucët duhet të jenë të rehatshme dhe me mbështetje. Duhet shmangur këpucët e sheshta dhe ato me taka të larta, pasi rrisin presionin në këmbë dhe shpinë dhe ndryshojnë qëndrimin.

Për të parandaluar rikthimin e dhimbjes, është e rëndësishme të mbani qëndrim të drejtë, të kontrolloni peshën trupore, të bëni ushtrime të rregullta dhe të ngrini peshat në mënyrë të saktë. Po ashtu, rekomandohet pushim çdo 60 minuta gjatë qëndrimit ulur dhe përdorimi i dyshekut dhe këpucëve të përshtatshme.

Kujdesi i përditshëm dhe ndërhyrja në kohë janë çelësi për të shmangur dhimbjet kronike dhe për të ruajtur shëndetin e shtyllës kurrizore. /Telegrafi/