LAJMI I FUNDIT:

Ushtria peng i Listës Serbe, jo i Demarkacionit

Ushtria peng i Listës Serbe, jo i Demarkacionit

Edhe pse shumë herë është premtuar se Kosova do ta ketë ushtrinë e saj, një gjë e tillë ende s’ka ndodhur. Madje nuk kanë munguar as deklaratat të cilat çështjen e formimit të ushtrisë, e kanë lidhur edhe me mos ratifikimin e demarkacionit. Por, deputetë të kuvendit të Kosovës thonë se pengesë për formimin e Ushtrisë së Kosovës mbetet Lista serbe, e jo çështja e demarkacionit.

Nuredin Ibishi, deputet nga LDK-ja dhe anëtar i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, thotë se tani për tani është e pamundur të bindet Lista serbe për votimin e shndërrimit të FSK-së në ushtri të Kosovës, pasi që ata marrin urdhra nga Serbia.

Sipas tij, ka gjasë që kjo çështje shumë shpejtë të vijë në Kuvend të Kosovës. Ai thotë se me gjasë nuk do të mund t’i ndryshohet emri FSK-së, por të ndryshohen vetëm disa ligje, FSK do të bëhet me kapacitete të plota, por jo të preket Kushtetuta, meqë duket se është e pamundur që të bindet Lista serbe.


“Ne në vazhdimësi bëjmë kërkesa edhe me këta deputetët e Listës Serbe, sidomos të Komisionit që kemi, Komisionit për Siguri. Mirëpo, realisht për momentin për një kohë të pacaktuar, është e pamundur që të binden ata, derisa t’iu vjen urdhri prej Qeverisë së Serbisë. Në këtë moment e shoh shumë të arsyeshme që projektligjin që e kanë për plotësim-ndryshimin e ligjit për FSK-në ta dërgojnë në Kuvend dhe ne mund të bëjmë amendamentimin ose ndryshimin, dhe FSK të rris kapacitetin ashtu siç është planifikuar, sipas parashikimit strategjik të sektorit të sigurisë për 10 vjeçarin e ardhshëm. Në substancë mund të ec FSK-ja edhe pa ndryshim të emrit në Forca të Armatosura, për një kohë të pacaktuar, derisa Lista “Srbska”  të ndryshon mendimin. Kjo është ideja e Qeverisë. Qeveria ka përgatitur Projektligjin për plotësim ndryshim dhe pritet koha. Pa ndryshuar emrin vetëm të bëhet plotësim ndryshimi i Ligjit për FSK-në dhe puna të ecën. Mungon vetëm emri Forcat e Armatosura. Por për momentin është e pamundshme”, thotë deputeti Ibishi.

Ndërsa, deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, thotë se tani për tani është e pamundur që të ndodh kjo, pasi që nuk bindet Beogradi për një gjë të tillë. Ai thotë se as zyrtarët e lartë të vendit nuk kanë vullnet në njërën anë, ndërsa në anën tjetër kanë probleme me Listën serbe.

“Pushteti aktual dhe ai i mandatit të kaluar kanë manipuluar deri në rrezikimin e sigurisë së Kosovës. Pra kanë manipuluar dhe me atë që është interes shtetëror dhe interes i qytetarëve të republikës së Kosovës që ta kenë ushtrinë, që ta kenë mbrojtjen e vet. Jo rrallë herë kanë futur në pazar diçka që nuk futet në pazar, që nuk duhet të bëhej asnjëherë…këta nuk e bëjnë ushtrinë e Kosovës. Në radhë të parë nuk kanë vullnet dhe në radhë të dytë, një nga partnerët e koalicionit siç është lista serbe e ka të drejtën e vetos brenda Parlamentit të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës”, thotë Selimi.

Ndërsa, duke i komentuar deklaratat e kryeministrit i cili e ka lidhur këtë çështje me demarkacionin, Selimi thotë se Isa Mustafa ka tentuar ta ‘kontrabandoj’ demarkacionin në Kuvendin e Kosovës përmes këmbimit me interesa vitale të vendit, siç është ushtria, siguria dhe mbrojtja e këtij vendi.

“Kryeministri ka tentuar ta kontrabandoj demarkacionin në parlamentin e Kosovës përmes këmbimit me interesa vitale të Republikës së Kosovës siç është ushtria, siguria dhe mbrojtja e këtij vendi. Nuk është kushti i parë që ka vu ai për qytetarët e Kosovës. Ky vë kushte për qytetarët e Kosovës. Dhe nuk është FSK-ja kusht që ka vu dikush tjetër. Por është thjeshtë qeveria e Kosovës, kryeministri po vë kusht qytetarëve realizimin e diçkaje, që është e domosdoshme siç është ushtria me dhënien e territorit. Kjo është e papranueshme. Nuk është çudi që herë tjetër të na vijnë me kushte tjera. Presioni nuk është që ne ta kemi ushtrinë. Presioni i kryeministrit nuk është që ne ta kemi ushtrinë, por presioni i kryeministrit është që përmes ushtrisë t’i japim territor Malit të Zi”, thotë ai.

Ndërsa, se a do të pranojë VV-ja që të mos e ketë emrin ushtri, Selimi thotë se ata nuk do të lidhen thjeshtë për emrin, por se nuk do të pranojnë asgjë që nuk do të jetë ushtri.

“Ne si VV nuk do të pranojmë asnjë gjë që nuk do të jetë ushtri. Nuk do të kemi kompromis me të drejtat tona si qytetarë. Por jo thjeshtë do të lidhemi për emër. Për shkak se ne nuk jemi lidhur edhe për emrin se a do të jetë Ushtria e Kosovës apo Forcat e Armatosura të Kosovës. Pra ne duhet të kemi ushtri dhe ne nuk pranojmë të kemi asgjë më pak prej asaj që na takon dhe asaj që qytetarët kanë nevojë siç është ushtria dhe siguria e këtij vendi”, tha ai.

Nga ana tjetër, analisti politik Imer Mushkolaj, i tha KosovaPress-it se kryeministri Mustafa  me deklaratat të tilla duke e lidhur demarkacionin me ushtrinë, po mundohet që të arsyetoj dështimin që ka pasur në formimin e ushtrisë. Ndërsa, thotë se duhet të jesh i paditur për t’i besuar deklaratave të tilla.

“Ne në fakt nuk jemi aq të paditur që t’i besojmë deklaratave të tipit se demarkacioni po e pengon edhe krijimin e ushtrisë, Forcave të Armatosura të Kosovës. Sepse ne e dimë se çfarë pengon krijimin e  FAK-ut. Por në fakt është përpjekje e z. Mustafa për tu arsyetuar për dështimin që ka pasur në këtë aspekt. Ne e dimë se sa herë është premtuar formimi i FAK deri tash dhe nuk ka ndodh. Kështu besoj se do të vazhdoj dhe më tej dhe absolut nuk konsideroj se është e shëndetshme edhe për kryeministrin Mustafa dhe e logjikshme që të bëhet një ndërlidhje e tillë, mos miratimi i marrëveshjes për demarkacion me krijimin e FAK”, tha Mushkolaj.

Ndërkohë, kujtojmë se raportohej që gjatë krijimit të koalicionit qeverisës, Lista Serbe kishte kushtëzuar Mustafën e Thaçin se shndërrimin e FSK-së në Forca të Armatosura nuk e votojnë pa u plotësuar katër kushtet e tyre.

Kushte ishin: emërimi i zëvendësdrejtorit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës nga radhët e pakicës serbe, zëvendëskomandantit të FSK-së po nga radhët e serbëve, ndërprerja e privatizimeve në komunat serbe, përfshirë këtu Brezovicën dhe Trepçën si dhe krijimi i Asociacionit të Komunave të kësaj pakice.