Drejtuesit e Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren dhe të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural kanë nënshkruar marrëveshje të bashkëpunimit për të avancuar praktikat e menaxhimit dhe të mbrojtjes së pyjeve, nëpërmjet fuqizimit të arsimit dhe hulumtimit.
Ministri i MBPZhR, Faton Peci ka njoftuar se në këtë mënyrë formalizohet bashkëpunimi i kësaj ministrie me Universitetin në Prizren, përkatësisht Fakultetin e Shkencave të Jetës dhe Mjedisit, programi Shkencat e Pyjeve dhe Mjedisit, raporton Telegrafi.
“Ky Memorandum do të përfshijë fushat e aktiviteteve të përbashkëta me qëllim të fuqizimit të bashkëpunimit midis dy institucioneve për të përmirësuar arsimin, kërkimin dhe zbatimin praktik në menaxhimin dhe mbrojtjen e pyjeve dhe të rritjes së bashkëpunimit në fushën e pylltarisë”, ka bërë të ditur Peci.
Ndërkaq rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Mentor Alishani ka njoftuar se kjo marrëveshje ka disa objektiva të përbashkëta që sjellin dobi për studentët, por edhe për pylltarinë e bujqësinë e vendit.
“Qasje dhe shfrytëzim në laboratorët që operojnë nën ombrellën e MBPZHR-së; Ndarja dhe dhënie në shfrytëzim e parcelës së tokës në pronësi të MBPZHR-së për nevojat e Universitetit të Prizrenit; Angazhimi i studentëve në punë praktike në të gjitha resorët e MBPZHR-së; Hapja e programeve të reja studimore që adresojnë sfidat aktuale në sektorin e bujqësisë; Përfshirja në iniciativa dhe projekte të përbashkëta kërkimore-shkencore e të dy institucioneve, janë vetëm disa nga objektivat e përbashkëta që dalin nga marrëveshja e sapo nënshkruar ndërmjet MBPZHR-së dhe UUHP-së”, ka bërë të ditur Alishani.
Fakulteti i Shkencave të Jetës dhe Mjedisit në kuadër të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren është themeluar vite më parë bazuar në nevojën për të përgatitur specialistë për mbrojtjen dhe menaxhimin e burimeve natyrore. /Telegrafi/