Universiteti që të pasivizon
Pasi diplomova, fillova të mendoj për këto vite të studimeve që i kalova në Universitetin e Prishtinës. Procedurat burokratike të cilat ma zgjatën edhe procesin e diplomimit për disa javë, më nervozuan shumë. I mllefosur, mendoja për problemet administrative që i kam hasur përgjatë këtyre viteve të studimeve.
Përvoja ime e parë e pritjes me orë të tëra ishte pikërisht dita kur ua kisha mësyrë dyerve të këtij universiteti. Edhe pse ishte viti 2008 dhe studentët nëpër universitete të tjera të botës aplikonin për tu regjistruar në mënyrë elektronike, mua, sikurse edhe të gjithë rinjve të tjerë, na u desh të prisnim në radhë - pothuajse tërë ditën. Njëjtë më ndodhi edhe kur hyra në provimin pranues, kur mora rezultatet, e kur u regjistrova. Kështu më ndodhte sa herë që më duhej të paraqisja provimet, t’i merrja rezultatet, t’i merrja notat etj. Kështu më duhej të prisja edhe kur shkoja në ligjërata dhe profesorët politikanë nuk vinin fare ose vinin me vonesë. Për ata, ne nuk ishim asgjë tjetër veçse nevojtarë të cilët presin pa problem.
Kur vendosa ta shkruaj këtë vështrim për Universitetin e Prishtinës, fillova t’i shkruaj problemet që do të mund t’i trajtoja. Mu bë një listë aq e gjatë e problemeve, saqë nuk dija nga t’ia fillojë apo cilin ta trajtoj. Mendova a të shkruaj për rektorin e korruptuar që tashmë e ka demaskuar vetveten - sidomos pas aktit të fundit të blerjes së çmimit. Mendova nëse duhet të shkruaj për problemet e administratës që ngjajnë me ato të kohës së Ali Bungut, apo të shkruaj për papërgjegjësinë e profesorëve politikanë. Të shkruaj për mungesën e kushteve për studime të mirëfillta apo të shkruaj për cilësinë e humbur në këtë universitet, e cila është e ndërlidhur drejtpërsëdrejti me të gjitha këto probleme të lartshënuara.
Kah po shkon universiteti? Këtë pyetje ia bëja vetes vazhdimisht kur i mendoja gjithë këto parregullsi që shumë prej tyre janë të qëllimshme. Ajo që më dhemb më së shumti është që degradimi i universitetit, në këtë mënyrë, po sjell çdo ditë e më shumë student të dobët. Ne nuk mund të shpresojmë për një të ardhme më të ndritur apo për kuadro më të forta të cilat një ditë do ta udhëheqin shtetin, kur udhëheqësit e tanishëm po e mbjellin farën e tyre në universitet.
Ky universitet nuk do të prodhojë asgjë tjetër përpos studentë të rinj të cilët qëllim kryesor e kanë marrjen e diplomës dhe atë jo për vete por “për t’ia dërguar familjes” (siç shprehen ata). Ky universitet po prodhon studentë që nëse kërkon nga ata (studentët) për tu angazhuar për përmirësim të kushteve të studentëve, nuk do të hezitojnë të përgjigjen: “Unë gati e përfundova, kështu që pasi ta kryej unë flaka i daltë”.
Megjithatë, pranimi i një numri shumë të madh të studentëve mbetet një prej problemeve kryesore, sepse kur në një sallë e cila i zë 100 studentë dhe e cila dimrit është e ftoftë e verës të mbytë vapa, mësojnë 300 apo 400 studentë. Çfarë cilësie mund të ketë aty?
Por, politikanët tanë nuk janë të interesuar që të përmirësohet cilësia. Atyre më shumë ju intereson që këtyre të rinjve të vendit tonë t’ua zgjasin sa më shumë kohën e studimeve, në mënyrë që ta shtyjnë edhe për një kohë kërkesën e tyre për vend pune. Por, mos orientimi nga ana e Qeverisë se për çfarë kuadro ka nevojë tregu i Kosovës, në të ardhmen afatshkurtër sjellë në një situatë kur të diplomuarit ose punojnë në punë të ndryshme që janë jashtë profesionit të tyre, ose nuk punojnë fare, apo punojnë në ndonjë vend punë të cilin e kishin të siguruar edhe para se të fillonin studimet (sepse, për të palosur mallra nëpër qendra të ndryshme tregtare, nuk është se kërkohen studime universitare).
Me këso politika për arsim të lartë, Qeveria e Kosovës në njërën anë është duke i shërbyer mjaftë mirë vetes, por në anën tjetër është duke e shkatërruar konceptin e mirëfilltë të studentit. Vazhdimisht e ka degraduar universitetin në një universitet i cili prodhon studentë që janë të interesuar vetëm tek diplomat e pavlera. Pra, në një universitet i cili nuk shpërndan dije, por e shkatërron atë.
Kjo situatë nuk e zhvillon këndvështrimin kritikues të studentëve, por e mbytë atë, e kësisoj pushteti mbetet pa kundërshtarë dhe i zgjatë jetën vetës. Në anën tjetër, kur studenti nuk ka kushte për të studiuar, i kalon provimet duke lexuar tekste të cilat shumë profesorë i kanë mbushur më plagjiatura të ndryshme dhe të pa përkthyera mirë. Në mungesë të një bashkëpunimi me studentë të shumtë shqiptarë të cilët kanë studiuar e doktoruar në vende të ndryshme të botës, universiteti po prodhon vazhdimisht studentë të paaftë dhe pasivë.
Përfundimisht, politikanë të tillë si këta që janë aktualisht në pushtet nuk mund të jenë në raport të drejtë me zhvillimin e studentëve. Pra, ose studentë të mirëfilltë ose politikanë të këtij lloji. Të dyja bashkë nuk qëndrojnë, sepse studentët e mirëfilltë nuk do të lejonin kurrë politikanë të tillë në krye të vendit.





















































