LAJMI I FUNDIT:

“Unioni Ekonomik Shqiptar”: Si do të bëhet bashkimi i tregjeve?

“Unioni Ekonomik Shqiptar”: Si do të bëhet bashkimi i tregjeve?

Bashkimi duhet të vijë nga ekonomia. Kjo ishte ideja e “Lëvizjes për Union Ekonomik Shqiptar”, e shpallur dje publikisht nga Behgjet Pacolli.

E mbështetur nga akademikë, studiues dhe biznesmenë, lëvizja e re pritet të përcaktojë piketat dhe idetë e reja për nxitjen e një ndryshimi politik dhe ekonomik për të gjitha trevat shqiptare.

“Kjo lëvizje do të ofrojë softuerin kombëtar: idetë, strategjitë, platformat për këtë union”, tha Pacolli të premten gjatë aktivitetit në bashkëpunim me Universitetin Europian të Tiranës dhe kolegjit “Fama” në Prishtinë.

Por, ndryshe nga euforia e bashkimit, që po prek gjithmonë e më shumë fjalimet e politikanëve, Pacolli bëri një dallim: “Bashkim kombëtar duke prishur Aleancën me Perëndimin nuk ka. Me këtë ide, aleanca me Perëndimin forcohet!”, njofton gazeta tiranase “Panorama”.

Nisma do të jetë një lëvizje qytetarësh, e shtrirë në të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarët, pra në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Luginën e Preshevës, Greqi dhe kudo në botë.

Unioni ka edhe propozime të qarta politike, që do të ndihmonin në zhvillimin dhe bashkimin e tregut shqiptar.

“Ne u propozojmë parlamenteve të të dyja vendeve të krijojnë një Këshill Ndërparlamentar, i cili të mblidhet dy herë në vit në kryeqytetet respektive me rotacion”, thuhet në një njoftim, sipas të cilit ky këshill do të përbëhet nga 30 përfaqësues: 11 nga Parlamenti shqiptar, 11 nga ai i Kosovës, 2 deputetë shqiptarë nga Maqedonia, 1 deputet nga Mali i Zi dhe 1 deputet nga Lugina e Preshevës. Këtyre do t’u bashkohen dy anëtarë nga unioni i ri që krijohet dhe 2 anëtarë nga diaspora.

“Këshilli Ndërparlamentar duhet të shqyrtojë harmonizimin e legjislacionit dhe të strategjisë së bashkërendimit ekonomik dhe ekzekutimit të saj”.

Unioni propozon edhe Këshillin e Kryeministrave. Këta të fundit duhet të takohen të paktën dy herë në vit, për të shqyrtuar problemet më të rëndësishme ekonomike, politike dhe shoqërore në marrëdhëniet midis dy vendeve. /Telegrafi/