Telegrafi

“Unë absolutisht e dua atë djalosh” – legjenda Cantona zbulon pse ai është tifoz i madh i Yamal

Ish-reprezentuesi francez ka mbetur i impresionuar nga stili i lojës së kampionëve të Spanjës në Kampionatin Evropian të përfunduar së fundmi dhe gjithashtu theksoi se i pëlqente të shikonte 17-vjeçarin Lamine Yamal në aksion për “La Roja-n”.

Cantona kishte lëvdata për anësorin e ri, ndërsa ndau edhe disa këshilla të vlefshme për ta ndihmuar Yamal të rritet si futbollist.

Yamal luajti në shtatë ndeshjet për Spanjën në Euro 2024, ku shënoi një herë – golin e rëndësishëm të barazimit kundër Francës në gjysmëfinale – dhe dha katër asistime.

“Unë e admiroj stilin e lojës së Spanjës dhe të kesh një lojtar si Yamal është një kënaqësi e vërtetë sepse nuk e di kurrë se çfarë do të bëjë. Ai i befason të gjithë me aftësitë e tij çdo herë. Ai shkel në fushë me vizioni, ka teknikë dhe vendimmarrja e tij është e nivelit të lartë.

“Këshilla ime është të shijojë lojën, të ketë pasion për futbollin dhe ta dojë vërtet sportin. Topi duhet të jetë miku juaj dhe të kesh atë lidhje të veçantë me të është vërtet magjike. Topi nuk është armiku yt. Fatkeqësisht, shumë lojtarë e shohin atë në këtë mënyrë, por kur shikoni Lamine Yamalin duke luajtur, ju mund të shihni se ai e trajton topin si një mik, ndoshta edhe si një vëlla”, ka deklaruar ai për The Athletic.

Pasi luajti për Spanjën në Kampionatin Evropian, sulmuesi i ri do të marrë një pushim dhe nuk do t’i shoqërojë gjigantët katalanas në udhëtimin e tyre drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku do të zhvillojnë tre ndeshje miqësore. /Telegrafi/