Ulet numri i "takimeve speciale" në burgjet e Shqipërisë mes të burgosurve me bashkëshortet

Një nga të drejtat që gëzojnë të burgosurit janë edhe takimet e zgjatura, apo të ashtuquajtura speciale, me bashkëshortet apo bashkëjetuesit e tyre.
Nga të dhënat e siguruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve rezulton se për gjashtëmujorin e parë të 2025 janë realizuar 677 takime speciale, një trend në rënie krahasuar me dy vitet e shkuara.
Diferenca është rreth 9,5% më pak takime se në 2024 nëse ritmi i gjashtëmujorit të dytë vazhdon po njësoj.
Në trevjeçarin e fundit, më shumë takime speciale janë realizuar gjatë vitit 2023, në total 1.659, ndërsa në vitin 2024 ato ranë në 1.496, duke shënuar një ulje prej rreth 9,8%.
Por, për të gëzuar këtë të drejtë do të duhet të përmbushen kriteret që përcaktohen nga rregullorja e brendshme e burgjeve dhe Kodi i Familjes.
Sipas nenit nr. 70 të Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve, vizitat e zgjatura lejohen për të dënuarit e martuar ose bashkëjetues në përputhje me kriteret e përcaktuara në Kodin e Familjes, pasi bashkëjetesa të jetë verifikuar nga Policia e Shtetit.
Vizitat e zgjatura për të dënuarit e martuar ose bashkëjetues lejohen një herë në muaj, me një kohëzgjatje maksimale prej katër orësh. Këto vizita realizohen në dhoma të posaçme brenda institucionit të vuajtjes së dënimit.
Dispozita synon të mbështesë të drejtën për jetë private dhe familjare të të dënuarve, duke ruajtur njëkohësisht rregullin, kontrollin dhe sigurinë në ambientet penitenciare./RTSH



















































