LAJMI I FUNDIT:

Ukraina dhe agjenda evropiane

Ukraina dhe agjenda evropiane

Rënia e “Perandorisë” moderne ruse, që në historinë politike të shekullit XX-të qe pagëzuar si Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike, para dy dekadave solli në jetën reale të gjeopolitikës Ukrainën si Republikë të pavarur, me kufijtë e saj që ishin përcaktuar gjatë epokës kur kjo “Perandori” ishte në kulmin e lulëzimit të saj.

Për dallim nga ish-republikat tjera të rajonit, në Ukrainë përgjatë këtyre dy dekadave, etnonacionalizmi nuk kishte arritur të shpërfaqë përplasje mes etnive ekzistuese: ukrainasve, tatarëve dhe rusëve. Një lloj koekzistence mes këtyre etnive dhe të tjerave më të vogla, vazhdonte të dukej si e mundshme edhe në gadishullin e Krimesë, ku një pjesë e mirë e popullsisë janë të përkatësisë ruse dhe ku vazhdonin të ishin të dislokuara nëndetëset ruse.


Por, java që lamë pas i dha fund statusquo-së edhe në këtë gadishull. Qeveria e re e Ukrainës ndërkohë ka humbur kontrollin në Krime. Në përleshjet blic mes palëve, forcat radikale proruse, në Simferopol, morën parlamentin rajonal. Në procedurë urgjente, që i ngjante skenarëve të Këshillit Nacional Serb të veriut të Kosovës, forcat proruse, në përmbyllje të puçit, kanë zgjedhur kryeministrin e ri të Krimesë, që nuk njeh qeverinë e Kievit.

Në veprim tashmë janë vënë edhe forcat ushtarake ruse. Aeroporti i Simpferpolit ndodhet në duart e armatës ruse. Nëpër rrugët dhe sheshet e qytetit marshojnë tanket ruse. Qyteti po vazhdon të bëjë jetën e pengut.

Në këtë pjesë të Ukrainës po krijohet me shpejtësi drite, realitet i ri politik. Duket se ky realitet i ri, sa ishte produkt i navetëm të opozitës nacionaliste, me tone të theksuara fashizmi, aq edhe i cinizmit të përkryer rus. Brenda orëve, kur në Kiev, pas largimit të presidentit pro rus Viktor Yanukovych, vrushkujt e nacionalizmit kishin vërshuar dhe kishin përmbytur bashkë me sheshet dhe rrugët e Krimesë, edhe racionalitetin politik, teksa po merrej vendimi për heqjen e gjuhës ruse si gjuhë zyrtare në rajonin e Krimesë, duke i dhënë kështu një lloj “legjitimiteti” ndërhyrjes ruse.

Në krejt këtë garë pozicionimi, humbës të mëdhenj rezultojnë të jenë, para së gjithash, tatarët e deportuar në epokën e Stalinit, që përbëjnë më se 12% të popullsisë. Ndërkaq, diplomacisë i mbetet të shpëtojë aq sa është e mundur të shpëtohet.

Kjo është arsyeja përse vetëm brenda dhjetë javëve të fundit, Sekretari i Jashtëm i SHBA-ve, John Kerry dhe ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, janë takuar katër herë. Takimi i së enjtes ishte edhe një dëshmi shtesë për të dëshmuar se ç’peshë ka fituar Gjermania në relacionet transatlantike. Pas takimit të së enjtes, Kerry deklaroi hapur se “SHBA-të i gëzohen rolit të shtuar të Gjermanisë në zgjidhjen e problemeve me karakter global”, raporton Reuters.

Rrjedha e revolucionit demokratik në Ukrainë ishte jashtëzakonisht e shpejtë. Ngadhënjyes, në përmbyllje të tij, duket se do të jenë shumë palë. BE-ja me një fuqi motorike si Gjermania në ballë, kësaj radhe është dëshmuar se mund të kryejë misione historike. Misioni ndërmjetësues i tre ministrave të jashtëm, atij të Gjermanisë, Francës dhe Polonisë, dhanë frutat e duhura. Vendi u nxor nga gremina e luftës civile, ku dukej se do ta shpinte pashmangshëm qeveria autoritariste e Viktor Yanukovychit.
Por a mund të themi se me këtë agjenda evropiane për Ukrainën u dëshmua e suksesshme?

Gjithsesi jo. BE-ja do të duhej të ishte në një masë të mirë edhe vetëkritike, pse Ukraina u gjet buzë luftës civile. Mosreagimi me kohë i BE-së dhe ai i Fondit Monetar Ndërkombëtar i dha kohë e mundësi kalkulimi diktatorit Yanukovych. Ukraina tashmë ndodhet para kolapsit financiar. Demokracia ka nevojë që të mbështetet fuqishëm dhe populli ta shijojë përmes rritës së mirëqenies. Ky do të ishte një leksion shtesë edhe për BE në hapat e pritshëm për zgjerimin e pritshëm drejt Evropës Juglindore, e natyrisht edhe në raport me agjendën e tij kundruall Ukrainës.
Duket se Ukraina tek tashti do ta vërej se kjo agjendë, që për moto ka paqen dhe lirinë, ka koston e vet.

Rrjedha e ngjarjeve ditën e shtunë ishte pothuajse marramendëse, kambanë alarmi për Bashkësinë Ndërkombëtare. Për pasojë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së reagoi duke thirrur mbledhje të jashtëzakonshme. Britanikët, që janë iniciues të këtij takimi urgjent të KS të OKB, duke e shndërruar gjendjen në Krime, realisht pushtimin e Krimesë nga Rusia, në temë diskutimi.

Duke marrë në konsideratë fuqinë proporcionale në Këshillin e Sigurimit, nuk pritet që të kemi fare vendimi obligativ, meqë vetoja e Rusisë mbetet bllokuese. Ambasadorja amerikane pranë OKB, zonja Samantha Power, i ka bërë thirrje paraprakisht Rusisë që të stopojë marrshin e trupave drejt Krimesë dhe t’i tërheqë mbrapa ushtarët që tashmë ndodhen në Krime.

Me veprimet ushtarake në Gadishullin e Krimesë, Moska hapur ka cenuar sovranitetin dhe integritetin e Ukrainës. Por, pavarësisht këtij fakti të hidhur, diplomacia perëndimore tutje mund të thirret në marrëveshjen e vitit 1994, që ishte arritur mes Rusisë, SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe, e që kishte të bënte me garantimin e sovranitetit të Ukrainës, kur qeveria ukrainase ishte pajtuar që ta dorëzojë armatimin e saj nuklear. Bazuar edhe në këtë marrëveshjeje, Moska do të duhej të detyrohej të respektojë sovranitetin e Ukrainës. Përndryshe agjenda evropiane lidhur me Ukrainën do të mbetej e mangët.

Në këtë rrjedhë ngjarjesh me pasoja largvajtëse në rrafshin e marrëdhënieve ndërkombëtare, shqiptarët si komb, do të duhej të kishin agjendën e tyre të reagimit, por edhe veprimit politik. Ajo do të duhej të bërë jo bazuar në parimet e filozofisë politike që marrin parasysh esencën e revolucioneve me karakter sociopolik. Përkundrazi, kjo strategji veprimi do të duhej bazuar në interesat gjeopolitike. Në këtë kuadër, një ndihmë e vogël, simbolike, nga Tirana e Prishtina, nga Kryqi i Kuq, për familjet e të rënëve gjithandej në Ukrainë, do të ishte shprehje e solidaritetit për popullin dhe marrshin e tij drejt lirisë.