U kapën në flagrancë duke luajtur bixhoz në Isniq të Deçanit, Gjykata cakton masën e arrestit shtëpiak për të dyshuarit

Gjykata Themelore në Pejë ka marrë vendimin lidhur me 13 të pandehurit, të cilët u kapën në flagrancë duke luajtur bixhoz në fshatin Isniq të Deçanit, gjatë një aksioni të Prokurorisë Themelore në Pejë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Pejë, Agnesa Zeqiraj-Çetaj.
“Lidhur me vendimin e marrë dje nga gjykata, për 12 të pandehurit është caktuar masa e arrestit shtëpiak për një muaj, nga data 17.08.2025 deri më 17.09.2025, për dyshimin e bazuar për veprat penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” sipas nenit 294 të KPRK-së, të lidhura me nenin 77 dhe 31. Ndërsa ndaj të pandehurit të 13 është caktuar masa e paraqitjes në stacionin policor për një muaj, nga data 17.08.2025 deri më 17.09.2025, për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas nenit 366 të KPRK-së", deklaroi ajo.
Ndryshe, 13 persona u arrestuan të dielën në Isniq të Deçanit gjatë një aksioni të zhvilluar nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Pejë.
Gjatë këtij aksioni, autoritetet sekuestruan rreth 17 mijë euro, një armë zjarri, shufra metalike, thika, si dhe prova materiale shtesë që lidhen me veprën penale të dyshuar. /Telegrafi/






















































