U gjobit me 450 mijë euro, Karim thyen heshtjen: Kam bërë gabim, më dhemb fakti që veprova kaq pakujdesshëm

Sulmuesi i Borussia Dortmundit, Karim Adeyemi, para pak javësh u gjobit me rreth 450 mijë euro nga autoritetet gjermane, pasi në një pako të porositur nga interneti u gjetën sende që ndalohen nga ligji për armët.
Rasti bëri bujë të madhe në mediat gjermane e ndërkombëtare, duke e vendosur futbollistin në qendër të vëmendjes.
Pas heshtjes disa javore, ai ka vendosur të flasë publikisht për herë të parë.
Në një deklaratë të gjatë të publikuar në Instagram, Adeyemi tregon se gjithçka ka ndodhur për shkak të pakujdesisë së tij, kur kishte porositur një “Mystery Box” pa e ditur se brenda do të kishte sende të ndaluara.
Futbollisti i përfaqësueses gjermane shpreh pendesë të thellë për situatën, duke pranuar se si figurë publike ka përgjegjësi të veçantë dhe se kësaj radhe nuk i ka bërë ballë kësaj pritshmërie.
Ai nënvizon se rasti i ka kushtuar shumë dhe se është një mësim i rëndësishëm për të.
Deklarata e plotë e Karim Adeyemit:
“Me siguri i keni parë lajmet për mua gjatë ditëve të fundit.
E kam të vështirë të flas për këtë: Në fillim të vitit 2024, nga pakujdesia dhe pa menduar vërtet se çfarë po bëja, porosita në internet një të ashtuquajtur ‘Mystery Box’.
Brenda saj kishte edhe sende që nuk lejohen nga ligji për armët.
Shumë muaj më vonë paketa u dërgua dhe, rastësisht, përfundoi e hapur në polici.
Megjithatë, ishte një gabim i madh.
Një gabim që më vjen shumë keq, që më ka kushtuar shumë dhe për të cilin pendohem thellësisht.
E di që jam person publik dhe kam një rol.
Dhe nuk i jam përgjigjur si duhet këtij roli.
Pikërisht për këtë arsye më dhemb akoma më shumë fakti që veprova kaq pakujdesshëm.
Kam mësuar nga kjo dhe ju premtoj se në të ardhmen do të shmang gabime të tilla.
Faleminderit të gjithëve që kanë besim te unë dhe mbështetje pavarësisht kësaj". /Telegrafi/



























































