LAJMI I FUNDIT:

Turqia shënoi rritje ekonomike prej 1.8 për qind në vitin 2020

Turqia shënoi rritje ekonomike prej 1.8 për qind në vitin 2020

Instituti turk i Statistikave (TurkStat) ka njoftuar se ekonomia e Turqisë është rritur për 1.8 për qind në vitin 2020, në vitin që u përshkua nga pasojat ekonomike të pandemisë COVID-19.

Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) i Turqisë me çmimet aktuale ishte rreth 717.1 miliardë dollarë.

Në tremujorin e fundit të vitit 2020, ekonomia turke shënoi një normë të rritjes vjetore prej 5.9 për qind.


Parashikimi i ekonomistëve për tremujorin e fundit të vitit të kaluar ishte mesatarisht 7 për qind, ku parashikimi më i ulët ishte 5 për qind dhe më i larti 8.3 për qind.

Ekonomia turke regjistroi një rritje prej 6.3 për qind në tremujorin e tretë të vitit të kaluar, pas rënies ekonomike prej 10.3 për qind në tremujorin e dytë kur ndikimi i pandemisë filloi të ndihej seriozisht. Në tremujorin e parë, PBB e Turqisë u rrit për 4.5 për qind.

Në vitin 2019, shkalla e rritjes së vendit ishte 0.9 për qind. /AA/