Turqi: Sulmuesi vetëvrasës ishte militant komunist (Foto/Video)


Përndryshe, Sanli u arrestua më 1997, për shkak të sulmeve ndaj policisë dhe administratës ushtarake të Stambollit, tek kompleksi Harbiye. Ai ka marrë pjesë në një seri grevash urie në burgje, në vitin 2000, që kanë përfunduar shpesh edhe me vdekjen e të burgosurve.
Atëherë ai ishte duke vuajtur dënimin në burgun Umraniye. Për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, më 2002 është liruar me kusht. Ai ka vuajtur nga sëmundja Wernicke Korsakoff.
Gjatë sulmit të paradites, thuhet se janë vrarë dy persona dhe se disa të tjerë janë të lënduar. Sipas informacioneve të fundit, është vrarë një roje dhe sulmuesi. Televizioni NTV raporton se në mesin e të plagosurve kishte gjithashtu edhe gra, një nga të cilat u plagos rënd.
Ekziston frika se numri i të vdekurve do të rritet, meqë shumë njerëz, gjatë sulmit, kanë pritur në rend për viza. Shpërthimi ndodhi rreth orës 13:00, sipas kohës lokale, kur ambasada duhej të ishte e hapur.
Sipas raportit të NTV-së, shpërthimi nuk ka shkaktuar ndonjë dëm brenda ndërtesës së ambasadës, por në muret e jashtme.
Policia ka rrethuar gjithë zonën përreth ambasadës.
Përndryshe, ndërtesa e Ambasadës amerikane është e vendosur në "zemër" të Ankarasë, dhe aty pranë janë edhe ambasadat e Gjermanisë dhe të Francës.
Kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se forcat turke të sigurisë janë duke zhvilluar hetime rreth sulmit vetëvrasës. Ai ka thënë se ky është një sulm kundër “paqes në Turqi”.
"Lufta kundër terrorizmit duhet të jetë gjithëpërfshirëse. Ky sulm është një sulm mbi lirinë turke. Do të kundërvihemi të përbashkuar”, ka thënë kryeministri i Turqisë, duke shtuar se sulmi ka shkaktuar pasoja të padëshiruara.
Ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu, i cili është në një vizitë zyrtare në Serbi, sot pati një bisedë telefonike me ambasadorin e SHBA-ve në Ankara, Francis Ricciardone, shkruan agjencia Anadolja.
Sipas burimeve diplomatike, Davutoglu e ka telefonuar për t’ia shprehur shqetësimin dhe ngushëllimet për sulmin ndaj ambasadës amerikane në Ankara. Ministri i Jashtëm turk i ka thënë ambasadorit amerikan se forcat policore turke do të bëjë gjithçka që të hedhin dritë mbi këtë rast. /Telegrafi/






















































