LAJMI I FUNDIT:

Turizmi kosovar promovohet në Paris

Turizmi kosovar promovohet në Paris

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në kuadër të promovimit të turizmit dhe vlerave turistike që ofron vendi ynë, së bashku me operatorë turistikë vendor janë duke marrë pjesë në panairin e turizmit “Destination Nature”, i cili po mbahet në Paris të Francës.

Prezantimi i bukurive natyrore, vlerave kulturore si dhe aktiviteteve të ndryshme si: ecje e hiking kanë zgjuar vëmendjen e shumë vizitorëve të cilët kanë ndaluar te shtandi i Kosovës në panair.

Interesim për vendin tonë gjatë këtij panairi është i konsiderueshëm edhe nga ana e operatorëve turistikë të cilët po shfaqin një interes të veçantë për vendin tonë si destinacion turistik.


Panairi “Destination Nature”, është një prej panaireve më të rëndësishme në fushën e turizmit në veçanti të udhëtimit dhe aktiviteteve në natyrë.

Pjesëmarrja e Kosovës në këtë panair vjen si rezultat i bashkëpunimit dhe mbështetjes së përbashkët nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), me Ambasadën e Francës ne Kosovë, USAID-Empower Project dhe Swisscontact-PPSE.

Në shtandin e Kosovës së bashku me përfaqësuesit e KIESA-s, ofertat turistike po i promovojnë këta tur operatorë: “Altavia”, “ Traveks”, “BNA” dhe “Catun”.

Në kuadër të panairit do të bëhet edhe promovimi i guidës turistike për Kosovën të Petit Fute, në gjuhën frënge.

Panairi i Turizmit “Destination Nature” mbahet në Paris të Francës nga data 17 – 20 mars 2016. /Telegrafi/