Turi i Diasporës, Rama më 29 mars në Kretë, më 13 prill takim në Milano

Kryeministri Edi Rama do të rinisë pas katër ditësh turin e diasporës, me takimin e parë që do ta zhvillojë më 29 mars me emigrantët shqiptarë në Kretë, ndërsa një ditë më pas do të ndalet në Athinë.
Pas Greqisë më 13 prill Rama do të zhvillojë takime me shqiptarët në Milano. Detaje për turin e takimeve në Greqi dhe Itali të shefit të qeverisë i dha drejtuesi politik i Partisë Socialiste, Taulant Balla, në një komunikim me Ramë në rubrikën "Sy më Sy".
Balla tha se ndalesa e parë do të jetë Hania, një qytet me një komunitet shqiptar të konsiderueshëm në perëndim të Kretës, ishullit ku jetojnë rreth 35 mijë-40 mijë shqiptarë.
“Në Hania jetojnë diku 10 mijë deri 14 mijë shqiptarë të cilët janë shumë të integruar. Ajo që kam vënë re edhe nga biseda me përfaqësuesit e qeverisjes vendore të Hanias, më vjen mirë të konstatoj që shqiptarët janë shumë mirë të përfaqësuar edhe në organet e qeverisjes vendore dhe bashkëpunimin me ta”, tha Balla.
Takimi në Hania do të zhvillohet në një pallat sporti dhe do të marrin pjesë një komunitet i madh edhe nga zona përreth deri dhe nga Heraklion.
"Do të takojmë përfaqësues të shoqatave atje pa dallim të majtë apo të djathtë, sepse është një vizitë historike dhe për herë të parë një kryeministër shqiptar shkon t'i takojë. Në datë 29 pasdite, ora 18:00”, sqaroi Balla.
Turi në Greqi do të vazhdojë ditën tjetër në Athinë në takim me bashkatdhetarët që jetojnë në kryeqytetin grek.


































