LAJMI I FUNDIT:

Tunelet “e fshehta” që lidhin Kosovën me Serbinë (Foto)

Tunelet “e fshehta” që lidhin Kosovën me Serbinë (Foto)

Shtylla të vjetra prej hekuri mbajnë hapur tunelet që lidhin Kosovën me Serbinë. Nën miliona tonë shkëmbë, thellë në veri të vendit, pak kush e dinë se mes dy shteteve ekzistojnë korridore ku mund të kalohet lirshëm.

Çdo ditë nëpër to trasojnë qindra veta, me lokomotiva të vogla në gjatësi rreth 3 kilometra, të cilët gërryejnë nëntokën pa u vënë re në sipërfaqe.

Nuk ka polic kufitar e as doganier që kontrollojnë hyrje daljet, ndonëse përmes këtyre tuneleve nxirren sasi të mëdha të metaleve, të çmuara për vendin.


Gazeta Fjala, sjellë të dhëna të cilat deri më tani nuk janë bërë të ditura për një pjesë të madhe të qytetarëve.

Në komunën e Leposaviqit, janë aktive dy miniera, të cilat për shkak të konfiguracionit gjeografik, shtrihen në dy shtete. Infrastruktura e tyre është komplekse, por edhe interesante për varshmërinë që kanë njëra pjesë nga tjetra.

Korridori kryesor i transportit, i cili shërben për futjen e njerëzve, materialeve të ndryshme dhe eksplozivëve për nevojat e minierës, pajisjeve mbështetëse si dhe për nxjerrjen e xehes nga miniera në sipërfaqe si në “Bello Brdo” dhe “Crnac” ku nxirret Plumbi dhe Zinku, gjendet në territorin e Kosovës.

Ndërkaq, dalja e dytë emergjente dhe furnizimi me energji elektrike është i varur nga pjesa tjetër e punishteve në Serbi, shkruan Gazeta Fjala.

Rreth 221 punëtorëve të “Bello Brdos” që çdo ditë futen mbi 3 kilometra në thellësi të shkëmbit takohen brenda nëntokës me miqtë e tyre nga Serbia, të cilët ligjërisht i ndanë kufiri administrativ, por që nuk kanë rrugë tjetër nga t’ia mbajnë.

Ngjashëm edhe 180 punëtorë tjerë të minierës së “Cërnacit” veprojnë korridoreve të thella për të nxjerrë në sipërfaqe plumbin dhe zinkun.

“Edhe këtu ka kufi. Normal nuk duhet kaluar”, tregon me shenjë për Gazetën Fjala vijën ndarëse njëri nga ata që shpesh ka trasuar tunelet. Por ka raste kur ajo vijë është shkelur.

Kufirin se deri ku mund të shkelin dhe gërryejnë njëra palë e përcakton edhe licenca që i është lëshuar minierave nga KPMM-ja.

“Këto ndërmarrje dhe janë të pajisura me Licenca Shfrytëzimi në bazë të: Ligjit Nr.03/163 për Minierat dhe Mineralet, Ligjit Nr.04/L-158 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Miniera dhe Minerale, Ligjit nr. 05/L-062 për Sigurinë në Punë në Veprimtarinë Minerare”, thonë në këtë institucion, i cili është autoritet për lëshimin e licencave dhe mbikëqyrjen e aktiviteteve minerare në Kosovë.

Gjithashtu edhe Flotacioni në Leposaviq ku janë të angazhuar 103 punëtorë, është i pajisur me leje për aktivitete të veçanta nga KPMM, e cila leje shërben për përpunimin e xehes së Pb-Zn dhe nxjerrjën e koncentratit të këtyre metaleve.


Rreziku nga kontrabanda

Korridoret e errëta të krijojnë përshtypjen e një terreni të mirë për kontrabandistët.

Përmes tyre, me ndihmën e punëtorëve duket se mund të kalohet çdo mall në paketime të përshtatshme për transport në hapësira të ngushta.

Por, ata që monitorojnë këtë vend, thonë se nuk ka rrezik nga kontrabandistët.

“Rreziku nga keqpërdorimi i hapësirave minerare (puseve, tuneleve) për qëllime të kontrabandës është shumë i vogël duke marrë parasysh organizimin dhe funksionalizimin e minierës”.

Infrastruktura e minierës dhe konfiguracioni i thyeshëm i terrenit është e vështirë për ta kaluar pa ndihmën e punëtorëve përgjegjës të minierës, thonë në KPMM.

Gjithashtu sipas tyre, në kuadër të minierave funksionojnë edhe sigurimet fizike në çdo hyrje-dalje të saj.

Çfarë fiton buxheti i Kosovës nga këto miniera?

Në bazë të të dhënave të deklaruara në KPMM, gjatë vitit 2015 miniera “Trepça” në Bello Brdo ka realizuar nxjerrjen e xehes së Pb dhe Zn në sasinë prej 19,468 ton që është për mbi 4 mijë euro më shumë se një vit më parë.

Prej tyre janë prodhuar 763 ton koncentrat plumbi në flotacionin e Leposaviqit gjatë vitit 2015 dhe 953 ton koncentrat zinku.

Ndërkaq, në “Crnac” të dhënat tregojnë se nxirret më shumë xehe, por gjaët viti 2015 ka pasur një rënie të vogël.

“Gjatë vitit 2015 miniera “Trepça” në Crnac ka realizuar nxjerrjen (prodhimin ) e xehes së Pb dhe Zn në sasinë prej 51,271.00 ton xehe. Krahasuar me vitin 2014 kur janë prodhuar 51,647.00 t xehe, gjatë vitit 2015 kjo minierë ka pasur rënie të prodhimit të xehes në sasinë prej -376.00 ton”.

Sasitë e koncentrateve të prodhuara nga xehja e minierës Crnac në flotacionin e Leposaviqit gjatë vitit 2015 janë: 1,688 ton plumb dhe 1,037 ton zink.

Me shitjen e koncentrateve të plumbit dhe zinkut si dhe me të gjitha menaxhimet biznesore merret menaxhmenti i Trepça-Veri me seli në Zveqan.

Ndërsa në bazë të Ligjit Nr.03/163 për Minierat dhe Mineralet raporton në KPMM në baza tre mujore dhe vjetore.

E Qeveria e Kosovës në buxhetin e shtetit, nga këto miniera fiton vetëm të hyrat që mblidhen nga tantiema, e cila është 4.5 për qind e vlerës së mineralit të shitur.

Puna në thellësi të tokës

Por, puna në këto miniera nuk është aspak e lehtë.

Terreni i papërshtatshëm dhe korridoret e ngushta nuk lejojnë komoditet për punëtorët.

Megjithatë, sipas zyrtarëve të KPMM-së që i inspektojnë ato rregullisht, kushtet e punës së punëtorëve në minierat Bello Brdo dhe Crnac janë relativisht të mira, sikur në minierat tjera të Kosovës.

Punëtorët që punojnë në miniera, sipas tyre janë të kualifikuar për punët që kryejnë dhe i zbatojnë rregullat e teknikes dhe sigurisë në punë.

Në kuadër të minierave funksionojnë shërbimet e mbrojtjes në punë, shërbimet e shpëtimit dhe të ndihmës së parë. Këto shërbime janë të pajisura me pajisje, aparatura dhe materiale të nevojshme dhe ofrojnë siguri dhe mbështetje për punëtorët e minierave.

“Ndërsa sa i përket minierave gjendja e tyre është e qëndrueshme dhe përcillet në vazhdimësi nga shërbimet e kontrollit të punishteve, minierat kanë ajrosje të mjaftueshme, ujërat largohen nga miniera në mënyrë të kontrolluar”, thonë në KPMM./Gazeta Fjala/TelegrafI/

Në trend Ekonomi

Më shumë
Gazprom ndalon furnizimin me gaz për Austrinë, kancelari austriak: Putini nuk mund të na shantazojë

Gazprom ndalon furnizimin me gaz për Austrinë, kancelari austriak: Putini nuk mund të na shantazojë

Botë
Harroni stresin – Ky vend do të bëhet arratisja juaj e preferuar!

Harroni stresin – Ky vend do të bëhet arratisja juaj e preferuar!

Ekonomi
Teknologjia inovative e dritareve të Deceuninck - Sistemi i profilit të dritareve plastike

Teknologjia inovative e dritareve të Deceuninck - Sistemi i profilit të dritareve plastike "Elegant": Platforma e zgjeruar plotësisht

Ekonomi
Mega Zbritja po vjen në Aztech!

Mega Zbritja po vjen në Aztech!

Ekonomi
Planimetria ideale, jetesa e rehatshme, ky është kompleksi Linda

Planimetria ideale, jetesa e rehatshme, ky është kompleksi Linda

Ekonomi
Nga kosherret, në tryezë, mjaltë që bart shijen e traditës dhe përkushtimit ndër breza!

Nga kosherret, në tryezë, mjaltë që bart shijen e traditës dhe përkushtimit ndër breza!

Ekonomi
Kalo në kategori