Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se nuk do të vendosë tarifa në lidhje me Grenlandën pas një takimi "shumë produktiv" me shefin e NATO-s, Mark Rutte.

Në postimin e tij në platformën e tij Truth Social, Trump thotë se "kemi formuar kornizën e një marrëveshjeje të ardhshme në lidhje me Grenlandën dhe, në fakt, të gjithë Rajonin Arktik".


Presidenti amerikan shton se "zgjidhja" do të jetë e shkëlqyer për SHBA-në dhe të gjitha vendet e NATO-s, përcjell Telegrafi.

"Bazuar në këtë mirëkuptim, unë nuk do të vendos Tarifat që ishin planifikuar të hynin në fuqi më 1 shkurt", thotë ai.

Trump thekson se do të ketë diskutime të mëtejshme në lidhje me Kupolën e Artë.

Trump kishte thënë se do të ngarkojë një tarifë prej 10% "për çdo dhe të gjitha mallrat" e dërguara nga disa vende - përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe aleatët evropianë - në SHBA.

Dhe kjo shifër parashihej të rritej në 25% nga 1 qershori derisa të arrihet një marrëveshje për Grenlandën.

Kur NBC News e pyeti vetëm dy ditë më parë nëse do ta zbatonte kërcënimin për tarifa, ai tha: "Do ta bëj, 100%".

Presidenti amerikan kishte thënë më herët gjatë ditës së mërkurë se nuk do të përdorte forcën për të marrë Grenlandën.

Dhe kjo deklaratë, vlerëson CNN, përcjell Telegrafi, është deklarata e tij më e qartë deri më tani përjashton përdorimin e fuqisë ushtarake për të aneksuar ishullin Arktik. /Telegrafi/