"Do të duhet ta di që do të bëjmë një marrëveshje. Nuk do ta humbas kohën kot", u tha Trump gazetarëve në bordin e Air Force One, ndërsa po shkonte drejt Azisë, disa ditë pasi planet për një samit me Putinin në Budapest dështuan.

"Gjithmonë kam pasur një marrëdhënie të shkëlqyer me Vladimir Putinin, por kjo ka qenë shumë zhgënjyese", tha Trump.


"Mendova se kjo do të ishte bërë para paqes në Lindjen e Mesme."

Komentet e presidentit amerikan vijnë ndërsa negociatori i Kremlinit, Kirill Dmitriev, u takua me zyrtarë të administratës Trump.

Dmitriev u takua të shtunën në Florida me të dërguarin special të Trumpit, Steve Witkoff.

Dmitriev tha se një zgjidhje diplomatike për konfliktin në Ukrainë ishte e arritshme, pasi udhëheqësi ukrainas Volodymyr Zelensky tha se mbështeste propozimin e Trumpit për ta bërë vijën aktuale të frontit bazë për negociatat me Rusinë.

“Unë besoj se Rusia, SHBA-të dhe Ukraina janë në fakt mjaft afër një zgjidhjeje diplomatike”, tha Dmitriev.

"Është një hap i madh nga presidenti Zelensky që tashmë pranon se bëhet fjalë për vija beteje. E dini, qëndrimi i tij i mëparshëm ishte që Rusia duhet të largohet plotësisht, kështu që në fakt, mendoj se jemi mjaft afër një zgjidhjeje diplomatike që mund të arrihet."

Ndryshe, vizita e tij në SHBA erdhi pasi Uashingtoni vendosi sanksione të mërkurën mbi dy kompanitë më të mëdha të naftës ruse.

Zelensky i quajti sanksionet e SHBA-së "një mesazh të fortë dhe shumë të nevojshëm se agresioni nuk do të mbetet pa përgjigje".

Edhe Bashkimi Evropian vendosi sanksione të ashpra ndaj sektorit rus të naftës dhe gazit, paralelisht me masat e SHBA-së. /Telegrafi/