Donald Trump ka deklaruar se javën e ardhshme do të takohet me Vladimir Putinin për të biseduar rreth luftës në Ukrainë, duke thënë se përfundimi i luftës tre vjeçare e gjysmë do të duhej të përfshinte "një shkëmbim të caktuar territoresh".

Trump tha se planifikon të takohet me presidentin rus të premten e ardhshme (15 gusht) në Alaskë. Vendndodhjen e bëri të ditur në një postim të shkurtër në platformën Truth Social.


Agjencia shtetërore ruse e lajmeve, TASS, konfirmoi datën dhe vendin e takimit, duke cituar ndihmësin e Kremlinit, Jurij Ushakov, raporton bbc.

Ushakov deklaroi se në Alaskë dhe Arktik interesat ekonomikë të SHBA-së dhe Rusisë përplasen dhe ekzistojnë mundësi për zbatimin e projekteve të mëdha. Ai gjithashtu shtoi se pret që takimi i ardhshëm të mbahet në territorin e Rusisë.

Më herët gjatë ditës, Trump u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se takimi “do të ishte mbajtur më herët, por supozoj se ka masa sigurie që njerëzit, fatkeqësisht, duhet t’i marrin”.

Presidenti amerikan gjithashtu tha se do të ketë “një shkëmbim të caktuar territoresh në të mirë të të dyja palëve – Ukrainës dhe Rusisë” dhe se kjo çështje do të diskutohet së shpejti, por nuk dha më shumë detaje.

Agjencia Bloomberg raportoi të premten se marrëveshja mund të forcojë disa nga përfitimet territoriale të Putinit në Ukrainë, duke ngrirë në fakt vijat e frontit në rajonet Kherson dhe Zaporizhzhia. Putin ka pretenduar në tërësi katër rajone të Ukrainës, megjithëse pjesa më e madhe e tyre është ende nën kontrollin ukrainas.

Zyrtarë amerikanë dhe rusë kanë punuar në një marrëveshje sipas së cilës Rusia do të ndalte ofensivën e saj në këmbim të lëshimeve territoriale – gjë që ka bërë që propozimi të jetë politikisht i ndjeshëm në Ukrainë.

Trump më parë ka shprehur gatishmëri për t’u takuar me Putinin privatisht, pa parakushte, duke përfshirë edhe negociata të drejtpërdrejta mes Putinit dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyt – gjë që ka nxitur frikën se Ukraina mund të përjashtohet nga diskutimet për një marrëveshje të mundshme paqeje.

Nëse mbahet, ky do të jetë samiti i parë SHBA-Rusi që nga viti 2021, kur ish-presidenti amerikan, Joe Biden u takua me Putinin në Gjenevë.

Zgjedhja e Alaskës është interesante edhe për shkak të aspektit historik, duke marrë parasysh që këtë territor e ka blerë Uashingtoni nga Moska në vitin 1867 për 7.2 milionë dollarë. /Telegrafi/