Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se do të donte ndihmën e Kinës për t'u marrë me Rusinë, ndërsa kërkon t'i japë fund luftës në Ukrainë.

“Do të doja që Kina të na ndihmonte me Rusinë”, tha presidenti amerikan në bordin e Air Force One, ndërsa fluturonte për në Azi për një turne të shpejtë, ku do të takohet me presidentin e Kinës, Xi Jinping, në Korenë e Jugut.


Kina është aleati më i madh i Rusisë dhe një mbështetje jetësore për Moskën që kur u vendosën sanksionet perëndimore për shkak të luftës së saj në Ukrainë.

Bëhet e ditur se përfundimi i luftës Rusi-Ukrainë është bërë një pikë qendrore për Trumpin në muajt e fundit, me një marrëveshje armëpushimi që deri më tani i ka shpëtuar, pavarësisht premtimeve të tij të fushatës për ta zgjidhur situatën shpejt.

Një samit me Putinin në gusht nuk dha ndonjë rezultat të prekshëm dhe Trump është bërë gjithnjë e më i frustruar me Moskën.

"Sa herë që flas me Vladimirin, zhvilloj biseda të mira dhe pastaj ato nuk çojnë askund", tha Trump më parë këtë javë.

Të mërkurën, ai njoftoi sanksione të reja kundër dy kompanive më të mëdha të naftës në Rusi - ndërhyrjet e para të drejtpërdrejta që administrata Trump i ka imponuar Rusisë për shkak të luftës.

Cili është rëndësia e sanksioneve amerikane ndaj naftës ruse?

Ndërsa takimi i Trump me Xi pritet të përqendrohet ende në marrëdhëniet armiqësore tregtare midis SHBA-së dhe Kinës , Trump tha se do të bisedonte me Xi për "gjithçka", përfshirë luftën në Ukrainë.

"Do të doja ta shihja Kinën të na ndihmonte me Rusinë. Kam një marrëdhënie shumë të mirë... me Presidentin Xi. Shumë të mirë", tha ai, duke shtuar se Xi dëshiron ta shohë luftën të përfundojë.

Më herët këtë javë, Trump tha se presidenti kinez "mund të ketë një ndikim të madh te Putini". /Telegrafi/