Site icon Telegrafi

Trump ka nisur të përzgjedh anëtarët e kabinetit qeveritar – këto pozita deri më tani kanë udhëheqësit e tyre

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump po ndërton ekipin e tij, duke emëruar anëtarët e kabinetit dhe këshilltarët kryesorë.

Ai i ka plotësuar këto role me ata që konsiderohen si besnikë të tij të vijës së parë.

Ekipi i Trump do të përfshijë zëvendëspresidentin e zgjedhur JD Vance si dhe kandidatë të rangut të lartë, të cilët kërkojnë konfirmimin e Senatit – dhe gjithashtu këshilltarë të lartë që nuk kërkojnë miratimin e Kongresit, shkruan a2cnn.

Susie Wiles – është e para e emëruar e Donald Trump në postin e Shefes së Kabinetit. Wiles, e cila shërbeu si menaxhere e fushatës së Trump, do të jetë gruaja e parë që do të shërbejë si shefe e stafit të Shtëpisë së Bardhë. Wiles e menaxhoi fushatën e Trump në heshtje, duke bërë shumë pak paraqitje në media apo publike, megjithëse Trump e prezantoi atë me krenari gjatë fjalimit të tij gjatë natës zgjedhore në Palm Beach, Florida.

Stephen Miller – do të jetë zëvendës shef i kabinetit të Trump. Miller është një nga këshilltarët më jetëgjatë dhe më të besuar të Trump. Ai punoi me Trump në fushatën e tij presidenciale të vitit 2016 përpara se të bashkohej me të në Shtëpinë e Bardhë si këshilltar i lartë.

Bill McGinley – është emëruar Këshilltar i Shtëpisë së Bardhë. McGinley është avokat dhe shërbeu si sekretar i kabinetit të Shtëpisë së Bardhë gjatë mandatit të parë të Trump. Gjatë zgjedhjeve të vitit 2024, ai mori një rol të ri si këshilltar i jashtëm për integritetin zgjedhor në Komitetin Kombëtar Republikan.

Pete Hegseth – do të jetë Sekretari i Mbrojtjes së SHBA. Hegseth është punonjësi i pare nga media, konkretisht, FOX Neës, që emërohet për një pozicion në administratën e tij. Është një zgjedhje e papritur që devijon nga shumica e zgjedhjeve të fundit të stafit të Trump për Shtëpinë e tij të Bardhë.

Kristi Noem – do të jetë Sekretarja e Departamentit të Sigurisë Kombëtare. Ky rol ka peshë të rëndësishme për Trump, i cili bëri fushatë të madhe për çështjen e emigracionit, duke u zotuar të kryejë dëbime masive të emigrantëve pa dokumente. Noem, një e krishterë e devotshme që është gruaja e parë e zgjedhur për të shërbyer si guvernator i Dakotës së Jugut, është në mandatin e saj të dytë.

John Ratcliffe – do të mbajë postin e Drejtorit të Agjencisë së Inteligjencës Amerikane. Ratcliffe ka shërbyer më parë si Drejtor i Inteligjencës Kombëtare nga 2020-2021, ku ai mbikëqyri të 17 agjencitë e inteligjencës së vendit. Ai e mori punën pasi shërbeu në Dhomën e Përfaqësuesve, ku përfaqësonte Distriktin e 4 -të të Teksasit.

Marco Rubio – do të jetë Sekretari i Shtetit. Përzgjedhja e sjell zyrtarisht Rubion në krahun e Trump dhe ofron një kapitull të ri në marrëdhëniet në zhvillim mes ish-rivalëve për nominimin presidencial republikan të 2016-ës.

Mike Waltz – do të mbajë postin e Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare. Republikani Mike Ëaltz do të luajë një rol integral në formësimin e politikës së SHBA-së për konfliktet gjeopolitike, duke filluar nga lufta në Ukrainë deri te lufta midis Izraelit dhe Hamasit në Gaza. Waltz, është një aleat prej kohësh i Trump, i cili e ka vendosur veten si një kritik kryesor i Kinës në Kongres.

Tom Homan ose “Cari i kufirit” në mandatin e dytë të Trump, do të shërbejë si “drejtues i politikave për kufirin”, gjë që nuk kërkon konfirmimin e Senatit. Roli do të ketë Homan në krye të kufijve jugorë dhe veriorë të SHBA-së, si dhe “të gjithë Sigurinë Detare dhe të Aviacionit”, tha Trump në një postim në Truth Social.

Mike Huckabee, Ambasador i SHBA në Izrael. Ish-guvernatori i Arkansas, Mike Huckabee është mbështetës i Izraelit dhe një kritik i trajtimit të luftës Izrael-Hamas nga administrata Biden në Gaza. Ai ka folur më parë kundër përpjekjeve për të negociuar një marrëveshje armëpushimi dhe i quajti vendbanimet e paautorizuara në Bregun Perëndimor të pushtuar si “komunitete”.

Lee Zeldin – Administrator i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit. Trump tha se Zeldin “do të sigurojë vendime të drejta dhe të shpejta derregulluese që do të miratohen në një mënyrë për të çliruar fuqinë e bizneseve amerikane”, duke shtuar se Zeldin do të vazhdojë të ruajë “standardet më të lartat mjedisore”

I fundit është miliardieri Elon Musk, i cili është përzgjedhur nga Trump për të udhëhequr atë që ai e quan “Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë”, ose DOGE, një mbyllje syri e dukshme ndaj kriptomonedhës me të njëjtin emër.

Exit mobile version