LAJMI I FUNDIT:

Tri temat e mëdha aktuale për të cilat pozita e opozita kanë qëndrime diametralisht të kundërta

Tri temat e mëdha aktuale për të cilat pozita e opozita kanë qëndrime diametralisht të kundërta

Dialogu me Serbinë, refuzimi i projektit të gazit nga Kosova, dhe (mos) lejimi i tërheqjes së parave të Trustit nga qytetarët janë disa nga temat ku po përplasen ashpër pozita e opozita.

Pa dyshim tema më e madhe dhe më e rëndësishme për të cilën pozita e opozita kanë pozicione krejtësisht të kundërta është procesi i dialogut Kosovë-Serbi.

Derisa bashkësia ndërkombëtare dhe opozita insistojnë që dialogu të konkretizohet sa më parë me një marrëveshje, të njëjtën gjë nuk e mendon Qeveria e Kosovës.


Një deklaratë që gjatë ditës së diel e ka dhënë Valon Murati, kryetar i partisë opozitare Lëvizja për Bashkim ka nxitur reagime të ashpra të deputetëve të shumicës parlamentare.

Murati ka thënë se Kurti s’ka guxim dhe nuk do ta nënshkruajë marrëveshjen me Serbinë.

“Zotëri Kurti ka ardhur në pushtet edhe duke e kritikuar gjithë procesin e dialogut. Dhe për aq sa e lexoj politikën e tij nuk besoj që ai do të nënshkruaj diçka dhe kjo është mungesë e guximit dhe bërja e politikës duke u bazuar në populizëm. Ne kemi nevojë për politikan të guximshëm që dinë çka duan dhe që na nxjerrin nga situata e status-quo në të cilën jemi”, ka deklaruar Murati.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar se kritikat nga qarqe brenda dhe jashtë vendit për stagnim në procesin e dialogut, jo vetëm që po tregojnë mungesën e reflektimit në përvojën e deritashme të pasuksesshme në këtë proces, por edhe po synojnë të krijojnë bindjen e rreme se është Kosova ajo që nuk është konstruktive.

Sipas saj guximi asnjëherë nuk është i barasvlershëm me çmendurinë.

“Prandaj, nuk është guxim ngarendja për të dëmtuar integritetin e sovranitetin e vendit. Madje kjo që po theksohet si guxim është frika më e madhe”, ka shkruar sot Kusari-Lila në Facebook.

E para e deputetëve të LVV-së thotë se as ecja me çdo kusht përkundër dëmit që i bëhet vendit nuk është as progres e as alternativë ndaj stagnimit.

Edhe deputeti tjetër i LVV-së, Adnan Rrustemi ka deklaruar se ata që po kërkojnë guxim në këto momente po presin marrëveshje të dëmshme me Serbinë.

“Ata qartazi po nënkuptojnë dhe po presin marrëveshje të dëmshme për Kosovën, prandaj po kërkojnë guxim. Guxim për koncesione të reja ndaj Serbisë. Po ta mendonin një marrëveshje të favorshme s’kishin me folë për guxim’, ka shkruar ndër të tjera Adnan Rrustemi.

Kusari, opozitës për dialogun: Të mundohesh të dëmtosh Qeverinë duke dëmtuar vendin, nuk është as mençuri dhe as patriotizëm
Lexo po ashtu Kusari, opozitës për dialogun: Të mundohesh të dëmtosh Qeverinë duke dëmtuar vendin, nuk është as mençuri dhe as patriotizëm

Deputetja e PDK-së Ariana Musliu-Shoshi ka thënë se ekzekutivi e ka rikthyer dialogun në nivel teknik dhe se nuk po flitet për marrëveshje finale.

“Ka mungesë transparence që nga dita e parë. Ne po e shohim që është një dialog krejtësisht teknik, nuk kemi një dialog që flitet për marrëveshje finale. Është shumë me rëndësi që të dimë kohën kur dialogu përfundon, cilat janë qëllimet, për çka qëndrojmë ne si shtet”.

Nënkryetarja e LDK-së, Shqipe Mjekiqi, ka treguar pozicionin e partisë opozitare për këtë proces.

“Dialogun e shohim të nevojshëm për të sjell paqe dhe stabilitet në rajon. Dialogu duhet të sjell një marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke në kufijtë aktual dhe duke respektuar kushtetutshmërinë e vendit. Status quo-ja nuk është e mirë për Kosovën, nuk kemi liberalizim të vizave, mungesa e marrëveshjes finale po pengon anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, ka deklaruar Shqipe Mjekiqi në një konferencë të KDI-së.

Edhe kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj në një seancë parlamentare i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës, që në procesin e dialogut me Serbinë, të fokusohet tek marrëveshja përfundimtare që do të çojë në njohje reciproke me Serbinë.

“Qeveria jonë pas gjithë këtyre viteve në dialog sot e quan sukses dialogun e teknikëve, arritjen e një marrëveshjeje për ngjitës në tabela. Qeveria dhe udhëheqësit politik që me vite të tëra kanë kundërshtuar dialogun pa kritere sipas tyre dhe kanë kundërshtuar dialogun teknik të stërzgjatur, tani po e vazhdojnë talljen me Kosovën përmes dialogut të teknikëve dhe përmes riciklimit të temave të zgjedhura dikur”, tha Haradinaj.

Pozita dhe opozita pozicione diametralisht të kundërta kanë edhe për tërheqjen e mjeteve të Trustit pensional.

PDK prej disa kohësh po përkon që qytetarët të lejohen për një tjetër tërheqje të mjeteve nga Trusti në mënyrë që sipas tyre të ndihmohen qytetarët në këtë kohë krize.

Dy partitë opozitare PDK dhe AAK kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që sa më parë ta sjellin në Kuvend, Projektligjin që u mundëson qytetarëve tërheqjen e mjeteve nga Trusti

Shefi i Grupit Parlamentarë të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, tha se deputetët e PDK-së, në mbledhjen e Kryesisë kishin pritur të diskutohet projektligji i propozuar nga PDK për tërheqjen e kursimeve personale të qytetarëve nga Trusti.

“Sot në këtë mbledhje të Kryesisë kemi pritë që të miratohet projektligji i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, për tërheqjen e Trusitit nga kursimet personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Por një çështje e tillë ende qenka në Komisionin për Buxhet dhe Transfere dhe ne kërkojmë nga ky komision që të reagojë sa më shpejtë dhe ta sjellë projektligjin në mënyrë që ne si kryesi ta procedojmë për seancën e radhës. Pra për këtë të enjte nuk do të jetë e mundur ta trajtojmë këtë projektligj”, tha Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

A po i rikthehet Kosova opsionit së gazsjellësit amerikan?
Lexo po ashtu A po i rikthehet Kosova opsionit së gazsjellësit amerikan?

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri  kërkoi që ky Projektligj të vie sa më parë në Kuvend.

Tahiri tha se çështja e Trustit duhet të sillet në Kuvend, sipas tij edhe deputetët e shumicës e kanë kuptuar rëndësinë e tërheqjes së kursimeve personale nga Trusti, në këtë kohë krize ekonomike.

Por, kryeministri Albin Kurti, është deklaruar kundër tërheqjes së kursimeve nga Fondi Pensional (Trusti), duke thënë se “kjo nuk është zgjidhje”.

Sipas Kurtit, mendim të njëjtë kanë edhe ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

“Kemi thënë edhe shumë më herët, kur ishim në opozitë edhe tani, me Pakon e Ringjalljes Ekonomike do ta zbusim krizën. Por, nuk konsiderojmë që duke marrë nga pleqëria individuale e punëtorëve mund ta zgjidhim problemin”, ka thënë kryeministri.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se janë pjekur kushtet për miratimin e Projektligjit për tërheqjen e një pjese të Trustit.

Derisa edhe nga partia tjetër opozitare LDK janë shprehur në mbështetje të iniciativës për tërheqjen e mjeteve të Trustit.

Vlen të përmendet se deri më tani edhe deputetja boshnjake që është pjeë e shumicës parlamentare është shprehur pro iniciativës për tërheqjen e mjeteve nga Trusti.

Një tjetër temë e madhe ku pozita e opozita kanë pasur qëndrime diametralisht të kundërta është projekti i gazit të lëngshëm i mbështetur nga MCC amerikane por që Qeveria e Kosovës për momentin e kishte refuzuar.

Qeveria e Kosovës nuk e kishte shtyrë përpara mundësinë e kyçjes në rrjetin e Gazsjellësit të Trans-Adriatikut (TAP), duke u thirrur në koston e lartë të tij.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kritikuar ashpër kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pasi sipas tij ky i fundit refuzoi rreshtimin e Kosovës me ShBA-në për projektin e gazit.

“Albin ku je ti? Ku është Kosova? Duhet të japësh përgjegjësi dhe llogari se pse ke refuzuar rreshtimin e Kosovës me ShBA”, ka shkruar Haradinaj ditën që projekti i gazit filloi implementimin në Greqi.

Nënkryetarja e PDK-së ka deklaruar se Projekti i gazpërçuesit do t’i sillte Kosovës pavarësi më të madhe energjetike.

“Për më tepër, ky nuk është thjesht një projekt ekonomik dhe energjetik, ky është një projekt gjeopolitik”, kishte deklaruar Çitaku.

Edhe LDK e cilëson refuzimin e gazpërçuesit një hap të gabuar strategjik nga ana e Kosovës.

“Një veprim i pakuptueshëm për interesat shqiptare në rajon…E pakuptimtë, e dëmshme, e papranueshme. Përkushtimi i Kosovës në projekte strategjike amerikane nuk duhet të ketë hezitim. Ecja jonë strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të jetë e përbashkët në politikë, ekonomi, siguri e energjetikë”, ka reaguar LDK.

Megjithatë, gjatë vizitës në SHBA, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua me përfaqësuesit e MCC-së dhe kjo e fundit më 13 maj njoftoi se është arritur një marrëveshje kompakt, në vlerë prej 236.7 milionë dollarësh, e cila ka për qëllim që të forcojë sektorin e energjisë së Kosovës.

Kjo marrëveshje, që duhet të miratohet nga Kuvendi i Kosovës dhe më pas të miratohet nga bordi i MCC-së, sipas ministres së Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli, ka në qendër dy projekte, atë të ndërtimit të kapaciteteve për akumulimin e energjisë dhe zhvillimin e aftësive punëtore për t’u përshtatur me nevojat e tregut si dhe përfaqësimin më të mirë të grave në sektorin e energjisë.

Përmes një komunikate, AAK thotë se programi Kompakt është aprovuar në kohën kur Ramush Haradinaj ishte kryeministër i vendit.

“Më në fund pas pothuaj dy vjet bllokadë, Albin Kurti qenka mbushur mend dhe paska vendosur ta pranojë programin Kompakt të aprovuar në kohën e Qeverisë së Ramush Haradinajt. Mirë do të ishte ta kishte pranuar menjëherë e jo pas presioneve të vazhdueshme që ia kemi bërë”, thuhet në reagimin e AAK-së./Telegrafi/