Nëse stinët e moshës së Lek Pervizit do t’i matnim me nga tridhjetë vjet, ndryshe prej stinëve të motit që kanë nga tre muaj, Lekës tani do t’i binte të ishte në stinën e katërt të moshës së tij. Një burrë i gjatë e i hajthëm, me flokët gjithashtu të gjata dhe me sytë e shikimin e butë ku prarohet paqja e qetësia, një mirësi kjo e dëshiruar për secilin njeri.
Vërehet thjesht se e tillë ajo ka qenë dhe është e përjetshme në gjithë qenien e Lekës dhe aspak si paqja e qetësia që sjell në rrëshqitjen e vet të njëtrajtshme rrokullima i viteve në moshën e cilitdo njeri.
91 vjeç është tani Lek Pervizi. Qysh në fillimet e stinës së tij të tretë jeton në Bruksel. Aty ku i kishte mbyllë sytë i ati, në arrati, më 6 shtator 1977. Po tranzit edhe në Tiranë.
Leka është piktor, poet, studiues. Fëmijërinë e kaloi në Firence e Torino, teksa i ati kryente studimet e larta ushtarake. Në vitet 1938-1943, ndoqi studimet në Instituto Santa Maria, kolegj në Romë. Nxënës ekselent në të gjitha lëndët, thonë rezultatet dhe Leka, vetëm sa u referohet atyre, sepse Leka nuk i takon atij sojit të njerëzve gjoksrrahës, që secilën fjali të fillesës së një rrëfimi e nisin me përemrin pronor-unë. Por, edhe i dalluar për pasionin e tij për poezinë dhe pikturën që nuk e braktisi përgjatë trajektores aq shumë të përthyer të jetës….
Në vitet e para të pasluftës, “çirak” në Tiranë, në librarinë e Llambit, libraria “PepoKote”. Gjurmët që ajo kohë ka lënë në subkoshiencën intelektuale të Lekës duket që janë të forta dhe nuk janë shlyer edhe sot. Përpos librave, prej të gjitha gjuhëve dhe vendeve të ndriçuara të Evropës, brendinë e të cilëve Leka e përpin dhe e gjithë ajo kulturë i është shtresëzuar në rrathët e kujtesës së tij, ashtu shumë e lakmuar gjallon ende sot. Në librari, aty qarkojnë edhe njerëzit më të iluminuar të atyre kohërave të tallazitura të Tiranës. Familjarë të Terenc Toçit, Lef Nosit, Hilmi Lekës, Aqif Përmetit, Tahsim Bishqemit, Koço Kotës, Mihal Zallarit, Tefik Mborjes etj. Të gjithë intelektualë të burgosun ose të pushkatuem nga regjimi i ri komunist.
”Libraria më dha mundësi me njoftë disa intelektualë të tjerë të shquem, të cilët vinin kohë pas kohe me takue Llambin, mikun e tyne”, shënon Leka në faqet e librit të tij jetëshkrim, që del së shpejti nga shtypi. Ndër ta ishte edhe poeti i mirënjohun Lasgush Poradeci… (Ishte kapërcyelli i vitit 1945?) “Hyri dhe, mbasi u përshëndet me Llambin, pyeti për mue. Si mori vesh i kujt isha, më shprehu konsideratë për prindin tim. Më pyeti në konfidencë se ku gjendej, tue e kujtue të ikun jashtë shtetit. Kur mori vesh prej meje se im atë ishte në malet e Kurbinit, ai mbeti i befasuem”.
“E kujtoja jashtë shtetit. Vërtet ishte një burrë trim, si të parët e tij… dhe mbasi e pezulloi pak fjalën, e vijoi fillin e bisedës: Do të dijë të ikë, djal’i mirë” – më tha Lasgushi.
“Ai është një ushtarak me përvojë të madhe dhe guximtar. Ka dhënë prova për këtë”.
“Faleminderit, profesor”, i thashë, “Kam lexue poezitë tueja. Janë shumë të bukura. Jeni një lirik i madh. A mund ta di se çfarë po shkrueni tani?”
“Djalkë, ja ku po ta them: Lasgushi tashmë është i paralizuar, i vdekur. Nuk mund të shkruaj më. Muza e poezisë më ka braktisur. Duket se edhe ajo ka marrë malin, habitatin e saj natyror…”
… I biri i gjeneralit Preng Pervizi, i vogli, Leka, jetën e tij të derikëtushme preferon ta vizatojë si stinë. Me të gjitha ngjyrat që ka secila prej tyre, të theksuarat, të fortat e me ato të ndërmjetmet. Por, që të gjitha interferojnë te njëra-tjetra, ashtu siç interferojnë e shpërfaqen në përjetimet e njeriut e bukura dhe e shëmtuara, e vrazhda dhe e buta, ledhatimi dhe e dhunshmja, vuajtja dhe shpresa…
Dallgët e jetës, furtunë, e përplasin sa andej-këndej; punëtor në ndërtim, i regjistruar në shkollë e i përjashtuar nga shkolla, nxënës në lice i Abdurrahim Buzës, mik i hershëm i të atit e i Janaq Paços e i Sadik Kacelit. Jo shok klase, por në paralele me Kristaq Ramën e Vilson Kilicën, që i çmonin si nxënësit më të mirë… Pranohet në lice nga komisioni prej gjashtë profesorësh, më të shquarit e kohës: Odhise Paskali, Sadik Kaceli, Nexhmedin Zajmi dhe Abdurrahim Buza, Janaq Paço dhe Bukurosh Sejdini. Me vlerësim njëzëshëm si i talentuar. Pranohet mbas prapakthimeve të njëpasnjëshme për shkakun e vetëm se ishte i biri… (i biri i armikut të pushtetit të komunistëve). Dhe, kjo ndodh në një rrethanë të re të krijuar, tamam atëherë kur ëndrra ishte tretur. Siç ndodhnin herë-herë të “papritura” të tilla që na e mbanin frymën gjallë.
“Nuk isha vetëm unë që doja të vazhdoja shkollën. Edhe bashkëmoshatarë të tjerë të refuzuem nga shkollat e tjera, si Balto Bali, Renata Bumçi (mbesë e Imzot Luigj Bumçit), Jone Naraçi (vajza e violinistit Luigj Naraçi) etj., vinin me konkurrue. Balto do të konkurronte për muzikë, kurse dy vajzat dhe unë për artet figurative. Siç kishte ndodhë, falë rrethanave edhe mundësia e largimit të Gorizias, nuses italiane të vëllait, Valentinit, për në Itali… Për të ndodhur, kjo ishte dashtë firma e ministrit të Brendshëm, Koçi Xoxes. E kish realizuar Vrisidha, e shoqja e Llambit, pronarit të librarisë. Kur e kish marrë vesh se bëhej fjalë për nusen e djalit të Gjeneral Pervizit, ai kish rrudhur buzët, po, prej ndërhyrjes së fortë miqësore që kishin pasë familjet e tyre në Korçë, atëherë kur Koçi kishte qenë teneqexhi, kish qenë i detyruar ta firmoste…”
“Pikërisht pas liceut gjendej shtëpia jonë e Tiranës, nga e cila na kishin përzanë, duke strehue aty tri familje partizanësh, tashma me funksione të nalta”, kujton Leka. “Kisha gjithherë emocion kur kaloja aty afër, saqë nuk mund t’i mbaja lotët. Megjithatë, në këtë gjendje unë duhet të shikoja përpara, të shtrëngoja dhambët me shpresë se diçka do të ndodhte për shpëtimin tonë, ndoshta ndonjë mrekulli”.
“Ndërkaq, jeta ime kalonte me ngjarje e ndodhi të ndryshme që më banin ta hidhja pas krahëve, për pak kohë, dramën tonë familjare. Këto më kujtonin se unë isha diku dhe duhet të jetoja në kohën dhe vendin ku më kishte caktue fati im…”
Derisa një ditë nga liceu plandoset në burgun e Tiranës… e më pas kalvari i mundimeve si i Jezu Krishtit për në malin e Golgotës… në kampin e Tepelenës. Me këtë rast kishin internue disa familje, që nuk i kishte kapë vala e parë, si ato të Qazim Mulletit, Mustafa Krujës, Abaz Kupit, Hysen Selmanit, Halit Maçit, Hasan Dostit, Mehdi Frashërit etj. Kjo masë përfshiu edhe familje nga qytete të tjera, veçanërisht nga Shkodra si e Nush Topallit, Zef Palit, Gjosho Vasisë, Karlet Lukës, Gjon Deshtanicës etj
Nga kampi i Tepelenës, Leka sjell edhe një version të një meshe të veçantë, që paska pasë qenë mbajt aty për Krishtlindjet e 1951-it, sipas pohimeve të deritashme. Edhe pse pas gati 70 vjetësh, dëshmia e tij okulare thotë se mesha nuk ka qenë mbajtë siç thuhet për ato Krishtlindje ku na paskej ardhë një veturë sipër kampit, prej ku kishte zbrit një trompist i njohun shkodran, i cili i paska ra trompës me “Stillen Nacht” dhe i gjithë kampi paskej dalë jashtë për të dëgjue. “Jo, jo, mesha është mbajt me 13 prillin e 1952, që përkonte me pashkët e 100 vjetëve më parë (13 prill 1852) dhe me mjete rrethanore e ka mbajt Dom Nikollë Mazrreku, i internuar në kamp. Duke qenë se mungonin sendet e duhuna për atë ceremoni, na vjen në takim Patër Zef Pllumi, akoma i lirë, i cili i bjen Domit, gjithçka duhej për kremtimin e meshës”, ngulmon Leka në variantin e tij krejt të bindshëm dhe në sinkron me realitetin, me kohën dhe vendin e ngjarjes së përshkruar e përfolur.
Atëherë kur kampi i shfarosjes në Tepelenë (1948-1954) e kishte kaluar edhe kufirin e durimit të ndërkombëtarëve indiferentë, të internuarit u spostuan në një tjetër kamp disi më të butë, në Gradishtë të Lushnjës, në Myzeqe.
Familja e tij, por edhe fisi, pësoi përndjekje të pashembullt prej regjimit komunist. Kullat e Pervizëve u dogjën në Laç e në Skuraj. Pasuritë u grabitën dhe pronat u konfiskuan, ndër to edhe shtëpia në Tiranë. Janë 23 pjesëtarë të fisit që u burgosën, internuan ose u pushkatuan. E ama, nana Mrikë, bëri pesë vjet internim e vdiq në kampin famëkeq të Tepelenës më 1950, në moshën 90 vjeçe. E shoqja, Prenda, u internua që më 1945 për 32 vjet dhe vdiq në Pluk të Lushnjës, më 1977. Djali i dytë, Genci, vdes në kampin e Gradishtës më prill 1989, pas 10 vjet burg e 33 vjet internim.
Por, nga kampi i shfarosjes ka për Lekën diçka si sfinksi që ngrihet prej hirit…
“Poshtë nesh rrinin gra malësore nga Vermoshi me fëmijë të vegjël. Ndër to ishte edhe një grue malazeze me një foshnjë që e thërrisnin Beba. Kur ndodhi vdekja masive e fëmijëve në Turan, për fat, ajo kishte shpëtue. Nga paniku që ishte krijue nga kjo ngjarje, t’amën e saj e pyesnin vazhdimisht: Si asht bebja? A shpëtoi bebja? Ose: Ja bebja që s’vdiq!. Kështu foshnjës i mbeti emri Beba, ndërsa emri i saj i vërtetë ishte Xhuliana. E, ama, me origjinë malazeze, quhej Zorka dhe ishte e martueme me Nikoll Prek Malajn nga Vermoshi, një i arratisun politik në Jugosllavi… Dhe kjo, Beba, bebja që nuk vdiq atje në kampin e vdekjes, Xhuliana, me nënë kroate dhe babain malësor të Vermoshit, rreth njëzet vjet më vonë, në një tjetër vend internim në Lushnjë do të bëhej bashkëshortja e Lekës. Bash ato ditë kur asaj dhe së ëmës me vëllezërit i ishte miratuar riatdhesimi në vendin e tyre, mundësia e saj e artë për t’i shpëtuar përgjithmonë kalvarit të mundimeve në Shqipërinë-ferr bashkë me Lekën. Kjo ka ngjarë plot 55 vjet më parë. Kurse noces d’or (martesa e artë) me solemnitet zyrtar me medaljen dhe letrën përshëndetëse të Mbretit e Mbretëreshës së Belgjikës e festuan në dhjetorin e 2015-ës në sallën mondane të komunës ku banojnë, Saint Gilles”.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëASHIK QERIBI
Sekreti drejt zemrës së një gruaje!
Pse njerëzit kanë nevojë për tregime?
Guri i Rozetës: Deshifruesit e vërtetë të kodeve të lashtësisë
Viti 1922: Në Shkodër lindi Marie Shllaku
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje