Zbuloni trendin viral të shamponimit nga sallonet e Nju Jorkut që ka pushtuar TikTok-un

Shumë trende në botën e kujdesit të flokëve lindin pikërisht në sallonet profesionale. Njësoj ka ndodhur edhe me “sandwich shamponimin”, ritualin e krijuar nga stilistët e famshëm të Nju Jorkut. Ky trend është bërë së fundmi viral në TikTok, i lavdëruar nga profesionistët e industrisë dhe komuniteti i platformës. Në gjuhën e TikTok-ut, “sandviç” shamponimi është shumë më tepër se thjesht larje e flokëve. Ai premton ekuilibrin ideal midis pastrimit të thellë dhe ushqimit të fijes së flokut.


Çfarë është saktësisht “sandviç shamponimi”?

Ky term nënkupton aplikim me shtresa. Ideja është që një trajtim i përzgjedhur (balsam, maskë ose kondicioner) të vendoset para dhe pas shamponimit. Kjo aplikim i dyfishtë krijon diçka si një “sandviç” për flokët: shtresa e parë mbështjell fijet, i zbut ato dhe i përgatit që shamponimi të jetë më efektiv; ndërsa shtresa e dytë ushqyese rikthen hidratimin dhe butësinë.

Pse është kaq popullore kjo metodë?

Kjo teknikë, e lindur në sallonet e Manhattanit, është konceptuar për të ruajtur shëndetin e flokëve, për të reduktuar këputjen, për të ruajtur gjallërinë e ngjyrës dhe për të parandaluar tharjen. Me pak fjalë, ajo pastron lëkurën e kokës ndërsa mbron dhe ushqen majat, pjesën më të ndjeshme të flokëve, transmeton Telegrafi.

Cilit tip floku i përshtatet kjo teknikë?

Teknika “sandviç” është veçanërisht e dobishme për flokët e kombinuar: kur rrënja ka tendencë të yndyroset shpejt, por gjatësia mbetet e thatë. Edhe flokët e lyer përfitojnë shumë, sepse trajtimi para shamponimit ndihmon në ruajtjen e pigmentit. Të njëjtin përfitim e kanë edhe flokët me onde ose kaçurrela, të cilëve u ruan hidratimin dhe përmirëson definimin e gërshetave.

E vetmja kujdes: për flokë shumë të hollë, aplikimi i dyfishtë i balsamit mund t’i rëndojë fijet, ndaj rekomandohet një formulë e lehtë, pa silikon. /Telegrafi/