Tregtia botërore në kohën e koronavirusit

Që me themelimin e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT), normat dhe rregullat globale të shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike negociohen dhe vendosen nga kjo organizatë. Në kuadër të negociatave që delegacionet e vendeve anëtare zhvillojnë në OBT, vitet e fundit është ngritur me forcë nevoja për reformim të thellë të organeve të saj, duke filluar me arbitrazhin e cila është struktura vendimmarrëse mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes shteteve anëtare. Megjithë diskutimet e zgjatuara, delegacionet nuk kanë arritur ende në rezultate konkrete. Nga ana tjetër, situata e krijuar në botë nga shpërthimi i pandemisë së Covidit-19, ka vështirësuar edhe më tej procesin e nisur, duke nxjerrë problematika dhe sfida të reja. Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i OBT-së, Alan Wolff, në një diskutim virtual në Chatham House, me tematikë “Reformimi i tregtisë globale”, ka deklaruar nevojën e rritjes së besimit të të gjithë partnerëve ndaj OBT-së. Me këtë rast, është theksuar suksesi lidhur me paketën e kësaj organizate si një përgjigje e shpejtë ndaj krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia, si dhe arritja e marrëveshjes mes shteteve palë për subvencionet e peshkimit dhe tregtisë elektronike.
Ndërkaq, diskutimet për tregtinë botërore në kohën e pandemisë janë fokusuar në disa çështje themelore si deglobalizimi dhe dualizmi mes ShBA-së dhe Kinës si dy fuqi botërore në tregtinë globale, nevoja për rritjen e besimit dhe rolit të OBT-së në situatat që bota po kalon, dhe reformi i OBT-së si një përgjigje ndaj sfidave globale.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, ka përcaktuar katër sfida me të cilat njerëzimi përballet aktualisht: “Rritja e tensioneve gjeopolitike; Kriza mbi ndryshimet e klimës; Kriza e mosbesimit; dhe, Risku teknologjik”, ku OBT gjithashtu ka marr përsipër të jap kontributin e saj në zgjidhjen e tyre, për fushën që mbulon. Të tilla janë negociatat mbi kontributin e shkëmbimeve tregtare në zbutjen e tensioneve gjeopolitike, agrikultura që të mund të përshtatet ndaj ndryshimeve të klimës, procesi i përcaktimit të rregullave dhe normave tregtare në mënyrë që sistemi i tregtisë globale t’i përgjigjet më mirë ekonomisë digjitale.
Në aspektin gjeopolitik është konkluduar se dallimet midis dy fuqive të mëdha tregtare (SHBA dhe Kinës) nuk përbëjnë aktualisht problem kryesor në funksionimin e OBT-së, edhe pse ato padyshim që do të bëhen një tipar më i spikatur në ambientin tregtar global dhe do të ndikojnë në OBT, në mënyrë që organizata të ecë më përpara. Me optimizëm është parë edhe thirrja e G-20-shit të ministrave të Tregtisë për reformim të sistemit global të tregtisë dhe të vetë OBT-së, e cila mbështet në tri shtylla - negocimi, zgjidhja e mosmarrëveshjeve dhe menaxhimi i sistemit tregtar shumëpalësh të bazuar në rregullat organizatës.
Për sa i përket përparësive, shumë analistë konkludojnë se përballja globale me krizën shëndetësore dhe ekonomike kanë bërë që sfidat e politikës tregtare të janë të dyfishta: nga njëra anë të arrijë frenimin e veprimeve kundër-produktive të ndërmarra nga shtetet anëtare që përballen me mungesat e artikujve thelbësore mjekësore dhe, nga ana tjetër, ndihma që duhet akorduar vendeve për të nisur rimëkëmbjen e ekonomisë.
Në një këndvështrim historik të krizave, si p.sh. depresioni i madh më 1934 kur u negociua marrëveshja për uljen e tarifave; më 1948, në një botë që kërkoi rindërtimin pas shkatërrimit të Luftës së Dytë, u ngrit sistemi tregtar shumëpalësh u themelua me një kornizë rregullash; më 1971, me krizën e kurseve të këmbimit valutor e cila që u përmbyll me marrëveshjet e para tregtare jotarifore në sistemin global të tregtisë (GATT); më 1985 kemi veprime të njëanshme tregtare dhe kërcënime të masave shtesë kufizuese tregtare, e cila solli pas 10 vitesh (1995) në një marrëveshje shumëpalëshe për shërbimet, pronësia intelektuale, investimet dhe bujqësia - themelimin e OBT; më 2001 kemi sfidën e terrorizmit ndërkombëtar që solli nëntë raunde negociatash shumëpalëshe deri më 2008 (pavarësisht se nuk u arrit ndonjë marrëveshje); më 2008-2009, sistemi tregtar botëror njohu një krizë financiare globale, përgjatë se cilës palët negociuan duke mbajtur linjën kundër kufizimeve të përhapura të tregtisë. Prandaj, ekspertët ndërkombëtarë konkludojnë se “me përjashtim të dy dekadave të fundit, çdo krizë e madhe ekonomike globale është përmbushur, duke rritur mobilizimin e të gjitha palëve, që kanë manifestuar një energjie gjithëpërfshirëse, për të përmirësuar sistemin e tregtisë dhe për të sjellë liberalizimin e mëtejshëm të saj”.
Aktualisht, bota është përsëri në krizë, këtë herë nga një pandemi me pasoja katastrofike jo vetëm ekonomike. Covidi-19 ka bërë që PBB-ja globale të pësojë një rënie të madhe, të paparë që nga kriza e vitit 1930. Madje, parashikohet një rënie prej 4.4 për qind të PBB-së, dy herë më të thellë se rënia ekonomike e prodhuar nga kriza financiare 2008-2009. Përballë kësaj rënieje serioze, Bordi i FMN-së ka bërë thirrje për forcimin e bashkëpunimit shumëpalësh si e vetmja rrugë për tu përballur me këtë krizë të paprecedentë. Drejtoresha e Menaxhimit në FMN, Kristalina Georgieva, deklaroi se “PBB-ja globale do të bjerë dukshëm … e cila do të mund të rikuperohet nëse shtetet tona, komuniteti ndërkombëtar miratojnë politika bashkëpunuese fiskale, monetare dhe tregtare globale..”
Bashkëpunimi ekonomik shumëpalësh mbetet drejtimi i vetëm që do të ndihmojë në ringritjen ekonomike botërore, por që vetë ai (bashkëpunimi shumëpalësh) përballet me sfida të mëdha. Edhe para pandemisë, sistemi i tregtisë botërore është karakterizuar nga vështirësi për ecjen përpara të agjendës negociuese shumëpalëshe, sidomos për rikrijimin e një strukture të vetme të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve dhe tensioneve tregtare midis partnerëve kryesorë tregtarë. Sidoqoftë, sistemi tregtar shumëpalësh vazhdon të luajë një rol thelbësor në ekonominë globale.
Normat dhe rregullat e miratuar vijojnë të rregullojnë shumicën dërrmuese të tregtisë botërore. Konstatohet se vetë tregtia është rritur në mënyrë më të shpejtë përgjatë kësaj periudhe krize, duke ndihmuar në lehtësimin e mungesave të pajisjeve mbrojtëse personale dhe mallrave të tjerë të nevojshëm për të luftuar pandeminë e Covid-19. Por, është fakt se shumica e normave, standardeve dhe rregullave të OBT-së datojnë që para 25 vjetëve. Ato kanë nevojë për rinegociime, përshtatje të mëdha për ti sjellë në përputhje me realitetet dhe nevojat e reja.
Në diskutimet e shumta në kuadër të konferencës virtuale në Chatham House, sugjerimet pothuaj të gjitha janë përqëndruar të nevoja për aksion të përbashkët. Besimi në aftësinë e OBT-së për të negociuar rregullat, zgjidhur mosmarrëveshjet dhe administruar marrëveshjet tregtare do të duhet të rikthehet bazuar në sukseset në kapërcimin e krizave të mëparshme. Kështu, është nënvizuar se zbatimi aktual i përdorimit të konsensusit (ku secili anëtar ka të drejtën e veto-s mbi çdo çështje sado e vogël) nuk mund të lejohet të jetë një pengesë për funksionimin e OBT, në fushën e negocimit të një seri marrëveshjesh. Është sugjeruar që negociatat mes palëve të marrin formën e një pakete përgjigjesh të dakorduara ndaj krizave aktuale shëndetësore dhe ekonomike të sjella nga pandemia. Kësaj pakete mund t’i shtohen edhe marrëveshjet e negociuara dhe ato në vazhdim, duke përfshirë subvencionet e peshkimit dhe tregtinë elektronike.
Ndërsa, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, diskutantët kanë vënë theksin në faktin se, deri tani, vendet anëtare janë të privuar nga çdo mbikëqyrje përgjatë procesit të sistemit të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve. Prandaj, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, në fund do të nevojitet marrëveshja për një mekanizëm të vetëm, i cili do të lejonte palët të pajtoheshin me gjithë çështjet gjyqësore dhe që çdo fazë e apelit duhet të jetë përgjegjëse para anëtarëve të OBT në tërësi. Ndërkohë, është kërkuar që hapi tjetër të lidhet me mbledhjen ose iniciativat e përbashkëta, për të filluar një “diskutim serioz mbi reformat specifike në OBT në diskutime të strukturuara me synimin për të arritur ose përmirësime të vazhdueshme në funksionimin e organizatës, ose, nëse është e nevojshme të jetë, një paketë marrëveshjesh”.
Që nga muaji mars 2020, kur pandemia përfshiu edhe vendin tonë, pasojat e krizës janë bërë të dukshme në të gjithë treguesit ekonomikë, tregtare e financiare. Megjithë një lehtësim të pjesshëm të masave shtrënguese në fund të pranverës dhe gjatë stinës së verës, ekonomia shqiptare është tkurrur nga dita në ditë. Të dhënat zyrtare tregojnë për falimentim biznesesh, shtim të papunësisë, rënie të fuqisë blerëse, rënie të prodhimit vendas dhe të shkëmbimeve tregtare. Nga ekspertët e ekonomisë sonë është deklaruar se “ekonomia do të ketë këtë vit një Prodhim të Brendshëm Bruto, me rreth 1-1,2 miliardë euro më pak se vitin e kaluar”. Nga ana tjetër, ata theksojnë se pritet një rritje e borxhit publik, ulje drastike të ndjeshme të investimeve dhe rritje të kostos të bizneseve. Gjithashtu, zinxhirit të vështirësive i shtohen edhe problematikat lidhur me mosplotësimin e kontratave dhe detyrimeve financiare nga bizneset, vështirësitë për kontraktime të reja sidomos me partnerët e jashtëm, etj.
Ashtu si pothuaj të gjitha ekonomitë e vendeve të tjera të botës që vuajnë pasojat e kësaj krizë, kapërcimi i saj mbetet një sfidë globale. Por, nga ana tjetër, ajo lidhet edhe me faktin se sa efikase janë masat që qeveritë kombëtare marrin në këtë drejtim. Në këtë kuadër sugjerohet që krahas burimeve të brendshme, qeveria jonë duhet më mirë të angazhojë përfaqësuesit e saj pranë organizatave ndërkombëtare veçanërisht ato pranë agjencive të specializuara të OKB-së, për të ndjekur kontribuar si dhe marrë ndihmat e nevojshme që akordohen në këto raste. Sipas praktikës, askush nuk mund të akordojë ndihmë duke mbajtur pozicion pritës, por duke qënë aktive pranë tyre si p.sh. pranë OBSh-së (Organizata Botërore e Shëndetësisë), apo OBT-së etj.




















































