Numri i punëtorëve të huaj në Maqedoninë e Veriut është trefishuar në pesë vitet e fundit, duke reflektuar ndryshime të thella në tregun e punës dhe në strukturën e fuqisë punëtore. Nga rreth 1.700 punëtorë të huaj në vitin 2021, ky numër është rritur në mbi 6.000 në vitin 2025. Trendi i rritjes së punëtorëve të huaj është i dukshëm edhe në jetën e përditshme, veçanërisht në Shkup, ku ata gjithnjë e më shpesh shihen të angazhuar në hotele, restorante si banakierë dhe pastrues, por edhe në kantieret e ndërtimit. Kjo prani e shtuar pasqyron mungesën e fuqisë punëtore vendore në disa sektorë kyç të ekonomisë.
Sipas dispozitave ligjore në Maqedoninë e Veriut, kuota për punësimin e shtetasve të huaj nuk duhet të tejkalojë 5 për qind të popullsisë në moshë pune. Megjithatë, të dhënat e fundit tregojnë se Qeveria ka vendosur ta rrisë ndjeshëm kuotën për lejet e punës për vitin 2025, duke e çuar atë në 10.000 angazhime.
Sipas vendimit që hyn në fuqi më 16 janar, 9750 leje janë të destinuara për punësim të rregullt të shtetasve të huaj, 200 leje për të huaj me përvojë specifike dhe 50 leje për angazhime sezonale. Nga totali, 4500 leje janë për punëtorë të rinj, ndërsa 5250 janë për vazhdimin e lejeve të punëtorëve të huaj që tashmë janë të punësuar në vend. Ministria e Ekonomisë dhe Punës do të monitorojë shfrytëzimin e kuotës dhe ndikimin në tregun e punës. Gjatë vitit të kaluar, Agjencia e Punësimit ka lëshuar gjithsej 8.509 opinione pozitive për leje pune, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme ka miratuar 6.128 leje qëndrimi për punëtorë të huaj. Bizneset kanë kërkuar prej vitesh rritje të kuotave, duke theksuar mungesën kronike të fuqisë punëtore në sektorë të caktuar.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Punësimit, interesimi më i madh për punësimin e të huajve nga viti 2020 e këtej është evidentuar në ndërtimtari, industrinë përpunuese, akomodimin dhe shërbimin ushqimor, si dhe në tregtinë me shumicë dhe pakicë.
Me vite, në krye të listës së punëtorëve të huaj kanë qenë shtetasit nga Turqia. Vetëm vitin e kaluar rreth 2.800 prej tyre ishin të angazhuar në Maqedoni, kryesisht si pasojë e investimeve të mëdha turke. Pas tyre renditen punëtorët nga Bangladeshi (rreth 1600), si dhe nga Nepali dhe India (rreth 1100). Në vendin e pestë janë shtetasit e Kosovës, me 406 leje qëndrimi. Të dhënat historike tregojnë se numri i shtetasve të huaj me leje të rregullt pune në Maqedoni është rritur nga 918 në vitin 2007 në mbi 3.000 në vitin 2016. Në periudhat e mëhershme, kur kuotat ishin më të ulëta, këto vende pune kryesisht zinin punëtorë nga rajoni, si Kosova, Shqipëria dhe Serbia. Në pesë vitet e fundit, këto trende kanë ndryshuar ndjeshëm.
Vetëm në periudhën 01.01.2024 – 31.12.2024 janë paraqitur gjithsej 9.079 kërkesa, nga të cilat 844 kërkesa për dhënie leje pune dhe 8.233 kërkesa nga MPB për dhënie mendimi lidhur me shfrytëzimin e kuotës dhe nevojat e tregut të punës. Si rezultat, janë miratuar 815 vendime për leje pune, ndërsa një numër i vogël kërkesash janë refuzuar, tërhequr ose kanë mbetur të pazgjidhura. Profesionet ku janë angazhuar më së shumti punëtorë të huaj përfshijnë: menaxherë, punëtorë ndërtimi, zdrukthëtarë, elektricistë, operatorë makinerish, por edhe sportistë profesionistë, kryesisht futbollistë. Ata janë punësuar kryesisht në Shkup, Manastir, Tetovë, Kumanovë, Ohër, Prilep, Strumicë, Veles dhe Gjevgjeli.
Para vitit 2020, rritja e numrit të të huajve ishte e lidhur kryesisht me privatizimin e bankave, hyrjen e kapitalit të huaj në sektorët e telekomunikacionit, ushqimit, birrës, tekstilit, energjetikës, duhanit, metalurgjisë, dhënien me koncesion të aeroporteve, si dhe hapjen e institucioneve arsimore private, ku u angazhua edhe personel mësimor nga jashtë. Në vitet e fundit, hapja e bizneseve në teknologjinë informatike, ndërtimtari, hoteleri, si dhe angazhimi i mjekëve specialistë të huaj në spitalet private, e ka rritur edhe më tej numrin e profesionistëve të huaj që punojnë në Maqedoni.