Site icon Telegrafi

Tre miliardë dollarë, në dhoma të mbyllura të Teheranit: Koleksioni i fshehur i artit!

Një libër i ri zbulon koleksionin e blerë nga gruaja e Shahut të Iranit në vitet 1970. Alastair Sooke ka biseduar me Farah Pahlavin, që njihej si Jackie Kennedy e Lindjes së Mesme, për të folur për koleksionin e shtrenjtë të mbyllur në një muze të Teheranit, transmeton Telegrafi.

“Herën e parë e takova Andi Warholin në Uashington, në Shtëpinë e Bardhë”, thotë Farah Pahlavi, e veja e mërguar e Shahut të fundit të Iranit, i cili u rrëzua gjatë Revolucionit Islamik të vitit 1979. 80-vjeçarja “Shabanu”, siç njihet ende nga mbështetësit, është ulur në një librari në Piccadilly të Londrës, ku kujton darkën që në Shtëpinë e Bardhë më 1975 e shtroi presidenti Gerald Ford. Para saj është një kopje e librit “Irani Modern: Perandoresha e artit”, një botim i ri që tregon historinë e jashtëzakonshme të koleksionit të artit modern perëndimor që qeveria perandorake e Iranit e bleu gjatë viteve 1970, nën mbikëqyrjen e saj.

Farah Pahlavi dhe Andy Warhol, para portretit të saj (Nju Jork, 13 korrik 1977)

E prek kopertinën që ka një riprodhim të portretit të saj të punuar nga Warholi, në vitin 1976, një vit pas takimit të tyre të parë në SHBA kur, sipas Pahlavit, “Warholi vraponte nga një dhomë në tjetrën, sepse, me sa duket, kishte frikë se doja t’i kërkoja një vallëzim”, thotë dhe qesh. “Ishte i turpshëm”.

Në verën e vitit 1976, Warholi shkon me menaxherin e tij Fred Hughes, në atë që atëherë quhej shtëpia e perandorit – Pallati Niavaran në Teheran – për të bërë një Polaroid të saj (foto e shpejtë). Pak vite më vonë, Warhol u ftua të bënte një tjetër portret të burrit të perandoreshës, por këtë herë ishte i detyruar të punonte nga një fotografi zyrtare. Pas kësaj, dinastia Pahlavi u rrëzua dhe Shahu me gruan dhe familjen e tij iku në Egjipt – ku vdiq në vitin 1980. Ish-perandoresha – që jeton në mes të Merilendit në SHBA dhe një apartamenti elegant me pamje nga Sena në Paris – la prapa portretet e Warholit, tok me pjesën tjetër të 300 veprave të artit modern perëndimor dhe iranian që kishte grumbulluar gjatë viteve 1970.

Një iraniane shikon veprën “E verdha, portokallta dhe e zeza në të kaftën e zezë” nga Mark Rothko, gjatë ekspozitës së artit modern në TMoCA më 2015

Sot, ai koleksion i fshehur – që është pothuajse i paprekur në dhomat e mbyllura të Muzeut të Artit Kontemporan në Teheran (TMoCA) – të cilin Pahlavi e inauguroi për ditëlindjen e saj më 1977, me pjesëmarrjen e Nelson Rockefellerit – përmban kryeveprat e emrave, si: Pierre-Auguste Renoir, Paul Gauguin, Jackson Pollock, Francis Bacon, Alberto Giacometti, Rene Magritte, Pablo Picasso, Mark Rothko… Sipas disa vlerësimeve, vlera arrin në tre miliardë dollarë.

A nuk u tundua ta merrte ndonjë vepër me të, kur iku nga vendi?

“Ajo që bleva ishte për Iranin”, thotë ajo, “e jo për mua personalisht për t’i marrë me vete”.

Pamje nga dasma me Shahun e Iranit – Mohammad Reza Pahlavi (dhjetor 1959)

Sipas saj, historia e koleksionit të artit në Iran – më e rëndësishmja dhe sigurisht më e vlefshmja jashtë Evropës dhe Amerikës së Veriut – nisi nga interesimi i saj i pasionuar për artin dhe kulturën. E lindur si Farah Diba në vitin 1938, në një familje të klasës së lartë në Teheran, u martua me Shahun – të cilin e kishte takuar në një pritje në Ambasadën iraniane në Paris – më 1959, e veshur me një fustan të Yves Saint Laurentit. Ajo ishte 21 vjeçe dhe u bë gruaja e tij e tretë. Thotë se e dinte që vinte nga “shteti me civilizim dhe kulturë antike”. Kiri i madh themeloi dinastinë e parë të Perandorisë Persiane më 550 p.e.s. dhe më 1967 ajo themeloi Festivalin prestigjioz të Arteve në Shiraz.

Ajo shpesh blinte piktura për të mbështetur artistë të rinj iranianë sepse – siç kujton – “në ato ditë njerëzit e pasur blinin objekte të lashta iraniane dhe jo art modern”. “Unë u thosha qeveritarëve që të blejnë piktura në vend të orendive të shëmtuara”.

Vepra e arkitektit Kamran Diba – TMoCA

Fara për mbledhjen e artit perëndimor modern u mboll në fund të viteve 1960, kur perandoresha merr pjesë në një ekspozitë dhe flet me artisten iraniane të quajtur Iran Darroudi. “Ajo më tha: ‘Uroj të kemi një vend ku mund të shfaqim punën tonë’. I thash: ‘Është ide e mrekullueshme: duhet të kemi një muze’”. Pahlavi porositi kushëririn e saj, arkitektin Kamran Diba, për të projektuar TMoCA- në. Pas muzeut ajo e dinte se duhet të ketë edhe një koleksion. Në vitet 1970 Irani ishte shumë i pasur dhe nga nafta siguroheshin të ardhura të mira. Për fillim vendosi të blinte artefakte të vjetra iraniane që gjatë shekujve ishin shpërndarë nëpër botë. Por, shpejtë kuptoi se kjo ndërmarrje është shumë e shtrenjtë, përderisa arti modern perëndimor, që e adhuronte, ishte më i lehtë për t’u siguruar. Kështu, mblodhi një numër këshilltarësh për të ndërtuar koleksionin që niste me impresionistët.

Vizitoret pranë veprës “Melodia fanit fantazimin tim” të pop-artistit Roy Lichtenstein, në një ekspozitë të vitit 1999 në TMoCA

Përfaqësuesit e saj filluan bisedat me galeritë e botës dhe të udhëtojnë në Nju Jork për të marrë këshilla nga MET-i (Muzeu Metropolitan i Artit). Pastaj, për ndihmë kontaktoi edhe Fondacionin Maeght në Francë. Dhe, për një kohë të shkurtë ekipi krijon koleksionin që do ta lakmonte çdo institucion në botë. Shahu nuk e kishte pasionin e saj për artin, e sidomos për artin e huaj, por e mbështeti projektin duke autorizuar Kompaninë Nacionale Iraniane të Naftës për të financuar blerjet (më 1973 Irani ishte eksportuesi i dytë më i madh i naftës në botë).

“Gjithmonë më ndihmonte nëse kisha nevojë për buxhete”, thotë ajo. “E dini, as sot në Londër apo në Nju Jork nuk mund të presësh që secili të dojë artin modern. Por, ato për një vend ishin thesare të artit. Arti i afron njerëzit më shumë se çdo fjalim politik”.

Portretet e Mao Tse-tungut në TMoCA, të punuar nga Andy Warhol

Perandoresha ka takuar shumë artistë të mëdhenj, si: Salvador Dali, Marc Chagall, Henry Moore… Sipas disa raporteve, një skulpturë e punuar nga mjeshtri Moore, që gjendej në kopshtet e TMoCA-s, është dëmtuar nga plumbi. Vrima është ende e dukshme, si kujtesë për trazirat e Revolucionit. Megjithatë, koleksioni në përgjithësi nuk është dëmtuar e as nuk është shpërndarë. Por, ka pak përjashtime: Pahlavi (që u dënua me vdekje, në mungesë) kujton një dokumentar francez që shfaqte të prerë me thikë një nga portretet e saj të punuar nga Warholi. Ndërkaq, vepra “Grua III” (1953) e piktorit abstrakt ekspresionist, Willem de Kooning, është këmbyer me një miniaturë perse të shekullit XVI.

Në podrumin e muzeut, dy punëtore ekzaminojnë portretin e Mick Jaggerit të punuar nga Andy Warhol (1993)

Për vite, koleksioni mbeti i paparë. Më 2005, disa nga pikturat u shfaqën publikisht. Për shkak të teokracisë antiperëndimore, shumica ende nuk shihen, siç është rasti me veprën e Pierre-Auguste Renoirit, “Gabriela me bluzën hapur” (1907), që shfaq gjinjtë e modeles.

Vitin e kaluar dështoi plani që një pjesë e koleksionin të shfaqej në Berlin dhe në Romë. Ekspozita u hap veç në TMoCA. Sipas gazetarit të The Sunday Times, që ishte i pranishëm, ajo qëndroi e hapur për vetëm katër orë, para se të vinin censorët për të hequr triptikun e vitit 1968 të Francis Baconit, që shfaq dy meshkuj lakuriq pranë njëri-tjetrit (homoseksualizmi është i ndaluar në Iran).

Pahlavi refuzon të spekulojë se pse pas Revolucionit nuk është shitur e as nuk është shkatërruar koleksioni i saj.

Për shkak të lakuriqësisë (edhe pse të pjesshme), kjo vepër e Renoirit nuk do të ekspozohet në Iran

“Pas Revolucionit shqetësohesha për këto piktura. Por, fatmirësisht, pos njërës që është këmbyer, aty janë. Mbaj mend se disa vjet më parë (më 2005), një nga drejtorët e muzeut shfaqi disa piktura. Atëherë marr një email nga një piktore e re iraniane që më thotë: ‘Kur qëndrova para Rothkos, kisha lot në sy”.

TMoCA ka dy Rothkos, ku secila vlerësohet nga 100-200 milionë dollarë.

“Jam e lumtur që njerëzit mund të shohin diçka, sepse këto piktura i takojnë Iranit. Gjithmonë kam thënë se fara që mbillet me dashuri kurrë nuk do të tretet, kurrë nuk do të vdesë”, thotë ajo. /Telegrafi/

Censorët hoqën tablonë e mesme të triptikut të Baconit, ku dy meshkuj lakuriq janë pranë njëri-tjetrit
Exit mobile version