A ka diçka më të ëmbël se një përqafim nga qeni? Por, a e keni pyetur ndonjëherë veten pse disa qen përqafojnë dhe nëse mund të mësohen që ta bëjnë këtë me një komandë apo shenjë të pronarit? A është e lehtë të mësohen edhe që të përqafojnë njëri-tjetrin?

Kur shihni dy qen që “përqafohen”, shpesh ndodh që njëri thjesht përpiqet të marrë kontrollin mbi lojën ose janë trajnuar që të bëjnë këtë gjest. Nëse një qen i hedh këmbët e përparme mbi qenin tjetër, në dukje si përqafim, kjo zakonisht ka të bëjë me kontrollin e ndërveprimit dhe jo domosdoshmërisht me dominim klasik. Marrëdhëniet mes qenve janë dinamike dhe shpesh ata e ndërrojnë “rolet udhëheqëse”.


Nëse shihni një qen që “përqafon” tjetrin, sidomos pas inkurajimit nga pronari, zakonisht kjo është rezultat i një stërvitjeje të thjeshtë: njëri qen mësohet të qëndrojë i qetë, ndërsa tjetri të ngrejë këmbët sipas komandës dhe t’i mbështesë rreth trupit të tij.

A e dinë qentë çfarë është përqafimi?

Qentë nuk e dinë se çfarë është përqafimi dhe nuk e kuptojnë gjestin që bëjnë njerëzit, por për sa kohë që presin një rezultat pozitiv (shpërblim, ledhatim, lëvdatë), shumica do ta tolerojnë.

Megjithatë, shumë qen nuk e pëlqejnë përqafimin, sepse ai i kujton ndjesinë e kufizimit të lëvizjes. Sidomos qentë që kanë prirje kontrolluese, si ata të racave rojtare (p.sh. korgi apo border koli), shpesh do të ndihen të parehatshëm.

Pavarësisht kësaj, shumica e qenve “e durojnë” përqafimin nëse kanë besim te personi që i përfshin në këtë gjest. Për aq kohë sa përvoja lidhet me diçka të këndshme, ata përgjigjen në mënyrë neutrale ose pozitive.

Pse qeni mund të tregojë agresivitet kur pronari përqafon dikë tjetër

Ndonjëherë qeni mendon se njerëzit që përqafohen janë në konflikt. Kjo e bën të ndjehet i shqetësuar ose të marrë një pozicion mbrojtës. Nëse qeni juaj tregohet agresiv kur ju përqafoni një person tjetër, është mirë të ndaloni menjëherë dhe të distancoheni nga situata. Në raste të tilla, rekomandohet konsultimi me një trajner ose ekspert sjelljeje, transmeton Telegrafi.

@babybearyuki

Life’s too short. Get your dog a dog. ❤️ #puppy #dog

Si ta mësoni qenin tuaj të përqafojë

Hapi i parë: Kontakti

Filloni me një lojë të thjeshtë duke përdorur një letër ngjitëse. Vendoseni atë në dysheme. Sa herë që qeni prek letrën me putër, thoni “po” dhe jepini një shpërblim. Shumë shpejt ai do të kuptojë se kontakti me letrën sjell përfitime.

Hapi i dytë: Përfshini këmbën tuaj

Më pas vendosni letrën ngjitëse mbi këmbën tuaj. Kur qeni e prek putrën aty, lavdërojeni dhe shpërblejeni.

Hapi i tretë: Përqafimi

Kur qeni të ketë mësuar të vendosë putrën mbi këmbën tuaj, vendoseni letrën më lart, fillimisht në pjesën e poshtme të këmbës, më pas në gju. Në përpjekje për ta arritur, qeni do të humbasë ekuilibrin dhe do të mbështjellë këmbët e përparme rreth këmbës suaj. Jepini shpërblim çdo herë - kështu e mësoni që përqafimi lidhet me komandë dhe shpërblim.

Në fund, mjafton të punoni me komandën “qëndro”, në mënyrë që qeni të mbajë pozicionin e përqafimit pak më gjatë. /Telegrafi/