LAJMI I FUNDIT:

Traumat e pelvikut dhe tretmani urgjent paraspitalor

Traumat e pelvikut dhe tretmani urgjent paraspitalor
Prof.ass.dr. Isuf Bajrami, Specialist i mjekësisë urgjente

Lëndimet e rënda të pelvikut hasen më së shumti kur pacientit i transferohet energji e lartë, si p.sh. rastet në ndeshjet e mjeteve motorike, në aksidentet në të cilat vdesin këmbësorët, në rëniet nga lartësia dhe nga lëndimi i shtypjes

Prof.ass.dr.Isuf Bajrami
Specialist i mjekësisë urgjent
Qendra e Mjekësisë Urgjente -Prishtinë

Lëndimet e vogla të pelvikut mund të ndodhin për shkak të transferimit të energjisë së ulët tek pacienti, veçanërisht te të moshuarit (si një rënie e thjeshtë), në pacientët me sëmundje degjenerative të kockave ose ata që marrin radioterapi, personat obezë dhe rrallë si pasojë e drejtpërdrejtë e konvulsioneve.


Shumica e lëndimeve të pelvikut nuk çojnë në lëndime të mëdha të unazave së pelvikut, por përfshijnë fraktura pubike ose në acetabulum.

Shfaqja e këtyre lëndimeve është shumë e ngjashme me frakturat e qafës së femurit.

Rëndesa dhe rezultati

Frakturat e rënda të pelvikut mund të jenë fatale dhe shpesh shoqërohen me komplikime të shumta që kërkojnë rehabilitim të gjerë.

Vdekja në traumën e pelvikut shpesh ndodh si rezultat i lidhur me lëndime dhe komplikime, jo për shkak të vetë lëndimit.

Gjakderdhja është shkaku i vdekjes në 40% të të gjitha viktimave të traumës së pelvikut dhe është shkaku kryesor i vdekjes (60% e të gjitha vdekjeve, shkaqet tjera) në frakturat e paqëndrueshme të pelvikut.

Gjakderdhja është zakonisht retroperitoneale, vëllimi i humbjes së gjakut lidhet me shkallën dhe llojin e frakturës.

Klasifikimi i lëndimeve

Ashtu si me frakturat e tjera, frakturat e pelvikut mund të klasifikohen si të hapura ose të mbyllura dhe është e dobishme t’i përshkruajmë ato si hemodinamikisht të qëndrueshme ose të paqëndrueshme.
Pacientët të paqëndrueshëm hemodinamikisht janë në rrezik të madh të vdekjes dhe përfitojnë shumë nga njoftimi me kohë i spitalit për ardhjen e pacientit.

Lëndimi vaskular

Arteriet iliolumbare, gluteale të sipërme dhe të brendshme pudendale lëndohen më shpesh sepse ato ndodhen pranë kockës, nyjës sakro-iliake dhe ligamenteve të poshtme të pelvikut.

Gjakderdhje pas frakturës së pelvikut nga sistemi venoz është më i shpeshtë se gjakderdhja arteriale, sepse muret e venave janë më të brishta se ato arteriale.

Gjaku mund të grumbullohet në hapësirën retroperitoneale, hemostaza mund të ndodhë spontanisht te
fraktura e mbyllura, veçanërisht nëse nuk ka gjakderdhje arteriale shoqëruese.

Lëndime të tjera

Incidenca e lëndimeve urogjenitale varion nga 23% në 57%.
Lëndimet më të zakonshme janë uretra dhe vagjina.
Lacerimet e vagjinës ndodhin për shkak të depërtimit të fragmenteve të kockave ose për shkak të forcave indirekte nga diastaza pubike.
Lëndimet e qafës së mitrës, mitrës dhe vezoreve janë të rralla.
Lëndimi i fshikëzës ndodh në rreth 10% të frakturave të pelvikut.
Incidenca e dëmtimit të rektumit varion nga 17% në 64%, në varësi të llojit të frakturës.
Mbërthimi i zorrëve është e rrallë.
Lëndimi i pelvikut shpesh shoqërohet me dëmtime të njëkohshme intra-abdominale dhe intratorakale.

Vlerësimi

• garantoni sigurinë e vendit të ngjarjes dhe zbatoni masat e mbrojtjes personale
• vlerësoni ABCDE

Vlerësoni nëse koha është vendimtare për pacientin.
Nëse vlerësohet se koha është vendimtare, atëherë duhet pasur kujdes ABC, duhet stabilizuar pelviku,
në vendngjarje dhe të dërgojmë pacientin menjëherë në spital.
Njoftim për mbërritjen e pacientit në spitalin e emergjencës duhet të zbatohet.
Vazhdoni kujdesin dhe trajtimin në autoambulancë gjatë rrugës për në spital.
Nëse koha nuk është vendimtare për pacientin, atëherë duhet të bëhet një vlerësim i detajuar i pacientit me një rishikim të dytë më të shkurtër.

Vlerësimi i stabilitetit të pelvikut

          Presioni i lehtë mbi krahët ilakal në drejtim poshtë dhe medial mund të zbulojë tolerim ose jostabilitet

E rëndësishme

Fraktura e pelvikut duhet të merret parasysh në bazë të mekanizmit të lëndimit.
Pelviku ekzaminohet duke observuar dhe shtypur butësisht kockat e legenit (crista iliake) drejt
lart.
Ekzaminimi kërkon detektimin e mavijosjeve, gjakderdhjeve, deformimeve, shkurtimin e ekstremiteteve të poshtme ose gjakderdhje nga uretra/vagjina.
Duhet të vihet re çdo dhimbje, ndjeshmëri ose mungesë lëvizjeje.

Nëse gjatë ekzaminimit vërehet paqëndrueshmëria e pelvikut, mos e përsëritni ekzaminimin e pelvikut (ekzaminimi dhe lëvizja e përsëritur mund të zhvendosë mpiksjet të përkeqësojë dëmtimin dhe gjakderdhjen).

                                                          Përcaktoni nëse kemi thyerje të hapura ose të mbyllura
                                                          Përcaktoni dëmtimet e lidhura me Sistemin urogjenital

Çdo pacient me mekanizëm përkatës lëndimi dhe hipotensioni të njëkohshëm ai duhet të trajtohet sikur ka lëndim të pelvikut ku koha është vendimtare, derisa të vërtetojmë të kundërtën.
Stabilizoni vertebrat lumbosakrale sa më shpejt të jetë e mundur, në vendin e ngjarjes, sepse stabilizimi ndihmon duke reduktuar humbjen e gjakut përmes shtrirjes së sipërfaqeve të frakturave, duke kufizuar gjakderdhjen aktive, gjithashtu ndihmon në stabilizimin e koagulimit.
Duhet të shmanget kthimi në një vijë (roll log) i pacientit me frakturë të mundshme të pelvikut, sepse mund të përkeqësojnë dëmtimin e pelvikut.
Kurdoherë që është e mundur, duhet të përdoren barrela të palosshme për ta ngritur pacientin nga toka
dhe kufizoni lëvizjet në pjerrësi prej 15° në raport me tokën.

Veprimet

• Kujdesuni për ABC dhe imobilizoni shtyllën kurrizore cervikale (nëse ekziston dyshimi për dëmtim të kolonës veretebrale cervikale)
• jep oksigjen (10-15 l/min)
• trajtoni dhimbjen

Gjithmonë duhet vlerësuar ashpërsia e dhimbjes dhe duhet të merret parasysh aplikimi i analgjezisë.
Rastet si më posht duhet të dërgohen çdo herë në spital:

• çdo pacient me hipotension dhe dëmtim të mundshëm të pelvikut
• çdo pacient me mekanizëm të dëmtimi që është i mjaftueshëm për të shkaktuar lëndim në pelvik

Vërejtje

Koha është vendimtare për çdo lëndim të pelvikut, derisa të vërtetohet e kundërta.

E rëndësishme

Lëndimi i rëndë i pelvikut është kategori sëmundjesh kritike dhe kërkon rrjedhje dhe përqendrim të lartë të oksigjenit, pavarësisht nga leximi fillestar i ngopjes së oksigjenit (SpO2).

Duhet mbajtur fluks i lartë oksigjeni (15 litra në minutë) deri në normalizimin e shenjave vitale, pastaj zvogëloni rrjedhën dhe titroni për të ruajtur ngopjen e gjakut me oksigjen (SpO2) në intervalin 94% -98%.

• Frymëmarrja artificiale e asistuar duhet të zbatohet nëse:
– frekuenca e frymëmarrjes <10 ose >30 frymëmarrje në minutë
– zgjerim i pamjaftueshëm i gjoksit
• monitoroni ngopjen e gjakut me oksigjen
• hapni linjën i.v. (kanulë me diametër të madh, nëse është e nevojshme dy)
• stabilizoni pelvikun

            Stabilizimi i pelvikut
            stabilizimi i legenit duke përdorur çarçaf;  aplikimi splintit pelvik;  pas aplikimit të splintit pelvik.

E rëndësishme

Deri më tani, nuk ka asnjë provë që sugjeronë ndonjë pajisje ose qasje të imobilizimit të pelvikut më të mirë për sa i përket rezultatit të traumës së legenit.

Nevojitet stabilizim efektiv i brezit të legenit, zbatoni sa më shpejt të jetë e mundur duke përdorur:

• vendosjen e pacientit në dyshek vakum duke përdorur barelë të palosshme
• imobilizimi i pacientit në barela të palosshme
• stabilizimi rrethor i brezit të pelvikut duke përdorur brezin për imobilizim (shih foton më lart).

Frakturat e paqëndrueshme mund të shkaktojnë gjakderdhje të brendshme, e cila mund të reduktohet nga stabilizimi rrethor i legenit mbi trokanterin e madh.
Në të gjitha metodat kryhet stabilizimi rrethor i pelvikut mbi trokanterin e madh, dhe jo mbi crista iliake.
Sot, rripat për stabilizimin e pelvikut mund të vendosen lehtësisht.
Kur jeni në dilemë nëse do të përdorni barrel të gjatë ose dyshek me vakum, përparësia duhet t’i jepet gjithmonë dyshekut me vakum për arsye të stabilizimit dhe imobilizimit më korrekt.

Përmbledhje

• Frakturat e pelvikut duhet të merren parasysh në bazë të mekanizmit të lëndimit.
• Shumica e frakturave të pelvikut janë fraktura të qëndrueshme të ramusit pubik ose acetabulumit.
• Çdo pacient me hipotension dhe mekanizëm potencialisht të rëndësishëm lëndimi duhet të konsiderohet se ka lëndim të pelvikut në kohë të caktuar.
• Mos aplikoni shtypje anësore ose shpërqendrim të pelvikut.
• Stabilizimi i pelvikut duhet të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur në vendin e ngjarjes.
• Aplikoni analgjezi me kujdes të shtuar, minimizoni dhimbjet.

/Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Një ushqim që na shkurton jetën me 36 minuta sa herë e hamë

Një ushqim që na shkurton jetën me 36 minuta sa herë e hamë

Të njohim produktet
Kalo në kategori