Site icon Telegrafi

Trashëgimia kulturore e Kosovës vlerë që duhet çmuar

Nga Agron KRASNIQI
Elizabeth Gowing ka ardhur në Kosovë nga Anglia pa pasur njohuri shumë për këtë vend. Ajo kishte ardhur me bashkëshortin e saj i cili e kishte pranuar një detyrë të re këtu. Si dashamirëse e vlerave dhe trashëgimisë kulturore kishte filluar të interesohej dhe të mësonte më shumë për trashëgiminë në Kosovë. Dhe kishte mbetur e mahnitur me ato që shihte. Ajo mendon se nëse shfrytëzohen si duhet këto vlera të trashëgimisë kulturore mund të sjellin përfitime të mëdha jo vetëm financiare por edhe do të kuptohej në botë se Kosova nuk është vend i njohur vetëm për luftëra e konflikte.

Kosova është shumë e pasur me vende, objekte e monumente të trashëgimisë kulturore e historike. Kjo pasuri me vlera unike ilustrohet me diversitetin e pasur të trashëgimisë arkitekturore e arkeologjike. Por kujdesi ndaj këtyre vlerave ka munguar për një kohë të gjatë, për shkak të rrethanave që kuptohen në periudhën e para luftës.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë filloi një përkujdesje pak më e madhe edhe në këtë aspekt, sado që ende nuk është në nivelin e kënaqshëm. Donatorë të jashtëm dhe Ministria e Kulturës kanë dhënë mjete materiale dhe vazhdojnë të punojnë në drejtimin që të ndihmojnë në restaurimin e objekteve të ndryshme të trashëgimisë kulturore anekënd Kosovës.

Profesoresha e arkeologjisë në Universitetin e Prishtinës, Edi Shukriu, thotë se “Kosova ka një trashëgimi të paçmuar kulturore, si rezultat i historisë së begatshme të saj të shtresuar gjatë mijavjeçarëve. Kjo trashëgimi materiale dhe shpirtërore (arkeologjike, etnologjike, historike, gjuhësore e të tjera) duhet studiuar më thellë dhe njëkohësisht duhet mbrojtur dhe prezantuar”.

Por Arbërore Riza, Këshillëtare për Media e Minsitrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit thotë se vëmëndje e veçantë në këtë ministri i kushtohet trashëgimisë kulturore. Ajo thotë se përveç këtyre vendeve për të cilat tashmë dimë ka edhe të tjera të cilat janë në fazën e zbulimit apo ende nuk janë zbuluar.

“Për shembull gërmimet e fundit po bëhen në lokalitetin arkeologjik të Keqekollës, ku është zbuluar kështjella. Vendi në të cilin shtrihet kështjella është një hapësirë deri në rreth 60 ari, ndërkohë që kështjella të tjera, ende të pahulumtuara, gjinden edhe në disa fshatra të tjera në komunën e Prishtinës. Dhe të tilla ka mjaft në pjesë të ndryshme të Kosovës”.

Arkeologia Shukriu mendon se Kosova ka nje varg lokalitetesh të trashëgimisë të cilat, me pak kujdes dhe angazhim, mund të bëhen joshëse për turistët e huaj.

“Nga aspekti arkeo-turistik qyteti antik i Ulpianës është pa dyshim njëri prej tyre, si dhe Kompleksi i Artanës/Novobërdës. Që të dyja gërshetojnë elemente arkeo-ambientale, atraktive për turizmin bashkëkohor. Në këtë kuadër bëjnë pjesë edhe manastiret e njohura mesjetare. Qyteti i Prizrenit, me komplekset arkeologjike dhe historike, është shembull i rrallë që gërsheton të gjitha elementet e nevojshme. Atraktive për turistët e huaj, por i nevojshëm edhe për banoret e vendit, ka mundur të jetë edhe një kompleks i historisë bashkëkohore, si respekt dhe mos harresë, pjesë e të cilit do të ishin edhe Kompleksi i Adem Jasharit dhe monumentet e tjera të historisë më të re. Atraksion me vlera të veçanta, mund të them edhe botërore, do të mund të ishte kompleksi ku gjendet pikturimi parahistorik shkëmbor afër Prizrenit apo shfrytëzimi bashkëkohor i labyrinthit rrethor dhe unik dardan nga Smira”.

Por ajo që duhet të bëhet është që të punohet më shumë në promovimin e kësaj trashëgimie brenda dhe jashtë Kosovës. Në këtë mënyrë jo vetëm që do të njiheshin këto vlera, por do të ndikonte shumë që të promovohet ajo që quhet turizëm kulturor dhe do të mund të kishte edhe përfitime materiale, pasi që trashëgima kulturore është interesante e atraktive për turistët.

“Turistëve të huaj u intereson ajo që është unike, e jo ato që mund të gjinden edhe nëpër vende të ndryshme të Evropës apo botës”, thotë Elizabeth. Ajo mendon se vende të tilla ka mjaftë në Kosovë.

Me këtë pajtohet edhe Arbërore Riza, kështilltare e Ministrit të Kulturës. "Monumentet me rëndësi të veçantë të trashëgimisë kulturore duhen parë si monumente apo zona me rëndësi edhe në aspektin ekonomik, të turizmit kulturor. Ministria është duke punuar në konservimin dhe përgatitjen e këtyre lokaliteteve dhe objekteve të ndryshme të trashëgimisë për këtë qëllim”.

Ngecja kryesore është në mos promovimin si duhet të kësaj pasurie. Sipas Elizabeth, ”nuk është bërë sa duhet jashtë Kosovës por as brenda vendit. Nëse kosovarët vetë nuk besojnë në vlerat e trashëgimisë së tyre, s’ka shansë që të huajt ta kuptojnë”.

Edhe arkeologia Shukriu thotë se duhet të bëhet më shumë në këtë aspekt. Ajo thotë se duhet bërë më shumë në publikimin dhe përkthimin e librave lidhur me trashëgiminë në gjuhë të huaja, apo realizimin e filmave dokumentar, sepse përfitimet nga turizmi kulturor mund të jenë të mëdha.

”Turizmi kulturor është sot një prej formave më të preferuara të turizmit në botën bashkëkohore, në veçanti turizmi trashëgimor. Zhvillimi i tij në Kosovë mund të gërshetojë që të dy aspektet, ekonomik e promovues dhe njëkohësisht mund të krijojë ura lidhëse midis njerëzve dhe popujve”, thotë Shukriu.

Prandaj barra u mbetet institucioneve përgjegjëse që të dijnë ta promovojnë këtë pasuri, për të cilën shumë vende do të ëndërronin ta kishin.

Exit mobile version