LAJMI I FUNDIT:

Trajtimi i rasteve të gazetarëve, prioritet i Prokurorisë së Shtetit

Trajtimi i rasteve të gazetarëve, prioritet i Prokurorisë së Shtetit

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, së bashku me Koordinatorin Nacional të Prokurorisë së Shtetit për rastet e gazetarëve, prokurorin, Besim Kelmendi, kanë pritur në takim përfaqësuesin e OSBE-së për Lirinë e Medies, Harlem Désir, i cili më parë ka qenë ministër i Shtetit për Çështjet Evropiane në Francë dhe anëtar i Parlamentit Evropian për tri mandate.

Gjatë këtij takimi, Kryeprokurori Lumezi e ka njoftuar Désir për veprimet e ndërmarra nga institucioni i Prokurorit të Shtetit në trajtimin e rasteve të gazetarëve, duke thënë se zgjidhja e këtyre rasteve mbetet prioritet i Prokurorisë së Shtetit.

Kryeprokurori i Shtetit së bashku me përfaqësuesin OSBE-së, kanë diskutuar për sigurinë e përgjithshme të gazetarëve si dhe çështje të tjera që ndërlidhen me fushën e lirisë së medias në Kosovë. Kryeprokurori Lumezi, ka theksuar se Prokuroria e Shtetit në kuadër të mandatit dhe detyrave ligjore, mbetet e përkushtuar në krijimin e një mjedisi të sigurt për profesionin dhe punën e gazetarëve, si dhe do të angazhohet në fuqizimin e lirisë së shprehjes, si një nga vlerat më të rëndësishme të demokracisë në Kosovë.


Kryeprokurori Lumezi ka shprehur gatishmërinë e Prokurorisë së Shtetit për thëllimin e bashkëpunimit dhe partneritetit me mediat në forcimin e sundimit të ligjit.

“Si institucion kushtetues, jemi të interesuar ta thellojmë bashkëpunimin dhe partneritetin me mediat, sepse qëllimet i kemi të përbashkëta në forcimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e vlerave demokratike të shoqërisë tonë. Me partneritet dhe përkrahje të mediave për punën tonë do të kemi sukses edhe me të madh, sidomos në luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë”, ka thënë ndër tjera Kryeprokurori Lumezi.

Po ashtu, Kryeprokurori i Shtetit ka folur edhe rastet e gazetarëve të vrarë dhe të zhdukur në Kosovë gjatë periudhës 1998-2005, të cilat deri para pak kohe ishin në kompetencë të prokurorëve të UNMIK-ut dhe EULEX-it. Sipas Kryeprokurorit Lumezi, këto raste vazhdojnë të jenë të hapura për prokurorinë, me ç’rast është kërkuar nga policia që të ndërmarrin veprime hetimore për zbardhjen e tyre.

Ndërsa, koordinatori nacional i Prokurorisë së Shtetit për rastet e gazetarëve, Besim Kelmendi, ka paraqitur para përfaqësuesit të OSBE-së databazën me të dhënat e prokurorisë, si dhe veprimet të cilat i ka ndërmarrë ky institucion në trajtimin e rasteve të gazetarëve.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medies, Harlem Désir, e ka vlerësuar punën e Prokurorisë së Shtetit në caktimin e koordinatorit nacional për rastet e gazetarëve dhe krijimin e databazës për këto raste, duke thënë se krijimi i një databaze të tillë nga ana e Prokurorisë është në harmoni dhe në përputhje me zotimet e misionit të OSBE-së. Po ashtu, Désir, ka pohuar se misioni i OSBE-së, do të ndihmoj në krijimin e takimeve koordinuese ndërmjet prokurorisë, policisë dhe gazetarëve për një komunikim dhe bashkëpunimin me të drejtpërdrejtë.

Në fund Kryeprokurori Lumezi ka thënë se Prokuroria e Shtetit dhe Misioni i OSBE-së në Kosovë njohin vlerën e bashkëpunimit edhe në të kaluarën, dhe sipas tij, institucioni i Prokurorisë do të angazhohet edhe në të ardhmen në kultivimin e bashkëpunimit me OSBE-në dhe të gjithë akerët e tjerë të cilët avokojnë për liritë dhe të drejtat e gazetarëve në Kosovë. /Telegrafi/