Trafiku Urban nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me ndërmarrjen KU'ZINA

Ushtruesi i Detyrës së Kryeshefit të “Trafikut Urban”, Qendrim Vitija, ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Kryeshefin Ekzekutiv të ndërmarrjes KU’ZINA, Asdren Osaj.
Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, punonjësit e KU’ZINA janë pajisur me bileta vjetore për shfrytëzimin e transportit publik.
Vitija theksoi se, në bazë të vendimit të kryetarit të Kryeqytetit, Përparim Rama, është mundësuar ofrimi i biletave vjetore me çmim preferencial prej 120 euro në vit për të gjitha korporatat, institucionet dhe ndërmarrjet publike që kanë mbi 50 të punësuar.
"Qëllimi i kësaj iniciative është të nxisë përdorimin e transportit publik, duke kontribuar në zvogëlimin e ndotjes së ajrit dhe ngarkesave në komunikacion si dhe krijimin e një qyteti më të përballueshëm dhe të qëndrueshëm", bëhet e ditur në njoftim.
Tutje, ftohen të gjitha kompanitë dhe institucionet të bashkohen në këtë nismë, për të kontribuar së bashku në zhvillimin e një mjedisi urban më të pastër, më të qasshëm dhe më të qëndrueshëm për të gjithë. /Telegrafi/













































