Poezi nga: Jeff Weddle
Përktheu: Fadil Bajraj

Në përputhje me Amendamentin e Parë
dhe ligjet e shtetit tim
(nuk dua ta identifikoj shtetin tim
nga respekti
për ndjenjat e buta të atyre që janë në pushtet)
me anë të kësaj unë përdor
lirinë time të fjalës
për të deklaruar dashurinë time
për Udhëheqësin tonë të Dashur
dhe përbuzjen time për njerëzit
që nuk janë meshkuj
as të bardhë dhe as të krishterë.
Jo se ka diçka të brishtë,
ose që ka nevojë për t’u lavdëruar,
në të qenit mashkull,
i bardhë ose i krishterë,
njashtu siç e di çdo mashkull,
i bardhë dhe i krishterë.
Dua të them, jo se ka
ndonjë gjë të gabuar me ndonjë prej tyre,
për sa kohë që ata nuk duan
që unë të pranoj
asgjë të pakëndshme
në lidhje me çfarëdoqoftë ajo.
Sigurisht, të gjithë e dimë,
se të mos jesh as mashkull,
as i bardhë, as i krishterë
është e pakëndshme në shikim të parë
dhe gjithashtu e gabuar,
dhe gjithashtu është krim,
ama duhet ta lëmë me kaq,
ma merr mendja.
A nuk jeni dakord?
Udhëheqësi ynë i dashur,
duke qenë mashkull
dhe ndoshta i krishterë
dikur ishte i bardhë,
megjithëse të gjithë bien dakord
se e portokallta
është më e mirë se e bardha,
të paktën në rastin e tij.
Apo jo?
Është e vështirë të qëndrosh në hap me të.
Sigurisht se nuk po dua të them
se është e vështirë
për Udhëheqësin tonë të Dashur
të mbajë të njëjtën vijë,
ndaj mos më vini fjalë
dhe asgjë tjetër
në gojë.
E gjithë kjo është
në përputhje me Amendamentin e Parë,
siç thashë edhe më parë.
Sa e lavdishme është të jetosh
në një vend
plotësisht të lirë
dhe shtet pa emër
ku na lejohet
të lavdërojmë
Udhëheqësin tonë të Dashur
sa herë na teket,
pa pasur frikë nga censura
apo ndëshkimi.
Më lejoni të them gjithashtu
se me Jezusin
s’kam kurrfarë telashi,
Jezusi – ai çifuti! – është
plotësisht në rregull.
Do të ishte më mirë nëse Ai
do të ishte i bardhë ose bile i portokalltë,
dhe i krishterë,
ama sall Udhëheqësi i Dashur
mund të jetë gjithçka për të gjithë
njerëzit. Të gjithë e dinë
këtë.
Meqenëse tash jam
i rraskapitur,
me këtë i jap fund
lutjes sime
sipas Amendamentit të Parë
për qenien njerëzore më të fortë, më të
guximshme, më të zgjuar, më të
pashme,
që do të jetojë ndonjëherë.
Gjithçka është përsëri madhështore,
falë tij dhe
sall atij.
Përnjëmend, bash gjithçka.
Dua të më lini
vetëm tash.
Të lutem, më duhet një pije.
Të lumtë Udhëheqës i Dashur!
Mos më shito, të lutem.