LAJMI I FUNDIT:

Tirania e tërbuar e pushtetit esedian në Siri!

Mbi 40 vite rezistencë dhe mbi një vit e më tepër luftë e përgjakshme civile po zhvillohet mes ithtarëve të fjalës së lirë njerëzore, kërkuesve të demokracisë dhe pushtetit diktatorial e despotik, tanimë edhe të pa shpirt të Beshar el-Esed – ndryshe trashëgues i fronit nga babai i tij (Hafiz el- Esed) me tipare po të njëjta të çmendurisë diktatoriale.

Beshar el-Esed në pushtet kishte ardhur në vitin 2000, menjëherë pas vdekjes së babait të tij, për të vazhduar si edhe ati i tij kursin e vjetër të shtypjes dhe diskriminimit ndaj kërkuesve të lirisë dhe demokracisë. Hafiz el-Esed në vitin 1982, nën udhëheqjen e vëllait të tij gjeneralit Rifat el-Esed, kishte dërguar forcat ushtarake për t`i shtypur kryengritësit e të tij sunnit të cilit i takonin grupit të vëllazërisë myslimane në qytetin Hamma, duke lënë të vrarë rreth 10 mijë veta pa mos kursyer fëmijë, gra e pleq, dhe duke lënë në gërmadha pjesën dërmuese të qytetit.


Ngjashëm kishte vepruar edhe në qytetin e Halebit-Alepit në vitin 1980, duke vrarë e masakruar mijëra vet dhe mijëra të tjerë të internuar dhe të burgosur, shumë nga cilët kanë vdekur në burgje, ndërsa shumë të tjerë janë zhdukur pa asnjë gjurmë. Rifat el-Esed, pra vëllai i Hafiz el-Esedit, më 27 qershor të vitit 1980 nën komandën dhe pjesëmarrjen e tij të drejtpërdrejtë në burgun Tedmur kishte vrarë rreth njëmijë të burgosur, oponentë të regjimit të hekurt esedian. Raportet ndërkombëtare të asaj kohe flasin për gjithsej 40 mijë të vrarë dhe qindra mija të tjerë të emigruar jashtë vendit.

Ngjashëm dhe më keq ndaj qytetarëve të vet edhe sot po vepron i biri Beshar el-Esed, i cili nuk është duke zgjedhur mjet dhe formë – të cilën nuk po e lë pa e përdorur – për të shtypur e vrarë kryengritësit e lirisë tani plotë 13 muaj më radhë. Në vend të gjetjes së një zgjedhjeje paqësore me qytetarët e vendit të tij për largimin nga pushteti, ai ka zgjedhur dhunën, terrorin, burgosjen, shkatërrimin, djegien e të gjithë atyre të cilët kanë ngritur zërin kundër pushtetit të hekurt të tij. Mediat botërore, me qasje shumë të kufizuar, raportojnë për mbi 10 mijë të vrarë e me mijëra tjerë të plagosur, kryesisht civilë. Pamjet të cilat raportojnë dhunën në këtë vend janë tejet çnjerëzore të cilat prekin dhe rrëqethin ndjenjat e njerëzve kudo në botë.

Rasti më shokues i dhunës, të cilën po e ushtron Beshar el-Esed ndaj popullit dhe bashkëkombëseve të vet, ishte një video tmerruese, e postuar disa ditë më parë në rrjetin youtube, përmes së cilit shihet se si forcat e Esedit varrosnin një njeri për së gjalli, vetëm për arsyen se ata dyshonin se ai me vete kishte pasur një telefon të pajisur me kamerë incizimi.

Masa e dënimit për këtë kalimtar rasti, i cili u kishte rënë në sy kthetrave të tërbuara esediane, ishte varrosja e tij për së gjalli, ndërsa më e keqja në këtë rast ishte se derisa atij i hidhej dheu mbi trupin dhe kokën e tij të njomë, i kërkohej që edhe të deklarohej me zë lart “se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se edhe Esedi është zot i vetëm për të“! Këtë deklaratë kalimtari i rastit – tanimë me trup të varrosur deri në fyt – refuzoi ta bënte dhe qëndroi heroikisht derisa u mbulua tërësisht me dheun e forcave më të pamëshirshme të mundshme të shekullit tonë.

Një skenë tepër rrëqethëse, horror, më egër e mundshme, më çnjerëzore dhe më poshtëruese e nënçmuese që mund t`i bëhet qenies njeri. Të tilla abuzime të ulëta ndaj njerëzve mund t`i hartojnë dhe ekzekutojnë vetëm njerëzit e zhveshur nga ndjenja më e imët e qenies njeri.

Vrasjet masive, shkatërrimi i shtëpive dhe pasurisë së qytetarëve, granatimet e pakontrolluara në xhami e faltore tjera, dhunimet e femrave, burgosjet dhe maltretimet më barbare të mundshme ndaj qytetarëve të vet, të cilët flasin një gjuhë dhe besojnë një Zot, nuk mund t’i bëjë askush, përveçse një diktatori birit të diktatorit, siç është Beshar el-Esed.

Është turp dhe ligësi edhe e gjithë popullit dhe liderëve arabë të cilët durojnë këtë nënçmim dhe poshtërsi që i bëhet njeriut nga ky regjim idiotesk esedian. Bota Arabe në rend të parë, sot ose kurrë, duhet të solidarizohen dhe t`i dalin në ndihmë kryengritësve në Siri, në mënyrë që sa më parë të rrëzohet e të poshtërohet ky gjakpirës i popullit dhe qytetarëve të vet të pafajshëm. Diktatorët despotë asnjëherë nuk janë dorëzuar dhe as sot nuk dorëzohen vullnetarisht. Ata i rrëzon vetëm bashkimi i forcës njerëzore, politike dhe ushtarake. Në fund të fundit të gjithë e dinë se as Zoti nuk e ndryshon gjendjen e një populli përderisa ata vet nuk e ndryshojnë vetveten tyre. Një ndërhyrje ndërkombëtare më intensive politike dhe ushtarake për ndërprerjen e gjakderdhjes në këtë vend duhet të jetë në agjendën e sotme të të gjithë liderëve në botë.

Siria, e njohur ndryshe edhe si Shami-Sherif, në të kaluarën ka qenë njëra ndër qendrat kryesore të civilizimit arab dhe atij islam, sidomos gjatë shekujve VI-VII të erës sonë, atëherë kur në pushtet ishin dinastia emevite dhe abasite. Qytetarët shamian-sirian edhe sot, në përgjithësi, njihen si njerëz të butë, të arsimuar dhe punëtorë. Ata nuk e meritojnë një regjim të tillë diktatorial 40 vjeçar, të cilin familja Esed po e mban akoma, duke përdorur hekurin dhe çekiçin e ngritur lart mbi kokën e çdonjërit që kërkon drejtësi, demokraci dhe barazi qytetare.

Beshar el-Esed ndryshe është pjesëtar i sektit alevit, një drejtim fetar në vete, i cili nuk arrin as 10 për qind nga 22 milionë banorë sa ka gjithsej Siria. Alevitët mohojnë dhe nuk pranojnë të njihen as si sunni e as si shiia!

Siria si vend është i pasur me shumë monumente kulturore e historike që nga koha bizantine, me një popullsi multi-kulturore dhe multi-religjioze, shumë karakteristike në rajon. Në këtë vend të kontinentit aziatik jetojnë myslimanët e drejtimit sunnit dhe shiit e alevit, të krishterët – katolikët dhe ortodoksët – druzët etj.

Ne nga ky vend, nëse asgjë nuk mund të bëjmë për popullin sirian, të paktën t’i lutemi Zotit që të ndëshkojë Beshar el-Esedin dhe regjimin e tij për gjithë atë që ka bërë dhe që po bënë ndaj qytetarëve të vet të pafajshëm.