Kombi është një grup njerëzish (bashkësi intersubjektive qytetarësh) që kanë të përbashkëta gjuhën, zakonet, traditat, origjinën etnike, historinë dhe kulturën. Pra ne mund të themi se nëse shteti është një hapësirë dhe entitet gjeopolitik, kombi është një entitet etniko-kulturor, një lidhshmëri e këtyre te dyjave. Kombi ka nevojë për kontributin e secilit që t’i kalojë sfidat e kohës, e në rastin e kombit shqiptar më së shumti ka nevojë për kontributin e bashkëkombësve në Republikën e Shqipërisë.

Shumë vise shqiptare edhe sot e kësaj dite janë të copëtuara. Shumë bashkëkombës ballafaqohen me kërcënime serioze nga më të ndryshmet, si: shqiptarët në Maqedoni të cilëve iu mohohen dhe iu cenohet, gjuha, shkollimi, kultura, e shumë të tjera; çamët mbi të cilët u bë gjenocid, u shpronësuan dhe u përzunë nga trojet e tyre; shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit nën administrimin e Serbisë; Kosova ende vazhdon të ketë probleme me veriun e vendit nga Serbia...


Të gjithë këta shqiptarë me fanatizëm kanë plot gojën me fjalën Shqipëri, Shqipëria nënë, Shqipëria e madhe, Shqipëri natyrale e etnike. Shqipëria shtet për të cilin u derdhë shumë gjak, por cili është kujdesi dhe raporti i shtetit shqiptar për këto treva për këta njerëz.

Shqipëria bën fare pak për të drejtat e pronës së çamëve, ndërsa për shqiptaret e Maqedonisë dhe konfliktet e shpeshta që kanë me maqedonasit mbanë një neutralitet të habitshëm dhe qëndrim aq të ftoftë, si të ishin në pyetje konfliktet e katalonëve me spanjollët. Shqiptarët e Preshevës, Medvegjës, Bujanocit dhe Ulqinit as qe i përmend. Raporti me Kosovën është pak më i afërt, por dhe kjo lë shumë për të dëshiruar.

Në luftën e vitit 1998-1999 në Kosovë, Shqipëria doli me dy anët e medaljes, në njërën anë ajo strehonte refugjatë, mbante me bukë dhe strehë, luftëtarëve iu mundësonte të furnizoheshin me armë dhe logjistikë tjetër, ndërsa në anën tjetër bënte një gabim pasojat e të cilit kosovarët i vuajnë edhe sot e kësaj dite: bënte ndarjen e famshme në mes të ushtrisë e cila përfaqësonte presidentin e saj Ibrahim Rugovën, dhe pjesës tjetër të ushtrisë e cila kishte formuar shtabin e saj dhe kishte dalë nga ombrella dhe “vija shtetërore”. Por, gjithsesi luftonte për të njëjtin qëllim: çlirimin e Kosovës, por në forma të ndryshme.

në vend që të pamundësonin ndarjen në dysh, duke mos i përkrahur me logjistikë dhe armatim dy krahë, por vetëm vijën institucionale, ajo i favorizoi dhe forcoi ndarjen dhe formimin e dy taborëve të cilat kurrë më nuk do të mund të bashkoheshin. Përkundrazi, ua lehtësoi forcave serbe veprimin në terren dhe krijuan hasmëri e cila zhvillohej në dy fronte: atë të betejës me ushtrinë serbe dhe betejën mes vete.

Tani në të gjitha këto procese që kalojnë trevat shqiptare, e në veçanti veriu i Kosovës, e fundit është Tirana ajo që merr guximin të jap fjalën e saj edhe ashtu gjysmake, në krahasim me Serbinë e cila bënë çdo gjë për t’i përkrahur bashkëkombësit e saj kudo që janë. Serbia investon financiarisht dhe politikisht, po ashtu është e gatshme dhe ushtarakisht t’ju dalë zot bashkëkombësve të saj edhe atëherë kur nuk ka të drejtë, ndërsa shqiptarët me gjithë të drejtën e konfirmuar botërisht nuk janë të gatshëm të jenë më aktiv për çështjet kombëtare.

Në rrafshin ekonomik Shqipëria, përpos në aspektin teorik, në aspektin praktik nuk jep ndonjë motiv bashkëpunimi. Por, përkundrazi aplikon taksa të veçanta si në rastin e patates. Ndërsa “falja” e Portit të Shëngjinit Kosovës u harrua shpejt.

Kompanitë kosovare në Shqipëri nuk gjejnë aspak siguri dhe klimë të përshtatshme të shfrytëzimit të kushteve dhe tregut të përbashkët, i cili do t’ju mundësonte firmave shqiptare të forconin pozicionin e tyre në raport me importuesit e huaj, për shkak të rritjes së numrit të konsumatorëve. Kompanitë shqiptare dhe ato kosovare lehtësisht mund të tregtonin produktet e tyre në Kosovë dhe në Shqipëri, duke mundësuar plotësimin e nevojave dhe kërkesave të konsumatorëve, duke iu referuar nevojave të secilit vend si p.sh: agrumet dhe shumë të tjera mund të importohen nga Shqipëria, ndërsa patatja dhe perime të tjera mund të eksportohen nga Kosova.

Në realitet ne shohim diçka tjetër: kompanitë kosovare kur fillojnë veprimtarinë e tyre në Shqipëri ato hasin në sulme dhe djegie të depove apo aseteve të tyre, por në të njëjtën kohë Shqipëria gjatë sezonit veror “bombardon” kosovarët me reklamat për pushimet në bregdetin shqiptar, nga i cili Shqipëria as më pak dhe as më shumë nuk ofron sesa ujë deti e rërë, si dhe shumë papastërti, ca vjedhje, ndonjë vrasje, aksidente komunikacioni nga ato që s’mund as të imagjinohen.

Prapë kosovarët dhe gjithë të tjerët duhet për hir të patriotizmit falso (atij kombëtaruist dhe ekonomik) të jenë aty për pushime dhe të paguajnë shumë për të marrë pak, sepse e duan nënën Shqipëri, e duan Shqipërinë e madhe etj.!?

Nga këto që thamë, me të drejt shtrohet pyetja: a është kjo klasë politike shqiptare me të vërtetë e interesuar t’i ndërtojë dhe forcojë shtetet dhe kombin shqiptar apo e kundërta e kësaj... Ta forcojë pushtetin personal?!