Tinejxheri, yll i shkencës: Zbulimi i tij do të shpëtojë shumë jetë

I riu Jack Andraka ishte i interesuar për kancerin e pankreasit pasi shoku i tij i ngushtë vdiq nga kjo sëmundje.
"Në internet kam gjetur informacionin sipas të cilit 85 për qind e të gjitha rasteve të kancerit të pankreasin vërehen me vonesë, atëherë kur gjasat janë më të vogla se dy për qind për mbijetesë. Thash se kjo nuk është në rregull, se duhet bërë diçka në këtë drejtim”, ka thënë Jack për ndjesinë e tij të parë që e shpiu deri te zbulimi i një testi të thjeshtë e të lirë, me të cilin kanceri i pankreasit zbulohet në një fazë të hershme.
Jacku u hodh në kërkime në internet dhe aty zbuloi se personave me kancer të pankreasit në gjak u rritet niveli i proteinës që quhet mesotelin. Në të njëjtën kohë ka lexuar edhe për nanosondat, e atëherë erdhi në idenë se si t’i “sigurojë” antitrupat në mesotelin e kështu t’i përdorë për të zbuluar kancerin e pankreasit.
Atëherë i dërgoi letrat elektronike për hulumtimin e tij në mbi 200 adresa, e në fund pranoi një përgjigje nga Universiteti Johns Hopkins në Baltimore. Mentori i tij në këtë universitet ishte Dr. Anirban Maitra.
"Më duhet të pranoj se në fillim isha i befasuar se si një 15-vjeçar i shkruan gjithë ato. Doja ta njihja këtë djalosh të talentuar dhe të di se për çfarë donte të bisedonte. Kështu, e ftova që ta prezantojë projektin e tij. Më la një përshtypje shumë të madhe”, thekson Maitra.
Në vitin 2011, Maitra ia la në dispozicion Jackut një pjesë të laboratorit të tij, në të cilën tinejxheri për shtatë, çdo ditë pas shkollës dhe në fundjavë, punonte në testin e tij. Ai e zhvilloi një sensor të thjeshtë letre i cili e zbulon mesotelinën me një pikë gjaku apo urine. Testi tregon praninë e kancerit të pankreasit dhe është 90 për qind i besueshëm.
"Sensori është 400 herë më i ndjeshëm, 168 herë më i shpejtë dhe mbi 26 mijë herë më i lirë. Kushton vetëm tre centë dhe merr vetëm pesë minuta kohë", thotë studiuesi i ri.
Atëherë Jacku ka patentuar testin e tij dhe tani është duke punuar në zhvillimin e një testi të thjeshtë që mund të blihet kudo. Gjithashtu ai fitoi çmimin kryesor në Panairin Ndërkombëtar të Intelit për shkencë dhe teknologji, që është gara më e madhe në botë për shkollat e mesme, që u mbajte vjet në Pittsburgh, e ku ai i fitoi 75 mijë dollarë. Ai ishte fituesi më i ri deri tash, ndërsa në konkurrencë ishin 1.500 nxënës nga 70 vende.
"Jack Andraka është emër që ju do ta dëgjoni në 10-20 vitet e ardhshme. Në qoftë se këtë e bëri si 15 vjeç, kush e di se çka zbulon kur i ka 25 ose 35”, thotë Maitra.
Megjithatë, ai paralajmëron se do të duhet të paktën një dekadë derisa zbulimi i Jackut të aplikohet në shëndetësi.
Duhet cekur se fitorja e Jackut erdhi pas disa viteve të interesit në shkencë. Pasionin e tij e kanë inkurajuar prindërit, të frymëzuar edhe nga suksesi i vëllait të tij i cili fitoi në Panairin e Intelit më 2012.
Sot Jack merr pjesë në konferencat e teknologjisë në gjithë botën, siç është konferenca prestigjioze TED. Gjithashtu, ish-presidenti amerikan Bill Clinton e ftoi të marrë pjesë në takimin e vitit të kaluar të Iniciativës Globale, ndërsa është ftuar edhe nga Shtëpia e Bardhë më 13 shkurt në fjalimin e presidentit Barack Obama për gjendjen e kombit.
Sidoqoftë, fal angazhimit të tij, Jack sot është “ylli i shkencës”, ndërsa kryesorja është që zbulimi i tij do të shpëtojë shumë jetë. /Telegrafi/




















































