LAJMI I FUNDIT:

BE do t’i kundërpërgjigjet Amerikës për tarifat

BE do t’i kundërpërgjigjet Amerikës për tarifat

Bashkimi Europian po përgatit një listë të re të tarifave ndaj mallrave amerikanë, nëse misioni në Washington javën e ardhshme dështon të bindë presidentin Donald Trump, që të mos rrisë taksat në importe për makinat europiane. “Nëse SHBA vendos tarifa te makinat, ne po përgatitemi me vendet anëtare për një listë të masave gjithashtu”, tha komisionerja e tregtisë Cecilia Mamlstrom. Veprimet kundërpërgjigjëse do të jenë të menjëhershme, sipas burimeve me njohuri mbi çështjen.

Kur Presidenti i Komisionit Jean-Claude Juncker të takojë Trump më datë 25 Korrik, ai do të ofrojë 2 propozime për negociata, në përpjekje për të ulur tensionet tregtare. Oferta e parë do të jetë për të diskutuar për reduktimin e tarifave për makinat dhe pjesëve të makinave për vendet kryesore eksportuese, ndërsa e dyta, do të jetë mundësia e arritjes së një marrëveshjeje të limituar të tregtisë së lirë.

Shtetet e Bashkuara kanë zhvilluar një hetim nëse importet e makinave po cenojnë sigurinë kombëtare, gjë që mund të sjellë vendosjen e tarifave në 20%, për markat që Trump ka kërcënuar. Uashingtoni caktoi në datën 1 Qershor tarifa për çelikun dhe aluminin duke përdorur të njëjtat motive për sigurinë kombëtare, gjë që solli kundërpërgjigje nga Bashkimi Europian.


SHBA kanë shprehur optimizëm se të dyja palët mund të arrijnë një marrëveshje, ndërkohë që këshilluesi ekonomik i Shtëpisë së Bardhë, Larry Kudlow, tha se presidenti i komisionit do të sjellë një ofertë të rëndësishme për tregtinë e lirë. BE është e ndaluar nga rregullat globale që të reduktojë tarifat prej 10% ndaj makinave amerikane, nëse nuk arrin një marrëveshje dypalëshe me vendin. /Telegrafi/