Thellohet bashkëpunimi policor mes Kosovës dhe Italisë, në fokus krimi financiar dhe kibernetik

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, priti sot në një takim zyrtar gjeneralin e brigadës Gianluca Vitagliano, komandant i Njësisë së Karabinierëve Kundër Falsifikimit të Monedhave në Itali.
Gjatë takimit, të cilit i pranishëm ishte edhe stafi përcjellës i gjeneralit Vitagliano si dhe bashkëpunëtorë të drejtorit Hoxha, u diskutua për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e sigurisë, me theks të veçantë në luftimin e krimit të organizuar, falsifikimit të valutave dhe krimeve kibernetike.

“Takimi u vlerësua si i frytshëm dhe u shënua me gatishmëri të ndërsjellë për shkëmbim të përvojave profesionale dhe praktikave më të mira në fushën e hetimeve dhe sigurisë, me synimin për të përballuar sfidat e përbashkëta në fushën e zbatimit të ligjit”, thuhet në njoftim.
Të dyja palët u zotuan për avancim të mëtejshëm të partneritetit dhe intensifikim të koordinimit në përballjen me format moderne të kriminalitetit, në funksion të rritjes së sigurisë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. /Telegrafi/

















































