Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka quajtur frymëzues fjalimin e Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, në Konferencën e Sigurisë në Mynih të Gjermanisë.
Thaçi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se paralajmërimi i Sekretarit Pompeo për një koordinim më të madh ndërmjet SHBA-së dhe Evropës do të forcojë unitetin e aleatëve perëndimorë të Kosovës, i cili në tri vjetët e fundit kishte munguar.
“Fjalimi i Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ishte frymëzues jo vetëm për rajonin tonë, por për mbarë Evropën dhe botën”, ka shkruar Thaçi, përcjell Telegrafi.
“Paralajmërimi i tij për një koordinim më të madh ndërmjet SHBA-së dhe Evropës do të forcojë unitetin e aleatëve perëndimorë të Kosovës, i cili në tri vjetët e fundit kishte munguar”.
Thaçi ka thënë se “ky unitet do të reflektojë edhe në bashkimin e të gjitha forcave politike brenda Kosovës, duke krijuar një bazë të fuqishme për tejkalimin e sfidave historike që janë para nesh”.
“Bashkimi i aleatëve strategjikë perëndimorë të Kosovës, e bën të domosdoshëm përfundimin e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke projektuar të ardhmen e shtetit tonë, bazuar në paqen dhe stabilitetin afatgjatë në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Thaçi. /Telegrafi/