Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke kujtuar demonstratat e vitit 1981, ka thënë se prej 11 marsit 1981 deri në qershor 1999, Kosova ka kaluar nëpër ngjarje historike që vërtetuan drejtësinë e kërkesës për përparimin e statusit politik dhe juridik të Kosovës.

Presidenti Thaçi përmes një postimi në Facebook, ka thënë se demonstrata e 11 marsit 1981 ka hyrë në kalendarin e datave historike të Kosovës si reagim i rinisë studentore për avancimin e të drejtave politike, ekonomike dhe kulturore të popullit shqiptar nën ish-Jugosllavi.


Postimi i plotë i Thaçit:"Demonstrata e 11 marsit 1981 ka hyrë në kalendarin e datave historike të Kosovës si reagim i rinisë studentore për avancimin e të drejtave politike, ekonomike dhe kulturore të popullit shqiptar nën ish-Jugosllavi. Pas demonstratës së 11 marsit në Prishtinë, pasuan të tjerat edhe më të mëdha, gjithëpërfshirëse, në qendra të tjera të Kosovës, duke artikuluar fuqishëm kërkesën për Republikën e Kosovës. Prej 11 marsit 1981 deri në qershor 1999, Kosova ka kaluar nëpër ngjarje historike që vërtetuan drejtësinë e kërkesës për përparimin e statusit politik dhe juridik të Kosovës. E tëra kulmoi me çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Sot, Kosova është shtet i lirë, i pavarur e demokratik, republikë parlamentare me synime të qarta dhe perspektivë të sigurt euroatlantike. HTH" (sic.), ka shkruar Thaçi. /Telegrafi/