Site icon Telegrafi

Tetë veprime të shpejta për ta bërë shtëpinë tuaj të duket e pastër kur nuk është

(Foto: Pexels)

Mysafirët e papritur janë rrugës? Këtu janë truqet që përdorin ekspertët e pastrimit për të krijuar iluzionin e një shtëpie të pastër.

Befasi! Dikush nga miqtë ose familjarët e largët ju thotë se do të arrijnë në shtëpinë tuaj për 30 minuta. Por, hyrja juaj është e mbushur me rroba, lavamani i kuzhinës është i mbushur me pjata me kore picash dhe qimet e maces tuaj mbulojnë divanin.

Si mund ‘ta falsifikoni’ një shtëpi të pastër nëse nuk keni kohë – dhe nuk keni ndihmë për ta bërë këtë? Gjithçka ka të bëjë me perceptimin, duhet të përqendroheni në vendin ku do të jenë njerëzit, jo në pastrimin e tërë shtëpisë.

Lexo po ashtu Si të pastrosh mjetet e pastrimit të shtëpisë

Në vijim janë disa nga truqet që do ta bëjnë shtëpinë tuaj të duket e pastër kur në fakt nuk është:

Merrni në konsideratë se kush po vjen dhe pse

Përpara se të nisni pastrimin e shpejtë të çorganizuar, mendoni se si mund ta bëni mysafirin tuaj të rehatshëm në hapësirën ku do të qëndrojë, shkruan The Washington Post.

Eliminoni rrëmujën

Rrëmuja nuk përbën një rrezik për shëndetin si papastërtia, por mund t’i bëjë mysafirët të mendojnë se nuk kujdeseni për shtëpinë. Mënyra më e shpejtë për ta eliminuar atë, është të merrni një shportë rrobash ose një enë tjetër të madhe dhe të filloni t’i hidhni gjërat brenda.

Pikat që duhet t’ju kushtoni vëmendje janë hyrja, dhoma e ndenjes dhe kuzhina, prandaj largojeni rrëmujën nga këto zona duke i vendosur gjësendet në një shportë, enët brenda enëlarëses dhe mbeturinat në një kosh plehrash. Shportën futeni në një dhomë ose dollap që të ftuarit nuk do ta përdorin.

Ndizni dritat

Studimet kanë treguar se njerëzit i perceptojnë hapësirat e ndriçuara si më të pastra se ato me ndriçim të dobët. Një eksperiment i vitit 2013 zbuloi se njerëzit madje besonin se mbeturinat dukeshin më të pastra në dritë të ndritshme.

Rregulloni gjërat e buta

Vendosni peshqirët e pastër të duarve në banjën e miqve dhe palosini mirë. Më pas mbushni jastëkët në divan dhe palosni çdo batanije në dhomën tuaj të ndenjes. Nëse mendoni se dikush mund të shikojë në dhomën e gjumit, rregullojeni shtratin.

Bëni një fshirje sipërfaqësore

Ndonëse largimi i sendeve tuaja shkon shumë mirë, nuk mund ta fshihni pluhurin në sipërfaqet e dukshme. Prandaj duhet të bëni një fshirje të zonave, dyshemeja, tavolina, kuzhina, pasqyra apo xhamat e dukshëm.

Kushtojini vëmendje aromës

Nuk ka nevojë për kërkime shkencore për t’ju thënë se aroma e limonit shpesh sinjalizon freski dhe se agrumet lidhen me pastërtinë. Për të krijuar të njëjtën lidhje në shtëpinë tuaj, merrni parasysh ndezjen e një qiri me aromë limoni ose portokalli – kështu që aroma “do t’i përshëndesë” menjëherë mysafirët.

Aromaterapia, megjithatë, nuk e fsheh erën e keqe të një koshi plehrash të tejmbushur ose mbetjet nga darka e natës së kaluar me peshk, prandaj sigurohuni gjithashtu t’i zbrazni plehrat, ta ndizni ventilatorin dhe ta ajrosni shtëpinë tuaj duke hapur dritaret.

Shtoni një bimë ose lule

Një studim i vitit 2021 zbuloi se njerëzit mendonin se hapësirat e brendshme me bimë ishin më të pastra në krahasim me ato që nuk i kishin. Nuk është racionale, por bimët e brendshme kanë një ndikim të madh psikologjik mbi ne.

Shumë profesionistë të mirëmbajtjes së shtëpisë besojnë gjithashtu se shtimi i luleve të freskëta në shtëpinë tuaj ndihmon që hapësira të shkëlqejë.

Përgatituni për herën tjetër

Nëse krijoni një sistem për ta mbajtur shtëpinë të pastër dhe për ta pasur rrëmujën në minimum gjatë gjithë kohës, do të jetë më e shpejtë t’i bëni gjërat të duken gati për mysafirët në të ardhmen. Caktoni detyra specifike për ditë të veçanta të javës – dysheme një ditë, banjë një tjetër, lavanderi një herë në javë e kështu me radhë. /Telegrafi/

Exit mobile version