Një rast i shmangies së obligimeve doganore është parandaluar nga zyrtarët e Doganës së Kosovës në Pikëkalimin Kufitar në Vermicë, gjatë kontrolleve të rregullta të automjeteve në hyrje të territorit të Republikës së Kosovës.

Pas deklarimit të palës se nuk kishte mallra për të deklaruar, gjatë kontrollit të detajuar në vijën e dytë, zyrtarët doganorë kanë hasur në mallra të padeklaruara, konkretisht 153 pako me pluhur kolagjeni (nga 200 gram secila), të cilat ishin të vendosura në bagazh dhe për të cilat pala nuk kishte paraqitur asnjë faturë apo dokumentacion përcjellës.


"Malli është ndaluar përkohësisht deri në përfundimin e procedurave të mëtejshme, ndërsa ndaj palës është inicuar procedurë për kundërvajtje doganore, në bazë të nenit 244 të Kodit Doganor dhe të Akcizës së Kosovës", thuhet në njoftim.

Dogana e Kosovës vazhdon angazhimin e saj për të ndaluar kontrabandën, për të mbrojtur ekonominë e vendit dhe për të siguruar që mallrat që hyjnë në Kosovë të jenë të kontrolluara dhe të deklaruara sipas ligjit. /Telegrafi/