Autoritetet në Amerikën Perëndimore kanë bërë të ditur se temperaturat në këto zona tashmë kanë shënuar rekord dhe kanë filluar të marrin jetë njerëzish.

Autoritetet në Arizonë konfirmuan se ekskursionisti i zhdukur 33-vjeçar, Marcus Turowski, u gjend i vdekur të martën, duke u bërë i katërti person në zonën e Tucsonit, që ndërron jetë nga i nxehti ekstrem.


Një tjetër ekskursionist pati të njëjtin fund fatkeq përpara tij, 57-vjeçari Stefan Guenster, trupi i të cilit u gjet të dielën. Në rrethana të ngjashme ndërroi jetë dhe Adrienna Rasmussen, 18 vjeç.

Udhëtimi në këmbë në mes të vapës përvëluese u bë shkas edhe për vdekjen e një 28 vjeçareje dhe një të riu 25 vjeç në Phoenix, ndërsa prej të nxehtit ekstrem një grua 50-vjeçare vdiq në mes të qytetit.

Temperaturat e larta në këto zona kanë ndikuar që autoritetet të paralajmërojnë rreziqet që u kanosën banorëve, duke përfshirë madje edhe rrezikun nga zjarri.

I nxehti i madh po ushqen zjarret në jug të Kalifornisë, ku termometri shënoi temperatura rek ord. Me qindra vetë janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre, ndërsa zjarrfikësit nuk kanë mundur ende ta vënë nën kontroll zjarrin masiv që shpërtheu të dielën në San Diego, e që ka shkatërruar me dhjetëra ndërtesa.