Gjendja aktuale, e mishëruar me politikën tonë, e rrënuar dhe e përdhosur, na ka humbur motivin për të jetuar dhe po na çon drejt një vdekjeje shpirtërore. Ç’është më interesantja, ne nuk e duam politikën, por nuk jetojmë dot pa të; nuk i duam liderët a politikanët, por nuk rrimë dot pa i përmendur a pa fol për ta. Në fund të fundit, kështu të imponohet të jetosh si shqiptar.

Çiltërsia jonë e shpirtit na është turbulluar me ekstremizma dhe lumturia për neve si duket është vetëm një fjalë abstrakte. E, ç’të shohësh e të dëgjosh tjetër, pos pisllëqeve që po na e zënë gushën, po na e ndalin frymën?!


Çdo gjë e ka fundin e saj, por si duket neve na ka ardhur fundi dhe më e keqja është se nuk po shohim një fillim të mbarë, diku në largësi!

Përpjekjet tona për ditë më të mira, dita-ditës po venitën; shpresat tona të përjetshme po shuhen, duke na errësuar rrugët tona të së ardhmes dhe duke na lënë si ujku në kiamet! Rinia jonë po merr rrugën e pakthim; vullnetin na e vranë, ndërsa motivin për të jetuar na e masakruan pamëshirë.

A nuk do të ishte më e udhës, sikurse ne të mundohemi të gjejmë zgjidhjen në vend të fajtorit?!

Shumë më mirë do të ishte sikur t’i bënim sytë katër, t’i shtrëngonim duart, të mblidhnim mendjen dhe të mos e ushqenim shpirtin tonë me fate ugurëzeza. Të mos mallkonim! Çudia jonë më e madhe është se urojmë për suksese dhe kur suksesi të arrihet, mundohemi ta ulim e përbuzim; urojmë për lumturi, e derisa ajo arrihet mbajmë zili dhe shprehim fanatizëm.

Derisa mendojmë për përrallat e gjyshërve tonë, të cilët flisnin për një kohë që do të vijë, e që na dukej imagjinare, ajo kohë sot ka ardhur. Jetojmë si në përralla, pa siguri, pa të ardhme, me lakmi e inate. Po të ishte ndonjë çmim Nobel për inat, padyshim që shqiptarët do të thyenin rekordet, sepse ne flemë e zgjohemi me inat në shpirt, zili në zemër e paaftësi në trup. Çajmë kokën për imtësi, i vështirësojmë gjërat pa nevojë, shumëçka e bëjmë të paarritshme, vetëm e vetëm se përtojmë të marrim hapin.

Kjo është jeta jonë, ky është realiteti i hidhur! Shpresat tona na janë ngulfatur në fatin e politikës, sa që edhe buka e gojës na duket e paarritshme.

Gjithsesi, ne jemi ata që edhe pse çdo mëngjes zgjohemi të pashpresë, lutemi e besojmë në mrekulli dhe lutemi për ditë më të mira, pa patur guxim të bëjmë as mundimin më të vogël për të ndryshuar fatin tonë!