Të shtunën bëhet promovimi i monografisë “Agimi i Lirisë”, kushtuar heroit Agim Ramadani

“Agimi i Lirisë” titullohet monografia për heroin dhe luftëtarin e lirisë, Agim Ramadanin, e cila vjen në tri vëllime. Përgatitur mjeshtërisht nga shkrimtari Ibrahim Kadriu, ribotimi i kësaj monografie nga shtëpia botuese "Dukagjini" do të promovohet më datën 30 nëntor, ditën e shtunë, në orën 17:00 në librarinë “Dukagjini” (sheshi “Nëna Terezë”). Për të diskutuar për figurën dhe kontributin e pashoq të heroit Agim Ramadani dhe tri vëllimet e monografisë, në panel do të jenë të pranishëm:- Ibrahim Kadriu: autori - Xhevat Syla: shkrimtar - Rrustem Berisha: komandant - Bahri Gashi: profesor dhe - Shukrije Ramadani: bashkëshortja e Agim Ramadanit. Promovimi do të moderohet nga Liridona Bytyçi nga shtëpia botuese “Dukagjini”. Agim Ramadani lindi më 3 maj 1963 në fshatin Zhegër të Komunës së Gjilanit. Ai ishte luftëtar, artist e shkrimtar, që veprën, e në fund edhe jetën, ia fali Kosovës. I njohur ndryshe me nofkën "KATANA", ai ishte njëri prej komandantëve më të shquar dhe më aktivë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), si dhe komandant i Zonës së Koshares. Ishte komandant i Brigadës 138 deri në ditën e rënies heroike të tij. Pas përfundimit të luftës, ai u shpall Hero i Kosovës. Shtëpia botuese “Dukagjini” ju fton të merrni pjesë në promovimin e kësaj monografie kaq të veçantë, për heroin Agim Ramadani, ku do të keni edhe mundësinë të bashkëbisedoni me panelistët.
















































